Kërko

"Rrëshajët", në mozaikun e Kapelës "Nëna e Shëlbuesit" , në Vatikan "Rrëshajët", në mozaikun e Kapelës "Nëna e Shëlbuesit" , në Vatikan

Rrëshajët, festa e kthimit të unitetit

Pesëdhjetë ditë pas Pashkëve, kremtohet solemniteti i Rrëshajëve, një nga festat më të lashta të krishterimit: është kremtim i kthimit të unitetit, dhuratë e Shpirtit Shenjt, pas pështjellimit të gjuhëve e të popujve në Babel. Kur flisnin, por nuk merreshin vesh!

R: SH. - Vatikan

“Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend.  Dhe, ja, papritmas, u dëgjua një ushtimë nga qielli, si shungullimë e fortë ere, që e mbushi të gjithë shtëpinë, ku qenë mbledhur. Atëherë iu dukën gjuhë, si të ishin gjuhë flakësh. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. 4 Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin” (At 2, 1-4).

Ta kremtosh ditën e Rrëshajëve, do të thotë ta jetosh përsëri dhuratën e Shpirtit Shenjt. Atij, që e ka shenjtërinë në vetvete, nuk e merr përmes hirit - si të krishterët - për të cilët është gati-gati, si krijim i ri! Është edhe dita e lindjes së Kishës dhe e jetës sonë në Krishtin. Ditë Shenjte, në të cilën populli i Zotit rigjen unitetin. Çka Shpirti Shenjt na bën ta kapërcejmë, nuk është  larmia, e cila mund të jetë edhe pasuri, por përçarja, që nganjëherë mund të jetë edhe pasojë e larmisë. Festa e Rrëshajëve, është një nga më të lashtat e kalendarit të krishterë.

Rrëshajët dhe Të Ngjiturit e Zotit në Qiell

Që në gjysmën e dytë të shekullit III, Tertuliani e Origjeni nisin të na flasin për Rrëshajët, si për një festë që ndjek atë të Të të Ngjiturit të Krishtit në Qiell  dhe vërteton premtimin,  që pati bërë Krishti pikërisht me këtë rast: me ardhjen e Shpirtit Shenjt, Jezusi pohon se do të jetë gjithnjë pranë dishepujve dhe mbarë popullit të të pagëzuarve. Dhurata e Shpirtit Shenjt është, prandaj, dhuratë e jetës së Krishtit, që u jepet besimtarëve përmes sakramenteve: nuk është rastësi që, posaçërisht në liturgjitë lindore, lartohet lutja drejtuar Shpirtit Shenjt në bekimin e ujit, të bukës, të verës e të vajrave të përdorura gjatë liturgjisë sakramentore. Në shekullin IV Rrëshajët - siç na e kujton shtegtarja Egeria - kremtoheshin çdo vit në Jeruzalem dhe propozonin përtëritjen, që sillte Shpirti Shenjt në zemrat njerëzore. Në disa liturgji, Rrëshajët lidhen ngushtë me Të Ngjiturit e Krishtit në qiell: rikujtohet, me këtë rast, takimi mbi Malin e Ullinjve ku Jezusi, duke u ngjitur në të djathtën e Atit, në Qiell, dikon mbi botën dhuratën e Shpirtit Shenjt. Dhanti, e aftë për t’ua ndriçuar njerëzve jetën për t’ua hapur mendjen, për t’i bërë një Kishë e vetme!

Lindja e Kishës

Për hebrenjtë kremtimi i Rrëshajëve ishte festa e javëve: kremtim me origjinë bujqësore, në të cilin festoheshin frytet e para të të korrave e  prodhimi i vitit. Për të krishterët, është çasti kur Krishti, i rikthyer në lumninë e Atit, bëhet i pranishëm  përjetësisht në zemrën e njeriut, përmes Shpirtit Shenjt. Me Rrëshajët lind Kisha e nis misioni i saj ungjillëzues. Dhurata e Shpirtit Shenjt i përket mbarë Popullit të Zotit: e marrin të gjithë njerëzit. Prandaj Rrëshajët nuk janë vetëm festa e Shpirtit Shenjt, por e të gjitha gjërave që bën e që vepron Shpirti i Zotit në shpirtin e secilit prej nesh.

