Ngjitja në Qiell dhe gjurma e fundme mbi tokë
R.SH. - Vatikan
Në artin e krishterë, Ngjitja në Qiell tregohet shpesh përmes një shikimi të vetëm. Veprat e Apostujve flasin vazhdimisht për sytë e lartuar drejt qiellit: "ndërsa po shikonin", "një re e largoi nga sytë e tyre", "atëhere pse qëndrojmë duke shikuar lart drejt qiellit?". Rrëfimi ndërton një skenë gjestesh, lëvizjesh dhe shikimesh të kthyera drejt reve. Apostujt ngrejnë kokat e e ndjekin me sy Krishtin që po largohet. Mbeten, kështu, të palëvizshëm, ndërsa një re e fsheh Jezusin nga pamja. Që nga figuret më të hershme të krishtera, Ngjitja në Qiell duket kështu edhe si problem figurativ: si ta përfaqësosh dikë në çastin kur zhduket?
Ikonografia më e hershme
Përshkrimet më të hershme kërkojnë përgjigje shumë konkrete. Në Katakombet e Shën Sebastianit, në një afresk nga gjysma e dytë e shekullit të 4-të, zbuluar në rajonin e ish-Vigna Chiaraviglio, një nga portretet më të vjetra të njohura të Ngjitjes në Qiell e tregon Krishtin ende të lidhur me tokën nga shtytja e fundit e trupit të tij. Njëra këmbë është e përkulur, tjetra duket se mbështetet ende mbi shkëmb, ndërsa dora e Zotit duket nga retë për ta mirëpritur.
Në ikonografitë më të hershme, ajo dorë pothuajse duket se e kap Krishtin dhe e tërheq drejt qiellit; në përshkrimet e mëvonshme, bëhet kryesisht gjest bekimi. Ikona ruan një ndjenjë pothuajse fizike lëvizjeje. Të duket sikur artisti të donte ta kapte çastin e saktë të shkëputjes. Në të dyja anët, apostujt hapin krahët në një gjest habie e hutimi. Skena është e thjeshtë, pa solemnitet ngadhënjyes, e pikërisht për këtë arsye duket jashtëzakonisht pranë rrëfimit në Veprat e Apostujve.
Këmbët dhe reja
Në pamjet e të Ngjiturit, lëvizja drejt qiellit shpesh ndodh përmes një hollësie të trupit: këmbëve. Sidomos në artin perëndimor, Ngjitja përshkruhet si lëvizje e vërtetë në hapësirë: trupi ngjitet, fiton vrull dhe lë gjurmët e kalimit të tij tokësor.
Në miniaturat mesjetare perëndimore, motivi duket veçanërisht i spikatur në rajonin anglez. Nel Mirrour of the blessed lyf of Jesu Christi (Në Pasqyrën e jetës së bekuar të Jezu Krishtit), në një dorëshkrim devotshmërie të shekullit të 15-të, që mbahet në Bibliotekën Morgan në Nju Jork, janë të dukshme vetëm këmbët e Krishtit në ngjitje, ndërsa pjesa tjetër e trupit është tashmë përtej resë. Një shembull i ngjashëm gjendet edhe në një psalter nga i njëjti koleksion, ku Krishti zhduket në retë, mbi Marinë dhe apostujt.
Këmbët bëhen pika e fundit e kontaktit me tokën, gjurma e fundit e pranisë fizike të të Ngjallurit, para se Krishti të zhduket nga sytë njerëzor. Është motiv ikonografik i lindur nga vetë konkretësia e historisë së Ungjillit. Pikturat kërkojnë të kapin çastin e tranzicionit, atë çast të pezulluar në të cilin e dukshmja hapet në diçka që nuk mund të përfaqësohet më plotësisht. Edhe Giotto, rreth vitit 1305, në skenën e Ngjitjes në Kapelën Scrovegni, e ndërton kompozimin rreth të njëjtit tension. Krishti tejkalon kufirin e sipërm të afreskut, duart e tij shtrihen pothuajse përtej kornizës; apostujt dhe Maria mbeten poshtë, me sytë e lartuar drejt qiellit. Askush nuk e shikon njëri-tjetrin. E gjithë skena është e orientuar drejt diçkaje që nuk është më e dukshme.
