Kërko

2026.03.12 Em.mo Card. Jean-Marc Aveline

Kard. Aveline: Papa në Francë një nxitje për Evropën, një puls për të ndërtuar paqen

Nga 25 deri më 28 shtator, Papa Leoni XIV do të jetë në Vendin e Oltralpe/ Përtej Alpeve. Në Francë. Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Franceze u tha mediave të Vatikanit: "Ka lulëzim të katekumenëve në Kishën tonë, por edhe shumë sfida për të cilat duhet të vazhdojmë të punojmë: nga kriza e abuzimit, e cila është kapërcyer, por ende ka disa pasoja, deri te çështja se si t`i rinojmë bashkësitë fshatarake. Vizita në UNESCO është e rëndësishme

R.SH. - Vatikan 

"Gëzim i madh" për Kishën, për Francën, për katolikët francezë, e edhe  inkurajim për një Kishë të përkushtuar për t'u përballur me sfida të shumta, të caktuara në disa raste ta kthejnë faqen në kohë të vështira, ndërsa në të tjera të shoqërojnë shenjat e para të ripërtëritjes, të dukshme në rritjen e katekumenëve dhe interesin në rritje për shtegtimet”. Kështu e priti Kryeipeshkvi i Marsejës dhe Kreu i Ipeshkvijve të Francës nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, shtegtimin apostolik të Leonit XIV në Francë nga 25 deri më 28 shtator. Gjatë shtegtimit në Lourdes me dioqezën e tij të Marsejës, Kardinali Jean-Marc Aveline theksoi rëndësinë e vizitës papnore.

Shkëlqesi, si e mirëprisni njoftimin e këtij udhëtimi të Papës, të cilin e keni shpresuar prej kohësh?

E mirëpres këtë njoftim me shumë gëzim. E shpresonim, e prisnim, siç e kam thënë tashmë. Që nga emërimi i tij, shkëmbyem mendime për një vizitë në Francë. Munda të shoh se sa thellë ishte i përkushtuar ai vetë ndaj këtij projekti. Nuk e humbi kurrë një mundësi për të dërguar mesazhe të vogla inkurajimi te priftërinjtë ose gjatë ngjarjeve të veçanta. Mund të them, pasi kam punuar me të disa herë mbi këtë temë, se ka interes dhe lidhje të vërtetë me vendin tonë, me atë që përfaqëson, me historinë e tij, me mënyrën se si ka ushtruar ndikimin e tij në Kishë, në të gjithë botën, përmes figurave të shkëlqyera të shenjtërisë. Në të njëjtën kohë, ekzistojnë sfidat me të cilat përballet Kisha në Francë sot, sfida që janë të përbashkëta edhe për vendet e tjera, sigurisht, por me disa veçori. Mendoj se ky është lajm i shkëlqyer, jo vetëm për Kishën në Francë, por edhe për mbarë vendin tonë.

Më 28 marsin e kaluar, Leoni XIV ishte në Monako. Pamë se francezët e ndoqën këtë udhëtim me shumë interes. Ju vetë bashkëfestuat në stadiumin Louis II. Çfarë presin katolikët në Francë nga një vizitë e Papës Leoni XIV?

Katolikët presin një vizitë nga Papa - qenë dyndur në Marsejë, Korsikë dhe pastaj në Monako - sepse Kisha në Francë po përjeton realitete shumë kontrastuese, por të bukura, me një numër në rritje të të rinjve që zbulojnë Krishtin dhe i kërkojnë Kishës Pagëzimin ose Krezmimin. Në këtë çast jam në Lourdes me 1,500 shtegtarë nga dioqeza e Marsejës, e ndërmjet tyre ka shumë të rinj, të rritur e të rinj që e zbuluan Krishtin dhe për të cilët ky është shtegtimi i tyre i parë. Personalisht jam i prekur kur i shoh këto gjëra të jashtëzakonshme, të cilat kërkojnë që Kisha në Francë të organizohet mirë për t'u përballur me sfidën. Këshilli Provincial i Ile-de-France, të cilin shpresoj se Papa do ta takojë, është pjesë e iniciativave që po përpiqemi të ndërmarrim pikërisht për t'iu përgjigjur kësaj sfide. Është çështje formimi dhe shoqërimi. Ndërmjet këtyre aspekteve shumë pozitive, vërejmë edhe rigjallërimin e shtegtimeve e rëndësinë e kishave mariane të vendit tonë. Ka edhe aspekte më delikate. Për shembull, shoh komunitete mjaft të moshuara në zonat rurale. Kisha e Francës po përballet gjithashtu me këtë situatë. Përjetuam edhe krizën e abuzimit, përfshirë abuzimin seksual në Kishë. E kemi kapërcyer atë, por nuk ka mbaruar; ka ende shumë punë për të bërë, shumë respekt për të shprehur. Papa është shumë i vetëdijshëm për të gjitha këto. Prandaj vjen për të na dëgjuar, për të na inkurajuar e madje, edhe për të na dhënë një udhërrëfyes në mënyrë që të mund të vazhdojmë misionin tonë në bashkim me Kishën universale. E gjithë kjo është shumë e rëndësishme dhe mendoj se katër muaj, duke nisur që tani e deri në fund të shtatorit, nuk janë shumë kohë për të përgatitur këtë vizitë.

