Lamtumirë bariut të mirë që nuk bëri kurrë dallime
R.SH. / Vatikan
nga Dom Marjan Topalli
Lamtumirë bariut të mirë që nuk bëri kurrë dallime.
Vuajtja lë gjurmë dhimbjeje, por vepra e Don Kelmendit ka lënë gjurmë ngushëllimi. Mbi të gjitha, dashuria dhe akti i tij heroik gjatë luftës në Kosovë, në famullinë e Shën Ndout në Gllogjan, në përballje me agresorin e ushtrisë serbe, mbeten dëshmi e gjallë e shpirtit të tij. Në ato çaste vendimtare, ai u përgjigj: “Këtu nuk ka myslimanë apo katolikë. Këta janë të gjithë shqiptarë të pafajshëm në vendin e tyre. Para se ta bëni këtë, më vrisni mua, pastaj motrat e nderit, dhe pastaj vazhdoni planin tuaj kriminal”.
Ky qëndrim i guximshëm i bariut të mirë dëshmon dashurinë e tij të thellë për njeriun dhe popullin. Dom Kelmendi arriti të parandalojë një tragjedi të madhe.
Kaloi në amshim meshtari Don Kelmend Spaqi (1962–2026). I lindur më 18 tetor 1962 në Velezhë të Prizrenit, biri i Ndrecit dhe Katës, ai u rrit në një familje të madhe me pesë vëllezër dhe katër motra. U nda nga jeta në moshën 63-vjeçare.
“Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta” (2 Tim 4,7). Në të vërtetë, ai jo vetëm e ruajti fenë, por mbi të gjitha ruajti njeriun, pa pyetur kurrë për përkatësinë e tij fetare. Shpesh ndodh që jeta dhe vepra e një njeriu të vlerësohen më shumë pas vdekjes sesa gjatë jetës. Një e vërtetë e hidhur, por reale. Megjithatë, në rastin e Don Kelmend Spaqit, veprat e tij nuk u shuan, por mbetën të gjalla në kujtesën e popullit.
Në një botë ku shpesh ndiqen lavdia dhe suksesi i jashtëm, ai mishëroi vlerën ungjillore të përvujtërisë e dhurimit. Ndërsa shumëkush kërkon lavdinë, ai zgjodhi veprën; ndërsa të tjerët kërkojnë të shpëtojnë veten, ai ishte i gatshëm të japë jetën për të tjerët.
Vuajtja lë plagë, por vepra e tij la shenja shprese. Akti i tij heroik në kohë lufte nuk ishte vetëm një veprim guximi, por një dëshmi e lartë njerëzore dhe kombëtare. Ai ndryshoi rrjedhën e një ngjarjeje tragjike dhe la një kujtim të pashlyeshëm në zemrat e njerëzve.
Për gati një çerek shekulli, ky akt mbeti në heshtje, pa vlerësimin e merituar. Vetëm më 1 prill 2026, Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e nderoi me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza” (pas vdekjes), për kontributin e tij në humanizëm dhe solidaritet ndërfetar. Me thjeshtësinë që e karakterizonte, ai nuk arriti të ishte i pranishëm në këtë ceremoni; një ditë më pas, kaloi në amshim, sikur të kishte marrë më parë nderimin tokësor përpara se të hynte në lavdinë qiellore.
Don Kelmendi ndërroi jetë më 2 prill 2026 në Tivar, në Mal të Zi, në të Enjten e Shenjtë — ditë që përkujton themelimin e meshtarisë. Trupi i tij u vendos për homazhe në kishën famullitare në Velezhë, ndërsa më 6 prill, të hënën e Pashkëve, u kremtua Mesha mortore dhe u bë varrimi në vendlindjen e tij.
Mesha e Dritës për Don Kelmendin u kremtua në oborrin e famullisë së Shën Nikollit, në vendlindje të tij, në Velezhë, kryesuar nga Shkëlqesia e Tij, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, në bashkremtim me Shëlqesinë e Tij, Imzot Rrok Gjonlleshaj, Arqiipeshkëv në Tivar, Imzot Hil Kabashi dhe Imzot Zef Gashi në pension. Ishte i pranishëm një numër i madh meshtarsh nga Dioqeza e Kosovës, Shqipërisë, Mali të Zi, Kroaci. Të pranishëm në këtë Meshë mortore ishin edhe Hoxhallarë të bashkësisë Islame të Kosovës, duke dëshmuar frymën e bashkëjetesës që ai vetë kishte mishëruar. Përfaqsues nga Institucionet Shtetërore U.d. së Presidentes Zj. Albulena Haxhiu, deputetë, intelektualë, humanistë, veteranë dhe mijëra besimtarë.
Ky nderim tejkaloi përmasat e një ceremonie të zakonshme mortore dhe u shndërrua në një dëshmi të gjallë të tri vlerave themelore: besimit të tij në Krishtin, veprës së tij të dashurisë dhe trashëgimisë së çmuar që la si kujtesë për popullin e vendin.
Jeta e dom Kelmendit mbetet një thirrje për të jetuar me besnikëri, guxim dhe dashuri, edhe në rrethanat më të vështira.Për Kishën Katolike në Kosovë dhe për Arqipeshkvinë e Tivarit, ku shërbeu vitet e fundit, ndarja e tij është një humbje e madhe. Por njëkohësisht, kujtimi i tij mbetet burim frymëzimi dhe shprese.
Në përfundim të Meshës së Dritës, ndërsa kortezhi përcillte trupin e tij mes lutjeve dhe këngëve, për në banesën a fundit, u ndie thellë mesazhi që dom Kelmendi la pas: të jetojmë me përgjegjësi, dashuri, guxim dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit.
Don Kelmend, faleminderit për dëshminë, dashurinë dhe besnikërinë që na le si trashëgimi.
Pusho në paqe.