170 vjet Oeuvre d’Orient: përkrah të krishterëve në vendet në luftë
R.SH. – Vatikan
"Shumë nga vendet ku jemi të pranishëm janë në luftë, me të shpërngulur, vdekje, lëndime dhe njerëz të zhdukur. Në këto vende, të krishterët janë viktima së bashku me pjesën tjetër të popullsisë, pa dallim". Ky imazh hapi konferencën për shtyp të mbajtur dje pasdite në Paris, me rastin e 170-vjetorit të Oeuvre d'Orient, një organizatë e Kishës së Francës, që ka mbështetur Kishat Lindore që nga viti 1856. Nga Lindja e Mesme në Bririn e Afrikës, në Evropën Lindore, në kohë lufte dhe paqeje, Oeuvre d'Orient mbështet 400 bashkësi fetare në 23 vende, falë 70 vullnetarëve në mision, me 1.250 projekte çdo vit dhe 76.000 donatorë. Imzot Hugues de Woillemont, Drejtor i Përgjithshëm i Oeuvre d'Orient, hapi konferencën për shtyp, pasi të dielën, më 10 maj, në katedralen Notre-Dame në Paris, kardinali Claudio Gugerotti, prefekt i Dikasterit për Kishat Lindore, kremtoi një meshë në prani të patriarkëve dhe ipeshkvijve, rregulltarëve dhe përkrahësve.
“Në këto vende të shkatërruara nga lufta, të krishterët, të cilët janë të paarmatosur dhe nuk marrin pjesë në plaçkitje”, pohoi ipeshkvi de Woillemont, “vijojnë të jenë të pranishëm e të dëshmojnë angazhimin, besnikërinë dhe shërbimin për të gjithë, pa dallim. Ne mbështesim shkollat, institucionet shëndetësore, strehimoret dhe ndihmën humanitare. Unë besoj se duhet t’i shohim këto bashkësi, këta të krishterë, si njerëz që vuajnë dhe vazhdojnë të vuajnë, viktima të luftërave të gjata, ose të konflikteve më të fundit”.
"Këto bashkësi – theksoi ai - po na japin një mësim të vërtetë. Nuk kanë nevojë për mëshirën tonë. Thjesht, kanë nevojë për mirënjohjen dhe angazhimin tonë për t'i mbështetur".
Oeuvre d’Orient në Shqipëri
Ndoshta pak e dinë se organizata “Oeuvre d’Orient” është e pranishme edhe në Shqipëri, që nga koha e pushtimit otoman e vijon t’i ndihmojë të krishterët e vendit edhe sot e kësaj dite. Sidomos, në fund të sundimit osman (që kulmoi me pavarësinë në vitin 1912), “Oeuvre d’Orient” luajti një rol vendimtar si krahu operativ dhe financiar i pranisë katolike në Shqipëri, duke vepruar kryesisht nëpërmjet tre kanaleve: arsimit, mbrojtjes diplomatike dhe mbështetjes për strukturat kishtare.
Kontributi arsimor
Gjatë periudhës së fundit otomane, “Oeuvre d’Orient” financoi shkollat katolike, veçanërisht në veri të vendit, kryesisht në Shkodër. Këto shkolla nuk ishin vetëm qendra fetare, por edhe vatra të kulturës kombëtare, pasi në një perandori, që shpesh ndalonte mësimin e shqipes, institucionet e mbështetura nga organizata franceze dhe nga jezuitët e françeskanët ishin ndër të paktat, që e mbanin gjallë gjuhën dhe letërsinë vendase. Shumë nga udhëheqësit e ardhshëm të Shqipërisë së pavarur u arsimuan në këto institucione (si Kolegji Xaverian në Shkodër), i cili merrte subvencione të vazhdueshme nga “Oeuvre d’Orient” për blerjen e librave dhe të materialeve mësimore. Organizata mbështeti financiarisht edhe shkollat e françeskanëve e të murgeshave stigmatine, si edhe seminarin papnor shqiptar, themeluar më 1858 e administruar nga jezuitët. Këto shkolla qenë themelore jo vetëm për edukimin fetar, por edhe sepse ishin ndër të parat që futën mësimin e lëndëve shkencore dhe të gjuhës shqipe, duke kontribuar drejtpërdrejt në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare.
Ndikimi diplomatik
Shoqata “Oeuvre d’Orient” shërbeu edhe si lidhje midis Selisë së Shenjtë dhe qeverisë franceze. Në Shqipëri, Franca ushtronte një lloj "protektorati fetar" mbi misionet katolike. “Oeuvre d’Orient” lehtësoi mbrojtjen e të krishterëve nga problemet administrative krijuar enkas nga otomanët. Gjithashtu, së bashku me diplomacinë franceze, balancoi ndikimin e fortë të Perandorisë Austro-Hungareze (e cila kishte një “Kultusprotektorat” formal) dhe ekspansionizmin italian.
“Oeuvre d’Orient” dhe Shqipëria, sot
“Oeuvre d’Orient” vazhdon të mbështesë projekte, që kombinojnë ruajtjen e trashëgimisë fetare me zhvillimin shoqëror të brezave të rinj në Shqipëri, shpesh brenda kornizave më të gjera të bashkëpunimit ndërkombëtar. Për shembull, së bashku me programin evropian “EU4Culture”, kontribuoi në restaurimin e selisë historike të krydioqezës së Durrësit, në Delbnisht, duke e kthyer atë në një qendër aktive për jetën civile lokale. Në frontin rinor, është aktiv programi "Jeunes des 2 Rives" (Të rinjtë e dy brigjeve), që ka filluar zyrtarisht në Shqipëri, në vitin 2024. Objektivi i tij është nxitja e solidaritetit ndërkombëtar dhe e impenjimit qytetar të të rinjve shqiptarë dhe të bashkëmoshatarëve të tyre në pellgun e Mesdheut (Francë, Marok, Tunizi, Liban). Përveç kësaj, organizata franceze mbikëqyr nga afër restaurimin e monumenteve, si kisha e Shën Marisë në Kurbin, ose kisha e Shën Mëhillit në Vuno, ku ruajtja e afreskeve mesjetare kërkon ekspertizë specifike teknike. Jo më pak, “Oeuvre d’Orient” ndihmon edhe në dixhitalizimin e Trashëgimisë së krishterë të Shqipërisë, për ta bërë atë të arritshme për studiuesit dhe për turistët nga e gjithë bota.