Shugurimi meshtarak i Fra David Maria Grbeš, misionar
R.SH. / Vatikan
SHUGURIMI MESHTARAK I FRA DAVID MARIA GRBEŠ
Bashkësia e Etërve Karmelitan dhe Dioqeza e Sapës, përjetuan dhe gëzuan në Shugurimin Meshtarak të Fra David Maria Grbeš, misionar nga Kroacia, në vigjilje të festës së të Shëlbuemit, 16 maj 2026.
Të bashkuar në këtë ditë hiri dhe falenderimi ndaj Hyjit, ku Zoti e thërret dhe e shuguron Fra Davidin, në shërbesën meshtarake, të shumtë ishin besimtarët dhe familjarët e tij bashkë me një grup të famullisë ku është rritur nga Kroacia, që morën pjesë në këtë kremtim në Katedralen “Shën Tereza e Kalkutës”. Nderuan me praninë e tyre edhe Gjenerali i Etërve Karmelitan Atë Miguel Márkuez Calle dhe Vikari i Provincës Pader Rocco Visca, për të marrë pjesë në këtë kremtim solemn, përmes lutjes së Shugurimit Meshtarak dhe vendosjes së duarve të Shkëlqesisë së Tij, Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkoder –Pult.
Pas shpalljes së Ungjillit të ditës, në prani të popullit të Zotit, të rreth 50 meshtarëve nga dioqezat e Shqipërisë, motra të kongregatave të ndryshme, familjarët dhe miqtë e meshtarit të ri, dhe në praninë e Atë Mariano Tarantino, Administrator Dioqezan i Sapës, kandidati i përzgjedhur për shugurim, Fra Davidi është thirrur nga, Gjenerali i Etërve dhe duke iu afruar Ipeshkvit me nderimin e duhur, kandidati është përgjigjur me fjalët: Ja ku jam!
Fjalën e rastit e mbajti Imzot Giovanni Peragine duke thënë se: “Meshtari është një njeri “i marrë nga bota”, por jo “i botës”. Jeton mes njerëzve, ndan gëzimet dhe plagët e tyre, por i përket Hyjit në një mënyrë të veçantë. Shenjtërimi nuk e largon nga bota për ta izoluar, por e bën plotësisht të dhuruar: i lirë për Hyjin dhe, pikërisht për këtë, më i gatshëm për të tjerët.
Ndërsa shtoj, I dashur David, historia jote na tregon se Zoti është i durueshëm. Thirrja e tij nuk shuhet në vështirësi, në rënie apo në përvoja të vështira. Zoti të ka kërkuar, të ka pritur, të ka folur në shumë mënyra. Dhe ti, hap pas hapi, ke mësuar të besosh, të lësh veten të udhëhiqesh prej Tij. Ke dëshiruar të jesh meshtar edhe për t’i shërbyer kësaj toke, Shqipërisë, që e ke njohur dhe e ke dashur në përvojat baritore. Shpirtëria karmelitane të mëson pikërisht këtë: të kthehesh vazhdimisht në brendësi, në atë vend ku Hyji i flet zemrës”.
Pas këtij momenti Ipeshkvi vazhdoi me ritet e tjera të Shugurimit si marrjen e veshjes meshtarake, lyerjen krizmale dhe dorëzimin e bukës dhe të verës. Pikërisht në zemër të ritit të shugurimit meshtarak të zgjedhurit iu dha dhurata e Shpirtit Shenjtë për shërbimin e meshtarisë (presbiterit). Kështu Ipeshkvi, e pas tij të gjithë meshtarët bashkëkremtues, në lutje të heshtur, vendosen duart mbi kryet e të zgjedhurit si shenjë e pranimit në presbiter. Dhe menjëherë Ipeshkëvi shpalli mbi të zgjedhurin të gjunjëzuar përpara tij, lutjen solemne të shugurimit, me të cilën bekoi Hyjin Atë për dhuratën e “këtij bashkëpunëtori për ushtrimin e meshtarisë”, dhe kërkoi të përtërihet në të “dhënia e Shpirtit të Tij të shenjtërisë” që të plotësojnë me besnikëri shërbimin e tyre duke i drejtuar të gjithë, më së pari me shembullin e jetës.
Ndërsa në liturgjinë eukaristike që vazhdoi si zakonisht, i urdhëruari ushtroi për herë të parë ministerin e tij duke bashkëcelebruar me ipeshkvin dhe me gjymtyrë të tjera të meshtarisë. Me Urdhërin e Shenjtë, Fra Davidi tashmë filloi jetën e re meshtarake, dhe vetëm Hyji e mbush zemrën, se vetëm Ai është gëzimi i vërtetë. T’i kërkojmë Zotit që të jetë një meshtar sipas zemrës së Tij: i aftë të dëgjojë, të mirëpresë, të dhurohet; njeri i lutjes, i rrënjosur në Eukaristi dhe dëshmitar i besueshëm i gëzimit të Ungjillit.
Kush është Fra David Maria Grbes?
Fra David Maria Grbes ka lindur me 1 janar 1994 në Požega, Kroaci. Vjen nga një familje e madhe me tetë fëmijë dhe me Prindërit Ivo e Katica Grbes. U diplomua në Shkollën e Mesme Teknike Požega me një diplomë në inxhinieri elektrike në vitin 2012. Më pas filloi studimet universitare në energji elektrike në Osijek, por nuk i përfundoi ato, pasi në vitin 2013 pati përvojën e tij të parë me Karmelitanët në Itali. Në janar 2014, dhe hyri në Karmelin e Provincës si aspirant. Më 19 prill 2014, filloi postulandatin në Arcetri, Firence. Më 14 dhjetor 2015, filloi noviciatin në Montevirginio. Mori kushtet e para më 7 janar 2017, përsëri në Montevirginio, pas së cilës u transferua në Karmel në Pizë dhe më pas në Arcetri për të vazhduar formimin dhe studimet e tij.
Në vitin 2017, filloi studimet e filozofisë dhe teologjisë në Fakultetin Teologjik në Firence. Pas një viti përgatitor dhe dy vitesh studimesh, në shtator 2020 u transferua në Milano për të vazhduar më tej studimet. Më 2 dhjetor 2023, mori kushtet e përjetshme në Kuvendin Karmelitan në Nënshat- Shqipëri. Më 17 tetor 2025, u shugurua Diakon në Milano me vënien e duarve nga Imzot Saverio Cannistrà, Arqipeshkëv i Pizës. Në fillim të nëntorit 2025, u transferua në Shqipëri. U shugurua meshtar më 16 maj 2026, me vënien e duarve nga Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv i Shkodër-Pultit, në Katedralen kushtuar Nënë Terezës së Kalkutës në Vau-Dejës.
nga Vau-Dejës Violeta Marashi