Simboli i zjarrit  

Në rrëfimin për ardhjen e Shpirtit, vendi ku qenë mbledhur dishepujt  krahasohet me barkën në mes të stuhisë, të cilën Zoti e bën të heshtë, duke dërguar gjuhët e flakëve, që nuk djegin, por vetëm shndrisin. Shndrisin mendjet. Dikojnë dritën e Zotit ndër zemra! Figura e zjarrit, me ngrohtësinë e tij,  simbol i veprimit të Shpirtit Shenjt, bëhet edhe simbol i realiteteve shpirtërore. Vepra hyjnore e Shpirtit Shenjt vepron përmes Eukaristisë; kush shujtohet me të, kërthëndezet prej saj, i falen mëkatet e fiton pavdekësinë e shpirtit! Në këndvështrimin simbolik, Shpirti Shenjt nuk paraqitet kurrë me pamje njerëzore, sepse ai nuk tregon fytyrën e vet, por atë të Krishtit. Prandaj simbolet, që na kujtojnë Shpirtin Shenjt, janë uji, era, zjarri, pëllumbi. Shpirti Shenjt është i pranishëm në gjithë historinë e shëlbimit: në krijimin e botës, në Lajmërimin e Virgjërës, e, në fund, në Rrëshajët.

Paraqitja ikonografike e Rrëshajëve

Në ikonat, që paraqesin çastin e Rrëshajëve, shikojmë apostujt e mbledhur si për të kremtuar liturgjinë, ulur mbi një bankë në formë gjysëmrrethi,  gjatë kumtimit të Fjalës: e kjo, sepse, duke u nisur që nga çasti, kur e morën Shpitin Shenjt në shpirtin e tyre, do të jenë ata, që do ta çojnë Fjalën kudo nëpër botë, me një gjuhë, më në fund, të kuptueshme nga të gjithë. Apostujt ndahen në dy pjesë, duke lënë në mes një fron bosh, simbol i ardhjes së dytë të Krishtit, në fundin e kohëve. Disa nga të Dymbëdhjetët kanë në dorë nga një libër, doktrinën; të tjerë, rrotullat e Shkrimit Shenjt, simbol i predikimit, që bazohet mbi doktrinën. Ndërmjet tyre dallohen menjëherë Pjetri e Pali; ungjilltarët Luka e Marku… E aty nuk janë  vetëm të Dymbëdhjetët! Është Kisha mbarë. Jemi edhe unë e ti!

Pra, si erë e furishme, që  ndryshon realitete e natyrë, Shpirti Shenjt është forcë hyjnore, që ia ndërron faqen botës, hyn në zemër të situatave dhe i shndërron, shndërron zemrat e shndërron ngjarjet. Është forcë qendërsynuese, që shtyn drejt brendësisë, drejt qendrës, sepse vepron në thellësi të zemrës, por edhe forcë centrifuge, që shtyn drejt jashtësisë, “drejt çdo periferie njerëzore,  drejt vëllezërve.

Prandaj t'i lutemi me fe e shpresë:

Lutje Shpirtit Shenjt

Eja, o Shpirt Ngushëllues,

ti e sheh hutimin tonë,

jetën tonë të trazuar e njeh

ndër rrugët e vështira të historisë,

ku shpesh na pret veç rrëzimi.

 

Po Ti je aty e i mbështet

ata që vuajnë për drejtësi,

ata që luftojnë për paqe.

 

Mos lejo që arroganca

e interesat e të fortëve

të fitojnë mbi vuajtjen e të varfërve

e mbi poshtërimin e të ligshtëve!

 

Eja, o Shpirt Ngushëllues:

Ti e njeh etjen tonë për dashuri

e për ngrohtësi njerëzore,

nevojën për ngushëllim.

Ti e njeh trishtimin e ankthin

që zemrat na i pushton.

 

Ndihmoi, o Shpirt i Zotit, të vetmuarit.,

brerë nga dëshpërimi,

e zgjo ndër zemra dëshirën

për të ndarë së bashku gaz e lot.

E sill mes nesh, ti Shpirt i Zotit

vetëm vëllazërim e pajtim

23 maj 2026, 19:28