Zbulimi i Anastasis, varri i zbrazët e kopshti në lulëzim
R.SH. / Vatikan
nga Atë Francesco Patton
"Tani, në vendin ku u kryqëzua kishte një kopsht, e në kopsht, një varr të ri, në të cilin askush ende nuk ishte varrosur. Prandaj, meqenëse ishte dita e Përgatitjes hebraike, e varri ishte afër, e vunë Jezusin atje" (Gjoni 19,41-42). Kështu tregon Shën Gjoni ungjilltar. Ndërsa në artikullin e mëparshëm u përqendruam te Golgota dhe kryqi, tani është koha ta zhvendosim vëmendjen tonë tek vendet e lidhura me varrimin, vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit Zot. Të zbresim, pra, nga Kalvari, drejt zonës së Rotondës, për të zbuluar vendet që përkujtojnë përgatitjet për varrimin e Krishtit dhe dukjet e para të Krishtit të ngjallur. Nuk është rastësi që ajo, të cilën ne latinët e quajmë Bazilika e Varrit të Shenjtë, të krishterët lindorë Anastasis, është vendi i ringjalljes. Nuk është mauzole i ngritur në kujtim të një njeriu të ndjerë, është varr bosh, më i rëndësishmi nga të gjithë pikërisht sepse nuk përmban më asnjë trup, dëshmi e qëndrueshme, që tregon se vdekja u mposht. Kjo, falë faktit se, siç shpjegon Shën Pjetri në Veprat 2:27, pas vdekjes dhe varrimit të tij, Jezusi: "nuk u braktis në Hades, as korpi i tij nuk u kalb" (krahaso Psalmet 15[16],10, të cilat Veprat e Apostujve i citon në versionin grek të LXX).
Kopshti i krijimit të ri
Për të kuptuar historinë e vendit, është e nevojshme të kthehemi te rrëfimi i Shën Gjonit Ungjilltar, i cituar në fillim të këtij artikulli. Arkeologjia konfirmon që zona, në shekullin e parë, pavarësisht se dikur ishte gurore, e përdorur pjesërisht për qëllime funerale, përmbante hapësira të gjelbra dhe kopshte perimesh. Prona ka të ngjarë t'i përkiste Jozefit të Arimatesë, anëtar me ndikim i Sinedrit e mjaft i pasur sa të zotëronte një varr me vlerë. Siç shkruan Ati Corbo: "Praktika e gërmimit të varreve familjare në kopshte perimesh ose në fshat, dëshmohet me bollëk në Palestinë, në kohën e Krishtit”. Prandaj, nuk është për t'u habitur të gjesh varre të tilla në kopshtin rrëzë Golgotës-Kalvarit, veçanërisht pasi gurorja, dikur e shndërruar në kopsht perimesh, kishte lënë mure të bukura guri të pastra në anët e saj, duke i ftuar pronarët t’i gërmonin atje varret. Faqja e mrekullueshme e Gjonit (20,11-18) e përshkruan këtë kopsht të rrethuar nga mure shkëmbore, rreth të cilave hapeshin varre të mbyllur nga mullinj të mëdhenj guri, të ngjashëm me ato të shtypëseve të ullinjve. Maria Magdalena, duke parë atje një njeri, e ngatërroi me kopshtarin, që nuk e njihte, ndërsa pronari i kopshtit ishte shumë i njohur për të! (V. Corbo, Il Santo Sepolcro di Gerusalemme, FPP, 1981, vëll. 1, f. 31). E profesoresha Stasolla, që drejtoi gërmimet e fundit arkeologjike, pohon: "Frekuentimi i mëvonshëm i zonës së gurores dokumentohet gjithashtu nga një zonë e kultivuar. Hapësira modeste të mbushura me dhe u mbyllën me mure guri të thatë. Këtu, analizat paleobotanike vëzhguan mbetje drithërash, rrushi, fiqsh dhe barërash. Prania e drurit të hardhisë është i vetmi rast në të gjitha kontekstet. Kjo këshillon, me kujdesin e duhur, mundësinë e përdorimit bujqësor. Analizat palinologjike dokumentuan gjithashtu mundësinë e kultivimit të ullinjve» (F. R. Stasolla et al., «Gërmime arkeologjike në Jerusalem, Varri i Shenjtë: një raport paraprak», Liber Annuus 72 [2022] 449-486, këtu f. 453 [përkthyer nga A. Coniglio]).
