Kërko

UKRAINE-RUSSIA-CONFLICT-WAR

Ukraina, nunci: sulme të rënda, të duket se lufta nuk ka fund

Kryeipeshkvi Kulbokas përshkruan dëmet e shkaktuara nga sulmet ajrore ruse ndërmjet 13 dhe 14 majit: "Pati bombardime të shumta. Disa diplomatë theksuan se po të vazhdojnë me intensitet të tillë, është shenjë e vullnetit për të vazhduar luftën". Prelati shqetësohet se edhe punonjësit humanitarë po sulmohen: "Po goditen qëllimisht, në mënyrë që popullsia të mos marrë ndihma"

R.SH. - Vatikan

Nunci në Ukrainë, kryeipeshkvi Visvaldas Kulbokas, përshkruan një skenar dramatik, pas atij që u përshkrua si sulmi më masiv i Rusisë, që nga fillimi i luftës, me një numër tragjik prej të paktën 24 të vdekurish dhe 48 të plagosurish vetëm në kryeqytet, duke përfshirë edhe fëmijë.

"Orët e fundit kanë qenë përsëri shumë të vështira për të gjithë vendin. Ndërmjet 13 dhe 14 majit pati bombardime të shumta" ̵ pohon prelati për mediat e Vatikanit, që folën me të mbrëmë, në telefon - "Autoritetet ukrainase numëruan mbi 1.500 dronë me rreze të gjata veprimi, që arritën deri në qytetet perëndimore Ivano-Frankivsk, Uzhhorod dhe të tjera. Pastaj, gjatë natës, Kievi u godit me dronë dhe me rreth gjashtëdhjetë raketa, kryesisht balistike", shpjegon imzot Kulbokas.

Sulmet kundër automjeteve humanitare janë shqetësuese

Nunci është "thellësisht i shqetësuar" për një automjet të Kombeve të Bashkuara, që i përkiste Zyrës për Koordinimin e Ndihmës Humanitare, i cili u godit në Kherson ndërsa shpërndante ndihmë humanitare, e edhe u sulmua. "Këto janë automjete të shënuara qartë, që lëvizin vetëm pasi të kenë informuar paraprakisht autoritetet ukrainase dhe ruse", thekson ai. "Është e qartë se këto janë sulme të qëllimshme dhe nuk është hera e parë, kështu që është shumë shqetësuese kur punonjës humanitarë të identifikuar qartë vihen në shënjestër qëllimisht, duke e privuar popullsinë nga ndihma".

Lagjet e prekura

Kryeipeshkvi raportoi edhe se "disa fragmente raketash ranë në Nunciaturë", por pa shkaktuar dëme të konsiderueshme në njerëz ose struktura: "Por raketat mbërrijnë me fragmente të vogla, dhe ne gjetëm disa nga këto fragmente edhe këtë mëngjes" - kujton.

Nunci, që po e mban gjithashtu rrjetin e tij të kontakteve, dje foli me Atin Rafail Stefurak, OSBM, famullitar i Shën Vasilit të Madh, kishë në Manastirin Bazilian në Kiev - rreth një kilometër e gjysmë nga Nunciatura - e cila ka qenë duke u riparuar për muaj të tërë. "Kohët e fundit çatia e kishës u riparua dhe u gjetën 57 vrima të bëra nga fragmente dronësh dhe raketash në muajt e fundit. Gati-gati po shembej nga uji.

Të lutemi për paqe

Situata në lagjet e bregut të majtë të lumit Dnjepër është padyshim krejt e keqe: "Më shumë se 16 të vdekur brenda një nate të vetme, disa qindra të plagosur, me pothuajse gjysmën e qytetit që mbeti përsëri pa ujë", raporton përfaqësuesi papnor. "Kur e diskutuam këtë situatë me disa diplomatë,  theksuan përshtypjen se po të vazhdojnë bombardimet me një intensitet të tillë, nuk është shenjë aspak e mirë. Përkundrazi, shpreh dëshirën për të vazhduar luftën.

"Sigurisht, nga ana jonë  - përfundoi nunci apostolik - nuk na mbetet gjë tjetër veçse të lutemi për paqen".

15 maj 2026, 15:46