Selia e Shenjtë ende nuk e ka publikuar programin për këtë vizitë. Megjithatë, në një deklaratë të mëparshme, Kisha e Francës deklaroi se e pret Papën si në Paris ashtu edhe në Lourdes...

Po, kjo është ajo që mendojnë njerëzit. Është shumë e rëndësishme që Papa të jetë në Paris. Ai do të vizitojë edhe selinë e UNESCO-s dhe pritet të udhëtojë për në Lourdes, ndalesë tjetër e rëndësishme. Ka mbetur edhe pak kohë në axhendën e tij dhe do të shohim se si mund të organizohen gjërat. Vizitat paraprake do të zhvillohen së shpejti. Ato do të na lejojnë të hedhim më shumë dritë mbi mundësinë e takimeve të mëtejshme. Të mos harrojmë se ky udhëtim është shumë i shkurtër. Papa padyshim do të ketë mundësi të tjera për të vizituar Francën më vonë, Zoti i dhuroftë jetë e shëndet.

Prandaj, është planifikuar një fjalim në selinë e UNESCO-s, Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Gjatë vitit të parë të papnisë, Leoni XIV foli vazhdimisht për këto çështje, duke evokuar natyrën themelore të arsimit, plotësueshmërinë midis shkencës dhe besimit dhe duke paraqitur kulturën si një urë drejt vëllazërisë dhe paqes.

Ky takim i planifikuar në UNESCO pasqyron tema të rëndësishme dhe të ndërthurura për Kishën. Për shembull, mbi marrëdhënien ndërmjet besimit dhe arsyes, Papa Benedikti XVI na inkurajoi fuqimisht të punonim mbi të gjatë një udhëtimi në Francë (nga 12 deri më 15 shtator 2008, red.). Dhe pastaj është Doktrina Sociale e Kishës, e cila përfshin gjithashtu efektivitetin e besimit të krishterë, mënyrën se si shprehet konkretisht në jetë... UNESCO është gjithashtu arsim. Kisha e Francës ka vendosur t'i kushtojë tre vjet temës së arsimit sepse ka të bëjë me shumë aspekte, veçanërisht me familjet. Është një temë shumë e rëndësishme jo vetëm për Kishën, por edhe për shoqërinë franceze. Qasja që kemi ndjekur - dhe pata mundësinë t'ia shpjegoja të gjitha këto Papës - konsiston në shqyrtimin e thesareve të Kishës, veçanërisht përmes kongregacioneve të saj të shumta edukative, si Don Bosco dhe të tjerë, që duhet t'i ndajmë; dhe pastaj duhet të rivlerësojmë edhe atë që kemi bërë me këto njohuri, gjërat që ende duhet të përmirësojmë. Kemi shumë punë për të bërë. Synojmë t'u ofrojmë edhe palëve të tjera të interesuara në botën e arsimit, të cilët nuk e ndajnë besimin e krishterë, mundësinë për t'u ulur në të njëjtën tryezë dhe për të diskutuar sfidat me të cilat përballet bota e arsimit sot. UNESCO, e cila bashkon shkencën, kulturën dhe arsimin brenda një institucioni ndërkombëtar, përfaqëson një hap shumë të rëndësishëm në një kohë kur elementët e së drejtës ndërkombëtare kanë nevojë për riafirmim.

Për Leonin, kjo vizitë në Francë përfaqëson udhëtimin e tij të pestë apostolik, tashmë të tretin në Evropë. Evropa po përjeton një periudhë të trazuar, ndoshta edhe një pikë kthese në historinë e saj, e dukshme në fragmentimin kompleks të botës dhe përhapjen e luftërave. A pritet Leoni XIV në Evropë?

 Do ta dëgjojmë atë, që ka për t'i thënë Evropës. Udhëtim në një vend është njëkohësisht mesazh nga Papa për Kishën dhe popullin e atij vendi, por është edhe mesazh i drejtuar Kishës universale dhe burrave e grave me vullnet të mirë në të gjithë botën. Në këtë vend, ne jemi prekur nga luftërat në Evropë, e jemi prekur edhe nga fuqia e pabesueshme e pajtimit si mjet paqeje, pas dëmeve të shumta shkaktuar nga luftërat e njëpasnjëshme. Kjo situatë që ndodhi në Evropë në shekullin e 20-të, me mizoritë më të tmerrshme të imagjinueshme, nuk e pengoi procesin e pajtimit të zhvillohej deri në atë pikë, sa të bëhej baza e një projekti ekonomik dhe politik të udhëhequr nga burra që, ndër të tjera, ishin të krishterë, si Alcide De Gasperi, Konrad Adenauer dhe Robert Schuman për Francën, ndërmjet të tjerëve. Por intuita e krishterë lejoi që pajtimi ndërmjet popujve vazhdimisht në luftë, të ishte gjithashtu katalizatori për ndërtimin e një projekti politik, edhe nëse projekti politik nuk i përgjigjet gjithmonë intuitës që e çoi përpara, që e lindi. Mendoj se është e rëndësishme sot, duke pasur parasysh kontekstin në të cilin ndodhemi - e Papa e ka theksuar mjaftueshëm këtë - të punojmë për paqen, të shfrytëzojmë këtë përvojë evropiane, jo unike, por domethënëse mjaftueshëm, për të rritur rëndësinë e dëshmisë së Evropës dhe fuqinë e pajtimit për ndërtimin e paqes në botë.

16 maj 2026, 17:31