Ndryshe nga varret e zakonshme hebraike kochim (nike të gjata në të cilat trupi vendosej me kokën përpara), varri i Jozefit ishte “si banak”, modeli më i shtrenjtë, ku trupi vendosej paralel me murin. Siç sugjeron Atë Corbo në studimin e tij monumental: “Varri i Krishtit përbëhej nga tre elementë: fasada, holli dhe dhoma e varrimit”.
Fasada me pamje nga kopshti, ishte shumë e thjeshtë dhe përbëhej nga një mur vertikal shkëmbor, në rrëzë të të cilit, në nivelin e tokës, ishte një derë e vogël e cila, në rastin tonë, mbyllej nga një gur mulliri, i vendosur kundër një kanali të veçantë rrëshqitës […]
Holli i Varrit: Në përgjithësi ishte katror me një pus të vogël në qendër, për të krijuar një lloj stoli ose ulëseje që përdorej në të katër anët. […] Dhoma e varrimit: Ishte menduar për të pritur trupin. Në Varrin e Krishtit kishte vetëm një vend, i përbërë nga një stol ose shtrat funerar i mbrojtur sipër nga një arcosolium. Stoli ishte në anën veriore, në të djathtë, kur dikush hynte. Në anën jugore të stolit ishte një hapësirë aq e gjatë dhe e lartë, sa lartësia e arcosoliumit (V. Corbo, op. cit, f. 31-32).
Prandaj, kopshti nuk ishte kornizë bukolike sipas rrëfimit të Gjonit Ungjilltar, por dëshmi okulare e dëshmitarëve të atyre, që e panë vendin e varrimit të Jezusit, morën pjesë në varrim, dëshmuan "boshllëkun" e lënë nga Ngjallja dhe dëgjuan dëshminë e njeriut të parë që e takoi pas ringjalljes së tij, duke e ngatërruar me kopshtarin. Kopshti, në mënyrën e vet, është një element që dëshmon për vërtetësinë e rrëfimit të ngjarjes së Pashkëve.
Guri i vajosjes
Duke lëvizur nga zemra e bazilikës drejt hyrjes së saj, sapo kalojmë pragun, hasim Gurin e Vajosjes. Edhe pse pllaka e sotme e mermerit të kuq daton që nga restaurimi, pas zjarrit të vitit 1808, vendi që shënon është plot kuptim, mbasi rrëfen aktin e mëshirës të kryer nga Jozefi i Arimatesë me ndihmën e Nikodemit (shih Gjoni 19:38-42). Këtu, sipas traditës, trupi i Jezusit u vendos pasi u zbrit nga kryqi për t'u përgatitur me vajra aromatikë dhe pëlhura liri. Gjoni sqaron edhe se Jozefi nga Arimatea e Nikodemi "e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën me pëlhura liri me erëza, siç është zakon i Judenjve për varrim" (Gjn 19,40). Marku vëren se Jozefi nga Arimatea, "anëtar i respektuar i këshillit, i cili vetë po priste mbretërinë e Perëndisë, mori guximin, shkoi te Pilati dhe e kërkoi trupin e Jezusit" (Marku 15:43). E shton se, pasi mori leje nga Pilati për të hequr trupin e Jezusit: "Bleu një pëlhurë liri, e mori Jezusin nga toka, e mbështolli me pëlhurë liri dhe e vendosi në një varr që ishte hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur në hyrje të varrit" (Marku 15:46). Së fundmi, ai vëren se "Maria Magdalenë dhe Maria, nëna e Jozefit, po shikonin se ku ishte varrosur" (Marku 15,:47).