Nga rrëfimi, në lavdi
Edhe kur ikonografia pasurohet me engjëj, bajame të ndritshme dhe ushtri qiellore, i njëjti tension mbetet ndërmjet asaj që shihet - e asaj që fshihet nga pamja. Për më tepër, arti perëndimor shpesh e thekson natyrën fizike të ngjitjes në qiell: trupi fiton vrull, lë gjurmë e, gradualisht, zhduket. Në shekujt e hershëm të krishterë, Ngjitja në qiell e ruan ende dimensionin e një ngjarjeje narrative: Krishti përshkruhet në profil, në lëvizje, duke kaluar hapësirën dhe duke u shkëputur nga toka para syve të apostujve. Këto pamje ndikohen ende nga kultura figurative e Lashtësisë së Vonë dhe asaj Romake, mësuar të rrëfejnë veprime, gjeste dhe ngjarje në hapësirë reale.
Me konsolidimin e artit bizantin dhe reflektimin teologjik mbi transcendencën hyjnore, përfaqësimi ndryshon thellësisht. Një zgjidhje e ndryshme shfaqet që në shekullin e 6-të në Rabbula Tetraevangelium, ku Krishti ngjitet brenda një bajameje të ndritshme të mbështetur nga engjëj dhe dominon skenën frontalisht. Krishti shfaqet gjithnjë e më shumë frontalisht, i palëvizshëm, i mbyllur në lavdinë qiellore. Imazhi nuk kërkon më thjesht të rrëfejë një moment në kohë, por të bëjë të dukshëm një realitet të përjetshëm, jashtë dimensionit njerëzor dhe historik. Frontaliteti hieratik, simetria dhe qetësia e figurave i përkasin kësaj ideje të re të imazhit të shenjtë, të kuptuar si prania e hyjnores dhe jo si rrëfimi i një ngjarjeje.
Giotto, në Kapelën Scrovegni, i ruan të dyja këto përmasa. Ngjitja kthehet në lëvizje, në tension të lartë, me një vështrim njerëzor që ndjek Krishtin ndërsa Ai zhduket përtej skajit të afreskut. Në të njëjtën kohë, skena ruan solemnitetin teologjik dhe përmasën qiellore të zhvilluar në shekujt e mëparshëm.
Gjurmë në Malin e Ullinjve
Për këtë arsye, Ngjitja lë gjurmë të thella edhe në vendet e kujtesës së krishterë. Në Malin e Ullinjve, në vendin që tani zë Kapela e Ngjitjes, tradita ruajti për shekuj me radhë një gur të nderuar, si gjurma e këmbës së Krishtit. Dëshmitë e shtegtarëve ndërmjet shekujve 4 dhe 7 tashmë e kujtojnë këtë vend në ajër të hapur, të ndërtuar aty ku i Ngjalluri la gjurmën e fundit të shtegtimit të tij tokësor, përpara se të ngjitej në qiell.
Kujtesa e Ngjitjes në Qiell përqendrohet kështu në një shenjë minimale dhe reale: një gjurmë në shkëmb. Qielli mbetet i padukshëm, por toka ende ruan kontaktin e një këmbe. Këto përfytyrime të këmbëve që zhduken në re, duket se përcjellin të njëjtën ide: ndarja nuk e fshin plotësisht praninë, por lë gjurmë. Kështu, në miniaturat mesjetare, në afresket dhe në përkushtimin ndaj Malit të Ullinjve, “Ngjitja” ruan diçka thellësisht konkrete: një gjurmë, një fragment trupi, një shikim të kthyer drejt qiellit. Arti i krishterë është përpjekur të kapë çastin kur e dukshmja nis të zbehet.