Kërko

E Enjtja e Madhe E Enjtja e Madhe

E Enjtja e Madhe e Pashkëve

Gjesti që Jezusi bën për dishepujt e vet gjatë Darkës së Mbrame, përpara se të dënohej me vdekje, tregohet në Ungjillin sipas Gjonit dhe ishte një nga karakteristikat e mikpritjes në botën e lashtë

R.SH. - Vatikan

Me të Enjten e Madhe përfundon Koha e Krezhmës, të filluan me të Mërkurën e Përhime. Me të përfundon edhe agjërimi pendestar. Mesha e mbrëmjes "in Coena Domini" shënon fillimin e Treditëshit të Pashkëve, tri ditë që përkujtojnë Mundimet, Vdekjen dhe Ngjalljen e Jezusit e që e kanë qendrën në Vigjiljen solemne të Pashkëve dhe përfundojnë me Mbrëmësoren e dytë në të Dielën e Pashkëve.

Nga pikëpamja liturgjike, Treditëshi i Pashkëve është një kremtim i vetëm. E vërtet: në fund të meshës "in Coena Domini" meshtari nuk përshëndet, por besimtarët shpërndahen në heshtje; të Premten e Madhe, kremtimi fillon në heshtje, pa rite hyrëse dhe, përfundon në heshtje, pa bekimin përfundimtar e pa përshendetjen; Vigjilja e Pashkëve fillon me ritin e dritës, pa shenjën e kryqit e pa përshëndetje;​​vetëm në fund të Vigjiljes meshtari i bekon besimtarët dhe i përshëndet, duke përfunduar meshën.

Krizma apo Bagmi i Shenjtë
Krizma apo Bagmi i Shenjtë   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Mesha e Bagmit paradite

E Enjtja e Madhe është dita e dy kremtimeve të veçanta liturgjike. Paradite, në Katedrale, ipeshkvi bekon Bagmin Shenjt, vajin që përdoret gjatë gjithë vitit pasardhës për Sakramentet e Pagëzimit, Krezmimit dhe të Urdhrit të Shenjtë të Meshtarisë, si edhe tre vajrat e tjerë që përdoren për Pagëzimin, Vajimin e të Sëmurëve dhe të katekumenëve. Në këtë ceremoni marrin pjesë të gjithë meshtarët e diakonët, që mblidhen rreth ipeshkvit, si konfirmim i dukshëm i Kishës dhe i meshtarisë së themeluar nga Krishti. Ata përgatiten kështu të marrin pjesë, secili në Kishën dhe në famullinë e vet, në kremtimin e fazave të fundit të jetës së Jezu Krishtit, ku përfshihen Mundimet, Vdekja dhe Ngjallja e Tij.

Mesha e mbrëmjes "in Coena Domini"

Pasdite vonë, të gjitha kishat kremtojnë Meshën "in Coena Domini" apo meshën e Darkës së Mbrame. Ajo përkujton darkën e fundit të Jezu Krishtit me apostujt, para arrestimit dhe dënimit të tij me vdekje, çast i përshkruar nga breza të tërë artistësh.

Të katër Ungjijtë tregojnë se, ndërsa afrohej festa “e bukës së pambrume”, pra Pashkët hebraike, Jezusi dërgoi disa dishepuj për të përgatitur tryezën për darkën rituale në shtëpinë e njërit prej ndjekësve të tyre. Pashkët janë festa më solemne hebraike dhe kremtohen me një ritual të veçantë, që përkujton mrekullitë e kryera nga Zoti gjatë çlirimit të hebrenjve nga skllavëria egjiptiane (Dal 12). Kremtimi i saj zgjat nga data 14 deri në 21 të muajit Nishan (mars-prill).

Atë natë, konsumohet qengji gjatë një vakti (vakti i Pashkëve) çdo gjest i të cilit është i përcaktuar; gjatë kësaj kohe, lejohet vetëm buka e pambrume (në greqisht, "azymos"). Jezusi dhe apostujt jo vetëm që hëngrën sipas traditës, por Mësuesi Jezus, për herë të fundit, kishte me vete të dymbëdhjetë dishepujt e zgjedhur prej tij dhe u mbajti atyre një fjalim që ndërthurte lamtumirën, premtimin dhe shenjtërimin.

Larja e këmbëve
Larja e këmbëve   (ANSA)

Larja e këmbëve: simbol i mikpritjes

Ungjilli sipas Gjonit, në kapitullin 13, rrëfen episodin e larjes së këmbëve. Jezusi, "duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund" dhe, ndërsa djalli tashmë ia kishte vënë në zemër Judë Iskariotit qëllimin për ta tradhtuar, Jezusi u ngrit nga tryeza, la anash rrobat dhe mori një peshqir, duke e lidhur rreth vetes. Mbushi me ujë një legen dhe me një gjest të paparë, sepse u rezervohej skllevërve dhe shërbëtorëve, filloi t’u lante këmbët apostujve, duke i fshirë më pas me peshqirin që kishte me vete.

