Kërko

2023.08.13 XIV Assemblea generale della HOAC, movimento lavoratori della Azione Catolica

Çelësi i fjalëve të Kishës: shërbimi i laikëve në ekonomi

Shërbimi i besimtarëve laikë në ekonomi shprehet nëpërmjet punës së tyre "në botë". Të thirrur për të dëshmuar Ungjillin me jetën e përditshme, laikët i transformojnë realitetet tokësore nëpërmjet profesionit të tyre, nëpërmjet angazhimit shoqëror dhe administrimit etik të pasurisë së përbashkët, duke nxitur drejtësinë dhe duke u kujdesur për destinacionin universal të të mirave

R.SH. – Vatikan

Në vazhdën e emisioneve tona kushtuar Doktrinës Shoqërore të Kishës, sot, përqendrohemi në shërbimin e laikëve në ekonomi, pasi kemi folur për rolin e tyre në jetën shoqërore, në të mirë të njerëzve e në kulturë.

Destinacioni universal i të mirave materiale dhe koherenca e jetës

 Impenjimi ekonomik i laikëve nuk është një veprimtari dytësore, por thirrje e vërtetë. Magjisteri papnor, veçanërisht në Nxitjen Apostolike “Christifideles Laici”, thekson se si shërbimi në favor të shoqërisë realizohet kryesisht përmes organizimit të punës dhe administrimit ekonomik. Gur themelor i këtij aktiviteti është së pari, destinacioni universal i të mirave materiale. Sipas këtij parimi, frytet e tokës e të punës duhet të jenë në dispozicion të të gjithëve, në mënyrë të barabartë. Së dyti, koherenca e jetës. Për laikun, që frekuenton Kishën, feja nuk mund të ndahet nga jeta profesionale, ekonomike e shoqërore.

Përpara ndërlikimeve të kuadrit ekonomik bashkëkohor, besimtari laik drejtohet në veprimin e vet nga parimet e Magjisterit shoqëror. Është e nevojshme që këto parime të njihen dhe të pranohen në vetë veprimtarinë ekonomike: kur këto parime nuk zbatohen - i pari ndër të gjithë, centraliteti i personit njerëzor - vihet në rrezik cilësia e veprimtarisë ekonomike, siç sqaron në një notë të 24 nëntorit 2002, Kongregata e atëhershme për Doktrinën e Fesë.

Shoshitja e modeleve të sotme të zhvillimit ekonomiko-shoqëror

I krishteri duhet të impenjohet edhe në një përpjekje reflektimi kulturor, që synon para së gjithash shoshitjen e modeleve të sotme të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, për të zgjedhur më të përshtatshmin për Doktrinën Shoqërore të Kishës. Kjo, për të shmangur shndërrimin e çështjes së zhvillimit njerëzor në një problem ekskluzivisht teknik, gjë që do ta boshatiste nga përmbajtja e vërtetë, e cila ka të bëjë sidomos me “dinjitetin e njeriut dhe të popujve” (Gjon Pali II, enc. Sollicitudo rei socialis, 41).

Lëvruesit e shkencave ekonomike, operatorët e sektorit dhe përgjegjësit politikë duhet ta ndiejnë urgjencën e rimendimit të ekonomisë, duke marrë parasysh, nga njëra anë, varfërinë dramatike materiale të miliarda njerëzve dhe, nga ana tjetër, faktin se “strukturat e sotme ekonomike, shoqërore dhe kulturore e kanë të vështirë të marrin përsipër kërkesat e një zhvillimi autentik” (Gjon Pali II, Mesazh për Ditën Botërore të Paqes 2000, 14). Kërkesat e ligjshme të rendimentit ekonomik duhet të harmonizohen më mirë me ato të pjesëmarrjes politike dhe të drejtësisë shoqërore. Konkretisht, kjo do të thotë t’i endësh me solidaritet rrjetat e ndërvarësisë ekonomike, politike dhe shoqërore, që proceset e globalizimit priren t’i shtojnë, siç sqaronte Papa shenjt Gjon Pali II, në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2000 (17). Në këtë përpjekje rimendimi, që nuk është e lehtë e has plot pengesa, por që ndikon fuqishëm mbi konceptimin e realitetit ekonomik, bashkimet me frymëzim të krishterë, si shoqatat e punëtorëve, të sipërmarrësve dhe të ekonomistëve, që veprojnë në sferën ekonomike, rezultojnë tejet të çmueshme.

E ardhmja e ekonomisë: Ekonomia e Franceskut

Papa Françesku i ka dhënë një shtysë të fortë këtij shërbimi me iniciativën globale "Ekonomia e Franceskut", e cila u bën thirrje ekonomistëve të rinj, sipërmarrësve dhe veprimtarëve, që punojnë për ndryshimin në të gjithë botën, të ndërtojnë një ekonomi më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme. Kjo lëvizje përqendrohet në: luftën kundër pabarazive ekonomike dhe kulturës së përjashtimit, si edhe në lidhjen e ekonomisë me kujdesin për shtëpinë tonë të përbashkët dhe me respektin për Krijimin e Zotit.

Administrimi i trashëgimisë së Kishës

Brenda bashkësisë, laikët ofrojnë kontributin e tyre profesional dhe të bazuar në fe në administrimin e pasurive të Kishës. Ky shërbim realizohet nëpërmjet Këshillave për Çështjet Ekonomike, së bashku me organe të tjera famullitare dhe dioqezane, në të cilat besimtarët laikë, duke ofruar përvojën e tyre teknike, mbështesin famullitarët dhe ipeshkvijtë në administrimin transparent të pasurive të Kishës. Administrimi i kujdesshëm dhe etik i burimeve materiale konsiderohet një vepër e vërtetë ungjillëzimi, me të cilën forcohet besueshmëria e Kishës brenda bashkësisë.

21 maj 2026, 09:25