Marku dhe Gjoni theksojnë se ky operacion zhvillohet gjatë Parashevës, pragut të Sabatit, kur është e nevojshme të pezullohen të gjitha aktivitetet në perëndim të diellit, për të respektuar pushimin e së Shtundes. Prandaj, ishte e nevojshme të përfundonte sa më shpejt varrimi. Guri i vajosjes, kështu, na kujton kalimin nga vdekja në kryq, gjë që ndodhi në një hapësirë publike, në heshtjen private të varrit. Parfumi i nardit, të cilin komunitetet fetare të pranishme brenda Varrit të Shenjtë ende sot e derdhin mbi gur, të kujton homazhet e Jozefit të Arimatesë dhe Nikodemit mbi trupin e torturuar të Jezusit, përpara se të hiqej nga sytë e botës, për t'u dorëzuar në heshtjen e varrit, duke pritur agimin e ringjalljes.
Edikula, zemra e Anastasis
Zemra e Bazilikës së Varrit të Shenjtë është Edikula, që përmban varrin e Jezusit, e vendosur nën kupolën imponuese të Rotondës. Historia arkitekturore e këtij "tempulli" është shumplanëshe. Ne kemi parë tashmë se si dukej varri origjinal i Jozefit të Arimatesë. Në gjysmën e parë të shekullit të 2-të, Perandori Adrian, duke mbivendosur kultin e Jupiterit dhe të Venusit, u përpoq të fshinte kujtesën e tij dhe të zhdukte adhurimin e krishterë. Arkitektët e Kostandinit, në shekullin e 4-të, izoluan dhomën e varrimit të gdhendur në shkëmb, duke eliminuar të gjithë gurin gëlqeror përreth për të krijuar një monument të veçantë. Kështu, Aedikula u pasurua më tej nga një kurorë kolonash, strukturë që bizantinët e quanin Anastasis, që do të thotë Ringjallje.
Në vitin 614 pas Krishtit, gjatë pushtimit të udhëhequr nga Mbreti Khosrau II dhe gjenerali i tij Shahrbaraz, trupat persiane (të mbështetura nga ndihmësit vendas) pushtuan qytetin, e Bazilikës kostantiniane të Varrit të Shenjtë iu vu zjarri. Çatia prej druri u dogj. Relikja e Kryqit të Vërtetë u shkatërrua plotësisht dhe shumë struktura mermeri u dëmtuan rëndë. Relikja e Kryqit të Vërtetë u çua në Persi si trofe lufte. Pavarësisht shkatërrimit të bazilikës së sipërme (Martiriumit), vetë Edikula nuk u shkatërrua plotësisht. Disa vjet më vonë (ka mosmarrëveshje të konsiderueshme ndërmjet autorëve për datat e sakta), vikari i patriarkut, Modesti filloi rindërtimin, duke i lejuar shtegtarët të vazhdonin ta vizitonin vendin. Në vitin 629 pas Krishtit, perandori bizantin Herakli, i mundi përfundimisht persët dhe solli triumfalisht Kryqin e Vërtetë, përsëri në Jerusalem, duke hyrë në qytet i zbathur si shenjë përvujtërie. Në vitin 638 pas Krishtit, kalifi Omar ibn al-Khattab hyri në Jerusalem dhe u prit në Varrin e Shenjtë nga Patriarku Sofroni.