Duhet theksuar se në atë kohë, njerëzit ecnin në rrugë me pluhur dhe baltë, bashkë me kafshët e këmbët e tyre, edhe kur vishnin sandale, ishte tepër të ndotura në fund të ditës. Larja e këmbëve ishte shenjë dalluese e mikpritjes në botën e lashtë; ishte detyrë e skllavit ndaj zotërisë, e gruas ndaj burrit, e birit ndaj babait dhe, kryhej me një legen të veçantë dhe me një të ashtuquajtur "lention" (peshqir), i cili u kthye në një lloj uniforme për ata, që shërbenin në tryezë.

Kur erdhi radha e Simon Pjetrit, ai iu kundërvu gjestit të Jezusit: "Zot, ti po më lan këmbët?" E Jezusi u përgjigj: "Ç’po bëj unë, ti nuk e kupton tani, por do ta kuptosh më vonë". Pastaj Pjetri, duke mos e kuptuar simbolikën dhe shembullin e një akti të tillë, këmbënguli: "Ti nuk do të m'i lash kurrë këmbët". Por Jezusi u përgjigj sërish: "Nëse nuk t’i laj, ti nuk ke pjesë me mua". Pjetri, me impulsivitetin e tij të zakonshëm, u përgjigj: "O Zot, jo vetëm këmbët e mia, por edhe duart dhe kokën!".

Larja e këmbëve është një nga mësimet më të mëdha, që Jezusi u jep dishepujve të vet, sepse ata duhet ta ndjekin atë në rrugën e bujarisë së plotë, duke e dhuruar plotësisht vetveten, jo vetëm ndaj figurave të zakonshme e të rëndësishme të atëhershme si i zoti i shtëpisë, bashkëshorti, babai, por edhe ndaj të gjithë vëllezërve dhe motrave, megjithëse konsideroheshin më inferiorë se vetvetja.

Juda, pasi mori kafshatën, u ngrit dhe doli në errësirën e natës
Juda, pasi mori kafshatën, u ngrit dhe doli në errësirën e natës

Njoftimi i tradhtisë së Judës

Pas larjes së këmbëve, Jezusi u vesh dhe u ul në sofër ndërmjet dymbëdhjetë apostujve. Filloi një bisedë thellësisht prekëse me ta, duke paralajmëruar vazhdimisht për tradhtinë e njërit prej tyre e duke hedhur një vello trishtimi dhe mosbesimi mbi atë gosti rituale. "Vërtet, vërtet po ju them, njëri prej jush do të më tradhtojë", pohon Jezusi. Apostujt reagojnë me tmerr pas këtyre fjalëve dhe, me tone të ndryshme, e pyesin se kush është ai. Edhe Gjoni, dishepulli i dashur, duke mbështetur kokën mbi gjoksin e Jezusit në një gjest besimi, pyeti: ") Zot, kush është?" Dhe Jezusi, i prekur thellë, u përgjigj: "Është ai të cilit do t'i jap një kafshatë bukë pasi ta kem ngjyer". Ai e ngjeu një kafshatë dhe ia dha Judë Iskariotit, duke thënë: "Atë që do të bësh, bëje shpejt", për habinë e të pranishmëve që vazhdonin të mos kuptonin, ndërsa Juda, pasi mori kafshatën, u ngrit dhe doli në errësirën e natës.

Rivendosja e Eukaristisë dhe fillimi i Mundimeve

Ritet liturgjike të së Enjtes së Madhe, dita në të cilën Kisha kremton jo vetëm themelimin e Eukaristisë, por edhe atë të Urdhrit të Shenjtë, pra, meshtarinë e krishterë, përfundojnë pas Meshës së Darkës së Mbrame me rivendosjen e Eukaristisë në një kapelë anësore të Kishës, të zbukuruar për festë, pikërisht për të përkujtuar themelimin e Sakramentit. Kjo kapelë do të jetë për besimtarët vendi i adhurimit për pjesën e mbetur të Eukaristisë nga mbrëmja dhe për gjithë ditën pasardhëse, derisa të fillojnë ritet e pasdites të së Premtes së Madhe. Pjesa tjetër e Kishës mbetet në errësirë, si shenjë dhimbjeje për fillimin e Mundimeve të Jezu Krishtit; kambanat heshtin, altari nuk ka zbukurime, tabernakulli është bosh me derëzën e hapur dhe kryqet mbulohen.

02 prill 2026, 08:56