Iran: Ipeshkvijtë e SHBA-së: "i kërkojnë Trumpit të bëjë një hap mbrapa"
R.SH. / Vatikan
"Kërcënimi i shkatërrimit të një qytetërimi të tërë dhe synimi i qëllimshëm i infrastrukturës civile nuk mund të justifikohen moralisht. Ka mënyra të tjera për të zgjidhur konfliktet ndërmjet popujve. I kërkoj Presidentit Trump të tërhiqet nga gremina e luftës dhe të kërkojë zgjidhje të drejtë në interes të paqes, e përpara se të humbasin më shumë jetë".
Këtë pohon imzot Paul S. Coakley, Kryeipeshkëv i Oklahomës Siti dhe President i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USCCB), në një deklaratë lëshuar dje përballë shkallëzimit ushtarak kundër Iranit. Prelati kujton fjalët e Leonit XIV në mesazhin e tij të Pashkëve Urbi et Orbi: "Paqja që na jep Jezusi nuk është ajo që i bën të heshtin armët, por ajo që e prek dhe e ndryshon zemrën e secilit prej nesh".
Imzot Coakley pranon ftesën e Papës për një vigjilje lutjeje kushtuar paqes të shtunën e ardhshme, më 11 prill, dhe u bën "thirrje të veçantë ipeshkvijve, meshtarëve, besimtarëve laikë dhe të gjithë atyre që dëshirojnë paqen e vërtetë" të marrin pjesë në vigjiljen e Atit të Shenjtë, "si nga distanca, ashtu edhe në famulli e kapela, e sidomos, para Zotit në heshtjen e zemrave të tyre".
Deklarata përfundon me fjalët e Leonit XIV: "Zotit ia kushtojmë të gjitha zemrat që vuajnë dhe presin paqen e vërtetë, të cilën vetëm Ai mund ta japë".