Kërko

2021.03.30 Croci, Passione di Cristo

Riti i Pashkëve

Shpesh pyesim në këto ditë para Pashkëve se çfarë mund të kuptojnë shumë njerëz që nuk janë më të krishterë sot, rreth gjendjes që përjetojnë ata që janë dishepuj të Jezusit të Nazaretit gjatë "Javës së Madhe".

R.Sh. Vatikan

Po, sepse gjatë kësaj jave, këta besimtarë luten ndryshe nga ditët e tjera, kryejnë rite që thërrasin në kujtesë ngjarje të vërteta, përjetojnë orë trishtimi dhe më pas shpërthejnë në himne galduese dhe shkëmbejnë përqafime. E dimë se, për fat të keq, kjo gjë ndesh me mospërfillje e, edhe atëherë kur ngjall interes, trajtohet si një ngjarje folklorike, si përshembull evokimi i skenave mesjetare jo vetëm në Sevilje ose Sordevolo, por edhe në Italinë Jugore. Kështu, Java e Madhe e Pashkës, me "Mundimet e saj", bëhet në të vërtetë një atraksion i madh turistik.

Nëse shkoni në Kisha ku kremtohen liturgji në të cilat të krishterët përfshihen në ngjarjet e Mundimeve dhe të vdekjes së Jezusit, do të vini re praninë e pak njerëzve, zakonisht të moshuar. Një pakicë që shpreh vetëdijen se të qenit i krishterë nuk ka të bëjë me ndjekjen e një doktrine, as me respektimin e një morali, por me përjetimin e një lidhjeje të thellë, një besnikërie të bindur ndaj Jezu Krishtit, ndaj asaj që tha dhe bëri, dhe për këtë arsye, bindje ndaj Ungjillit.

Sigurisht, sot, jeta gjatë Javës së Madhe për të krishterët, siç e lyp e vërteta (në ritin ambrozian të Kishës së Milanos, kjo javë quhet "Java e vërtetë"!) do të thotë të shkosh në Kishë, në bashkësinë tënde, për të formuar një trup të vetëm që kremton Mundimet e Krishtit. Nuk është imitim, as një spektakël i dhimbjes, por kundrim, një shembull besimi, një kuptim më i thellë asaj jete që iu ofrua atyre njerëzve që Zoti i donte aq shumë.

Jezusi, i cili jetoi me dashuri, i deshi njerëzit deri në fund, duke pranuar vdekjen pa kundërshtime, pa dhunë, por në solidaritet me të gjitha viktimat e historisë, viktima të padrejtësisë dhe të ligësisë së njerëzve të tjerë. Ajo që na dëshmojnë Pashkët e Jezusit është se Ai e lë veten të kapet pa bërë qendresë të armatosur; është heshtja e tij që flet shumë para mbretit Herod, i cili nuk meritonte as një fjalë nga Jezusi, marrja në pyetje e tij nga kryeprifti dhe autoritetet më të larta fetare, të cilën ai e duroi pa e kundërshtuar. Është liria që Ai tregon se ka para prokurorit romak, i cili kishte pushtetin e jetës dhe të vdekjes mbi të.

Jezusi mbeti gjithmonë zemërbutë, larg çdo tundimi për të ushtruar dhunë. Nuk bëhet fjalë për dorëzim këtu, por nënshtrim i pranuar lirisht për të refuzuar çdo mënyrë mbrojtje që përshkohet nga dhuna, me fjalë ose fizike. Deri në fund, madje i torturuar, i fshikulluar dhe i kryqëzuar, Jezusi i shihte torturuesit e tij si njerëz që nuk dinin çfarë thoshin ose bënin. Sigurisht që nuk ishte ai që i fali, por përkundrazi i kërkoi Hyjit, Atit të tij, të falte të gjithë akuzuesit dhe xhelatët e tij. Ishte e premte, 7 prill i vitit 30, në orën 3:00 pasdite!

Kjo vdekje, rezultati përfundimtar i një rrugëtimi dashurie dhe zemërbutësie, shërbimi dhe kujdesi për më të ligështit dhe më të vobektit që hasi, qe hapi përfundimtar kur e numëruan midis mëkatarëve, "të mallkuar nga Hyji dhe njerëzit", dhe për këtë arsye të varur në kryq. Por kjo vdekje nuk mund të ishte fjala e fundit.

E kështu, pas një dite heshtjeje të plotë, pas një të Shtunë të Madhe, kur nuk kremtohet asnjë liturgji por heshtja është e vetmja lutje e mundshme, Hyji e ringjall Jezusin nga të vdekurit meqenëse ajo dashuri, e jetuar deri në fund, nuk mund të tretej. Kjo është e diela, «Kyrios», Zoti i ringjallur!

Dhe këtu shpërthejnë festimet, vërehet se dashuria ka mposhtur vdekjen, se ferri është zbrazur, se tryeza është gati, se të gjithë mund të ulen rreth saj, të parët dhe të fundit, të varfërit dhe më të braktisurit, ata që nuk kanë emër dhe të panjohurit.

Këto janë Pashkët e Krishtit Zot!

Kjo ngjarje është ajo që të krishterët përpiqen ta përjetojnë. Në këtë pikë, po i japim vetes lejen të japim një shpjegim edhe për ata që nuk janë të besimit të krishterë. Çdo Pashkë na përcjell sigurinë se do ta shohim njëri-tjetrin përsëri në jetën e përtejme nëse në këtë jetë kemi dashur, sepse dashuria jonë nuk humbet. Zoti, në të vërtetë, është dashuri, dhe dashuria është gjithmonë hyjnore.

03 prill 2026, 15:27