Gjeorgji, Shio III është Katolikos-Patriark i Kishës ortodokse
R.SH. - Vatikan
Më pak se dy muaj pas vdekjes së Ilias II, më 17 mars, Sinodi i Kishës Ortodokse gjeorgjiane - mbledhur në katedralen e Trinisë Shenjte në Tbilisi - zgjodhi, më 11 maj, mitropolitin e Senakit dhe Chkhorotskut, Shio, si Katolikos/Patriark.
I lindur në Tbilisi 57 vjet më parë, Elizbar Teimuraz Mujiri (emri i tij i pagëzimit) ishte prej kohësh zëvendës i Selisë Patriarkale. Tani do të thirret me emrin Shio III, ndërsa do të marrë menjëherë edhe titujt Kryepeshkop i Mtskheta-Tbilisit dhe Mitropolit i Abkhazisë e Bichvintës. Në mbledhjen e Sinodit morën pjesë 1.200 delegatë nga mbarë Gjeorgjia. Ceremonia e kurorëzimit u zhvillua mëngjesin e së martës, në Katedralen e Svetitskhoveli.
Mesazh urimesh nga kardinali Koch
"Në vazhdën e trashëgimisë së lashtë dhe të ndritshme shpirtërore të Kishës Gjeorgjiane, të shndritur nga dëshmia dhe besnikëria e shumë shenjtorëve të saj - shkruan kardinali Kurt Koch, Prefekt i Dikasterit për Promovimin e Unitetit të Krishterë, në mesazhin e tij të urimeve - shërbesa juaj kontribuoftë në forcimin e lidhjeve të miqësisë së përzemërt dhe në vijimin e dialogut gjithnjë e më vëllazëror ndërmjet Kishave tona. Jam i sigurt se shërbimi juaj do t`i forcojë lidhjet e bamirësisë dhe të unitetit që, me anë të dhuratës së Shpirtit Shenjt, i bashkojnë vërtet, edhe nëse jo ende plotësisht, të gjithë besimtarët në Jezu Krishtin, në mënyrë që urdhërimi i Zotit "Duajeni njëri-tjetrin ashtu si ju desha unë”, të bëhet gjithnjë e më i dukshëm" (Gjn. 13:34). Kardinali Koch i priu delegacionit të Selisë së Shenjtë në funeralin e Ilias II, të kremtuar në Tbilis më 22 mars e të kryesuar nga Patriarku Ekumenik Bartolomeu.
Studime teologjike, por edhe violonçelist
Mujiri, i cili, ndërmjet studimeve të tjera, mori diplomën për violonçel nga Konservatori Shtetëror, u bë murg në vitin 1993 me emrin Shio. Më pas u shugurua diakon, ndërsa në vitin 1996, prift. Studimet teologjike i kreu në Moskë, për të shërbyer, më pas, abat në Tbilisi, pastaj ipeshkëv, kryeipeshkëv dhe metropolit (në vitin 2010).
Duke folur pak para zgjedhjes së tij, Shio III pohoi se, me ndihmën e Zotit, "Kisha Ortodokse Gjeorgjiane, gjithnjë bashkuese e kombit, mbrojtëse e fesë së vërtetë, gjuhës gjeorgjiane, traditave dhe kujtesës historike, do të vazhdojë të ecë në këtë rrugë".
Në mesazhin dërguar më 18 mars, drejtuar Locum Tenens Shio për ndarjen nga jeta të Ilisë II, Papa Leoni XIV shkroi se i lutej Zotit "t'i jepte dritë, gjykim e forcë, në mënyrë që të mund ta shoqërojë Kishën Ortodokse të Gjeorgjisë me të njëjtën bamirësi baritore, që e frymëzoi Patriarkun e ndjerë".