Kërko

Në foto: Kujdestari i Tokës Shenjte Fra Francesco Ielpo gjatë një konference për shtyp. Në foto: Kujdestari i Tokës Shenjte Fra Francesco Ielpo gjatë një konference për shtyp.

Toka e Shenjtë: At Ielpo, "të qëndrojmë, duke mbjellë farën e një shprese"

Torino – "Ndoshta vepra më e madhe që mund të bëjmë është të qëndrojmë, duke mbjellë farën e një shprese më të madhe se vetja jonë." Kështu u shpreh fra Francesco Ielpo, Kujdestar i Tokës së Shenjtë, duke folur në takimin "'Roje, edhe sa ka mbetur nga nata?' – Paqja kjoftë në Tokën e Shenjtë!" në edicionin e 38-të të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Torino.

R.SH. / Vatikan

Në bisedë me gazetarin Nello Scavo dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit tjetër Andrea Avveduto, Fra Francesco Ielpo kujtoi se "Kustodia e Tokës Shenjte përfshin disa vende ku gjendja politike dhe fetare është krejt e ndryshme. “Tjetër gjë të jetosh në Bregun Perëndimor e tjetër është të jesh në Gaza ose Libanin e Jugut, apo Siri ose Qipro." "Sfida e madhe", shpjegoi ai, "është të jetosh dhe të dëshmosh një vëllazërim të mundshëm në një realitet kaq të ndërlikuar, të larmishëm dhe konfliktual."

Kur përzihen bashkë pasiguria, çoroditja dhe mungesa e shpresës", vazhdoi ai, "është diçka shumë destabilizuese. Kështu që në këtë gjendje, ne duam të përcjellim një ndjenjë afërsie". "Mua më pëlqen më shumë fjala 'atësi'". "Në Alepo ashtu si edhe në Jeruzalem, në Betlehem, në Jeriko, në Qipro apo në Aman, prania jonë dëshiron t'i bëjë njerëzit të ndiejnë se në ato vende gjendet dikush për të dëshmuar një dashuri më të madhe e se nuk bëhet fjalë për dorëzim". Kjo punë fillon me "ruajtjen e zemrave tona, të jetës sonë. Kjo zemër", nënvizoi Atë Ielpo, "nuk e lë veten të përdhoset nga urrejtja, hidhërimi ose, akoma më keq, viktimizimi, i cili me kalimin e kohës mund të të shndërrojë në kriminel". Kujdestari, në vijim, vërejti se "ka polarizim të madh edhe brenda vetë bashkësive. Njerëzit të pyesin 'në cilën anë je?' sepse – është përhapur arsyetimi se – 'nëse nuk je në anën time, je armiku im'".

Dhe "ta ruash zemrën e mos ta lësh të futet në këtë logjikë polarizuese është shumë e vështirë, kërkon kujdes të përditshëm". Në vijim Fra Ielpo sqaroi se meshtarët "nuk merren me politikë, dhe se ata shpallim Ungjillin". "Një slogan ose shprehja 'Ne jemi për paqen' nuk mjafton. Madje as deklaratat e kryetarëve të besimeve fetare nuk janë më të mjaftueshme", paralajmëroi ai. "Ne duam t'i tregojmë botës se falim, se nuk jemi të interesuar të përgjigjemi me të njëjtën gjuhë dhune dhe urrejtjeje". Dhe "nuk mjafton", sqaroi ai, "të na thuhet se do të garantohet një siguri më e madhe".

Kujdestari i Tokës së Shenjtë përfundoi duke folur për shpresën, e cila "ka të bëjë me mënyrën se si e vëzhgojmë realitetin". Për ta shpjeguar më mirë konceptin, ai solli një shembull: në disa takime vitet e fundit, u kishte treguar njerëzve një foto të bërë në Alepo të ndërtesave të shkatërruara dhe të djegura, por që ende kishin një ballkon të ndriçuar. "Shpresa", sqaroi ai, "është të shohësh pikën e vogël të bardhë në mes të gjithë atij shkatërrimi". Dhe, "nëse nuk hidhet një farë në të tashmen, atëherë shpresa është thjesht iluzion".

18 maj 2026, 11:52