Kërko

Një kishë që u sulmua në janar, në shtetin Kaduna, Nigeri. Një kishë që u sulmua në janar, në shtetin Kaduna, Nigeri.

Nigeri: lirohet Atë Nathaniel Asuwaye

Dioqeza e Kafanchan njofton lirimin e famullitarit të rrëmbyer më 7 shkurt bashkë me dhjetë besimtarë. Dy meshtarë tjerë gjenden ende në duart e rrëmbyesve të tyre, ndërsa dhuna dhe sulmet kundër bashkësive të krishtera në Nigerinë veriore vazhdojnë.

R.Sh. / Vatikan

Atë Nathaniel Asuwaye, meshtar katolik i rrëmbyer më 7 shkurt 2026, në shtetin Kaduna, në Nigerinë veriore, është liruar sot. Dioqeza e Kafanchan njoftoi lirimin në një deklaratë të bërë më 12 maj, duke shprehur "mirënjohje të thellë ndaj Zotit" për kthimin e famullitarit pas tre muajsh robërie. "Ati Nathaniel tani është i sigurtë dhe po i jepet ndihma e nevojshme. Gjendja e tij është e qëndrueshme, është me humor të mirë dhe ju falënderon për lutjet dhe mbështetjen tuaj", thuhet në deklaratën e nënshkruar nga sekretari i dioqezës, Atë Jacob Shanet.

Një nga zonat më të paqëndrueshme në vend

Meshtari i liruar është famullitar i Kishës së Trinisë së Shenjtë në Karku, në zonën Kaura, një nga zonat më të paqëndrueshme të shtetit Kaduna [Nigeria është shtet federal, R.SH.] një zonë ku ka pasur shpesh sulme të armatosura, rrëmbime dhe dhunë kundër civilëve dhe bashkësive fetare. Atë Asuwaye u rrëmbye në orët e para të 7 shkurtit nga një grup njerëzish të armatosur që sulmuan qelën e famullisë, duke rrëmbyer gjithashtu dhjetë besimtarë. Gjatë sulmit, të paktën tre persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën.

Fuqia e lutjes

Dioqeza kujtoi periudhën e gjatë të lutjes me ngulmim për lirimin e priftit. "Në fund të prillit, ne ia kushtuam muajin maj lutjeve të pandërprera gjatë devocioneve tona vjetore dhe veçanërisht gjatë Meshës së Shenjtë", thuhet në deklaratë. "Zoti, i cili nuk i braktis ata që mbajnë emrin e tij dhe e thërrasin, i dëgjoi lutjet tona dhe siguroi kthimin e Atë Nathanielit."

Megjithatë, fati i dhjetë personave që u rrëmbyen bashkë me priftin nuk dihet dhe nuk është dhënë asnjë informacion zyrtar.

Pasiguria e të krishterëve

Me lirimin e Atë Asuwaye, të paktën dy priftërinj të tjerë katolikë mbeten në duart e rrëmbyesve të tyre: Atë Joseph Igweagu, i dioqezës së Agulerit në shtetin Anambra, i rrëmbyer më 12 tetor 2022, dhe Atë Emmanuel Ezema, i dioqezës së Zaria në shtetin Kaduna, i rrëmbyer më 2 dhjetor 2025.

Vitet e fundit, Nigeria veriore ka parë një përshkallëzim në rritje të dhunës së bandave kriminale dhe grupeve të armatosura, përgjegjëse për rrëmbime njerëzish për  të cilët kërkohet shpagim dhe sulme kundër fshatrave, objekteve të kultit dhe meshtarëve.

Dioqezat vendase vazhdojnë të denoncojnë këtë gjendje pasigurie, e cila prek veçanërisht meshtarët dhe besimtarët e krishterë.

14 maj 2026, 13:55