Kërko

Kardinali Simoni i shpreh mirënjohjen Papës Leoni XIV

Kardinali shqiptar Simoni i shpreh mirënjohjen Papës Leoni XIV: "Për ftesën që më bëri në ditën më solemne të kalendarit liturgjik, Ditën e Pashkëve Shenjte të Ngjalljes. Nuk e kam përfytyruar kurrë se do të arrija 70 vjet meshtarí, ndërsa isha përballë zjarrit të mitrolozit

R.SH. / Vatikan

"Nuk e kam menduar kurrë se do ta festoja 70-vjetorin e meshtarisë! E as përfytyruar kurrë, ndërsa isha përball zjarrit të mitralozit, e kërcënimeve se do të më qëllonin. Nuk e kam kujtuar kurrë as ndërsa isha në burg, a ndërsa bëja punë të detyruar në miniera dhe kanalizime". Këtë theksoi Kardinali shqiptar Ernest Simoni i cili, të dielën e Pashkëve, mori pjesë, me ftesën e Papës, me rastin e 70-vjetorit të shugurimit të tij meshtarak, në Lozhën e Bekimeve me rastin e mesazhit të Pashkëve Urbi et Orbi, kryesuar nga Leoni XIV.  

I shuguruar meshtar më 7 prill 1956, në Katedralen e Shkodrës, në veriun e Shqipërisë, Kardinali Simoni kaloi 28 vjet në burg dhe në punë të detyruar nën regjimin komunist në Shqipëri, pa hequr kurrë dorë nga feja.

Meshë e kremtuar në burg

Edhe në burg Meshtari i asokohshëm arriti ta kremtonte fshehurazi Eukaristinë:

"E kremtova fshehurazi Meshën Shenjte, që e dija në latinisht, duke përdorur grimca mielli dhe uji të cilat, pas shugurimit që më ishte lejuar nga Kisha, u bënë Korpi i Krishtit".

E Kardinali Simoni vijoi me emocion:

"Shumë të burgosur u vranë nga urrejtja për fenë. Ishin të pafajshëm. E humbën jetën vetëm  sepse ishin ndjekës të zjarrtë të Jezusit. E pse ishin burra e gra që derdhën pa ngurrim gjakun e tyre për Kishën Shenjte".

I krijuar kardinal nga Papa Françesku në vitin 2016, Kardinali Ernest Simoni i shprehu mirënjohjen Leonit XIV "për ftesën që i bëri në ditën më solemne të kalendarit liturgjik, atë të Pashkëve të Shenjta të Ngjalljes".

08 prill 2026, 15:24