Kërko

Imzot Antonio Di Donna, ipeshkëv i Acerrës dhe President i Konferencës Episkopale të Kampanisë (© Luigi Bonincontro) Imzot Antonio Di Donna, ipeshkëv i Acerrës dhe President i Konferencës Episkopale të Kampanisë (© Luigi Bonincontro)

Acerra, ipeshkvi Di Donna: ka çështje kritike, por mos na etiketoni si "toka e zjarreve"

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Kampanjës përshkruan situatën në territoret ku Papa do të bëjë një vizitë baritore më 23 maj. "Edukimi për t’u kujdesur për Krijimin duhet të hyjë më konkretisht në katekezën e rregullt të bashkësive; jemi ende larg kësaj. Institucioneve u kërkohet të krijojnë sinergji, duke siguruar vazhdimësi dhe fonde për t’i mbikëqyrur këto zona, ku jetojnë njerëz punëtorë, rezistentë dhe mikpritës"

R.SH. – Vatikan

"Vëmendja e Papës Leoni XIV ndaj Kampanjës është surprizë e këndshme për ne. Këto janë vizitat e tij të para në Itali dhe ardhja e tij në Acerra është një dhuratë". Kështu shprehet për mediat e Vatikanit, ipeshkvi i dioqezës italiane të Kampanjës, imzot Antonio Di Donna, kreu i barinjve të këtij rajoni, që do ta presë sërish Papën më 23 maj, pas vizitave të tij në Pompei dhe Napoli, më 8 maj. Njëmbëdhjetë vjet pas enciklikës “Laudato si'” të Papës Françesku, Pasardhësi i Shën Pjetrit do ta vulosë me vizitën e tij në Acerra, Javën Laudato si', e cila i kushtohet ndërgjegjësimit për mbrojtjen e gjithçkaje ka krijuar Zoti. Do të shkelë në një tokë të dëmtuar për dekada nga krimet kundër ambientit, që kanë ndikuar rëndë në shëndetin e banorëve. Në intervistën e tij me mediat e Vatikanit, prelati denoncon se puna e institucioneve dhe e shoqërisë civile është ende e pjesshme e nuk lë të dalin në pah talentet. Një tekst i rëndësishëm si ai i enciklikës Laudato Si' akoma nuk ka zënë rrënjë në jetën e përditshme në atë zonë, që njihet si “Toka e Zjarreve”.

Shkëlqesia Juaj, Leoni XIV do të vijë në Acerra, duke përmbushur një dëshirë të Papës Françesku. Kjo vizitë, pra, dëshmon vazhdimësinë ndërmjet dy papnive, nën shenjën e kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët…

Po, Papa Françesku donte të vinte këtu në Acerra që gjashtë vjet më parë, në përvjetorin e pestë të Laudato Si', por pandemia e ndaloi gjithçka. Kjo enciklikë e madhe na ka frymëzuar shumë për punën tonë në këtë rajon. Vizita e Leonit XIV bëhet kryesisht për t’i dhënë rëndësi enciklikës, e cila citohet shpesh, por njihet pak, madje, edhe në ambientin kishtar. Ndoshta, vlerësohet më shumë në ambientin laik, sesa në botën tonë kishtare.

Çfarë frytesh ka sjellë enciklika në territoret tuaja?

Në këtë territor, tema e mbrojtjes së Krijimit daton shumë kohë para “Laudato Si'”, kur lindi fenomeni dramatik i "tokës së zjarreve", pra afërsisht tridhjetë vjet më parë. Edhe atëherë, populli iu drejtua Kishës, pasi përgjigja institucionale ishte shumë e dobët, të paktën fillimisht dhe, njerëzve u sëmureshin e u vdisnin fëmijët. Pastaj, filloi impenjimi i 12 dioqezave ndërmjet Napolit dhe Kazertës. Ne besojmë në një Zot, që krijoi qiejt dhe tokën, ne besojmë në Ungjill, motivimi ynë është biblik. Zakonisht them se “Laudato Si'” nuk është dokument ekologjik, por më tepër një dokument i doktrinës shoqërore të Kishës; është si “Rerum Novarum”, me të njëjtën rëndësi historike. “Laudato si'” na ka bërë të kuptojmë se kur edukimi për t’u kujdesur ndaj Krijimit nuk hyn në indin e bashkësive dhe të famullive tona - domethënë, në udhën e fesë, në predikimet dhe në katekezën e rregullt - atëherë do të jetë prerogativë vetëm e disa elitave, edhe kishtare, por nuk do të jetë pjesë e rrugëtimit të Kishës së madhe, të shumicës, të shoqatave dhe të grupeve. Duhet të zbatohet konkretisht, sepse doktrina shoqërore e Kishës është pjesë përbërëse e ungjillëzimit. E duhet thënë se jemi ende larg realizimit të kësaj.

Si do ta përkufizonit aleancën Kishë-institucione lokale në këtë front?

Fillimisht them se ne po veprojmë pothuajse si laborator, sepse, të mos harrojmë, nuk kemi vetëm ne "toka zjarri". Ka shumë "toka zjarri" në Itali: ka vende të ndotura në Veri, Qendër dhe Jug. Nuk mund të dalim nga kjo krizë mjedisore nëse nuk punojmë së bashku, me të gjitha palët e interesuara, veçanërisht me qarkun, bashkitë dhe qeverinë kombëtare. Pastaj janë komitetet, nënat e guximshme, mjekët mjedisorë dhe Kisha për punën e saj të denoncimit dhe të edukimit të ndërgjegjes. Duhet të them se, për fat të keq, reagimi i institucioneve fillimisht ishte shumë i dobët. Pastaj, falë Zotit, gradualisht, krijuam një dialog me ta, por, gjithmonë është e nevojshme t’i inkurajojmë, t’i nxisim që të bëjnë çfarë duhet, domethënë, të bëjnë bonifikimet, vlerësimin e cilësisë së ajrit e kështu me radhë... Prefekturat, për shembull, kanë kompetenca të konsiderueshme dhe, falë Zotit, prefekturat e Napolit dhe të Kazertës po kryejnë punën e regjisë; kjo është sinergjia që urojmë të kemi.

E çfarë kërkoni ju, si bari i këtyre territoreve, nga qeveria?

Çelësi, sipas mendimit tim, është të sigurohet vazhdimësia. Shumë është bërë, por mbetet shumë për t'u bërë. Duhet siguruar vazhdimësi, duke i dhënë mjetet, përfshirë ato financiare, komisarit të vetëm për bonifikimin, sepse bonifikimi kushton dhe, mbi të gjitha, kërkon kohë; duhet intensifikuar kontrolli dhe mbikëqyrja e shëndetit publik. Vëmendja nuk duhet të zbehet dhe duhet ta heqim këtë etiketë të "tokës së zjarreve" nga zona jonë, që të mos flitet vetëm për problemet e saj kritike, por të flitet pozitivisht për punën e palodhur të njerëzve, për qëndresën e tyre, për vullnetin e tyre kokëfortë që të rrinë këtu e të luftojnë, për mikpritjen e emigrantëve, për historinë, kulturën, për frytet e tokës dhe rezultatet e jashtëzakonshme në bujqësi.

20 maj 2026, 10:00