Më pas, në vitin 1009, kalifi "i çmendur" Fatimid, Al-Hakim, urdhëroi shkatërrimin e plotë të Varrit. Kronistët bashkëkohorë tregojnë se emisarët e tij u përpoqën ta shembnin shkëmbin me kazma. Ndërmjet viteve 1042 dhe 1048, restaurimi u realizua nga Perandori Bizantin Konstandin IX Monomaku. Pasi Kryqtarët hynë në Jerusalem më 15 korrik 1099, filloi një seri e re punimesh restauruese, të cilat pjesërisht ruajtën, e pjesërisht ndryshuan rregullimin e mëparshëm të hartuar nga Monomaku (informacioni i dhënë nga V. Corbo, op. cit., f. 33-37; 39; 139-140; 183-184, dhe teza e doktoraturës e mbrojtur në PUG nga N. Klimas, Rëndësia Historike e Nderimit të Varrit të Shenjtë në Mijëvjeçarin e Parë të Historisë së Kishës: Një Hetim mbi Historiografinë dhe Monumentet, Kapitulli IV - janë të vlefshme gjatë gjithë kësaj periudhe).
Puna e restaurimit e kryer në vitin 2012 nga Politekniku i Athinës, zbuloi një fakt të habitshëm: nën mbulesat prej mermeri të shekullit të 19-të, sipërfaqja origjinale shkëmbore e stolit prej guri është ende e pranishme në pjesën më të madhe të lartësisë së saj. "Fragmenti" i shkëmbit që strehonte trupin e Krishtit i bëri ball shekujve dhe shkatërrimit, duke vërtetuar se vendi që nderohet sot është i njëjti me të identifikuarin nga bashkësitë e para të krishtera. Varri nuk është thjesht “bosh”, por është dëshmi e heshtur e Ngjalljes së Jezusit (shih H. Fürst – G. Geiger, op. cit., f. 455-456/1021).
Kapelat kushtuar takimeve të të Ngjallurit: Maria Nëna dhe Maria Magdalena
Duke lëvizur në veri të Edikulës, hyjmë në zonën e dukjeve, hapësirë e rëndësishme për shtegtarët dhe liturgjinë françeskane, kremtuar çdo ditë në 14 stacione brenda Bazilikës që para vitit 1336 (shih S. Milovitch, I përditshëm që para vitit 1336: Procesioni që feston Vdekjen dhe Ngjalljen e Zotit në Bazilikën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem, ETS, 2014). Hasim dy kapela, njëra kushtuar për dukjen e Marisë Magdalenë, e cila u regjistrua në Ungjijtë (shih Gjoni 20:1-10), dhe tjetra, për takimin me Marinë, Nënën e Jezusit, e cila gjendet në traditën apokrife. Në takimin ndërmjet Marisë Magdalenë dhe Jezusit, siç e kemi parë tashmë kur diskutojmë për guroren e shndërruar në kopsht, kemi keqkuptimin fillestar nga ana e Marisë, e cila e ngatërron Jezusin me kopshtarin dhe e njeh atë vetëm kur - pasi e pyet pse po qan - e thërret me emër: "Mari". Tradita e Jerusalemit na kujton gjithashtu për takimin e Jezusit me Marinë, Nënën e tij. Përmendet në Ungjillin apokrif të Gamalielit, pjesë e ciklit të teksteve apokrife të lidhura me Pilatin dhe traditën kopte dhe daton, në formën e tij të shkruar përfundimtare, në shekullin e 5-të-6-të pas Krishtit. Përshkruan takimin dhe dialogun ndërmjet Jezusit të ringjallur dhe nënës së tij:
"Unë jam Jezusi që ngushëllon trishtimin tuaj, jam Jezusi, për vdekjen e të cilit qatë; ai tani është gjallë! Unë jam Jezusi, për dashurinë e të cilit derdhët lot. Tani ai ju ngushëllon me ringjalljen e tij para gjithë të tjerëve. Askush nuk e ka marrë trupin tim, por unë jam ringjallur me vullnetin e Atit tim, e nënës sime" (L. Moraldi, Apokrifa e Dhiatës së Re, vëll. 1, f. 669-672). Kjo shfaqje e parë e nënës ishte dëshmuar tashmë nga Shën Ambrozi (shekulli i 4-të) e justifikohet nga fakti se Maria është e para që besoi dhe, për këtë arsye, edhe e para që e pa Birin e ringjallur (krh. Ambrosius, De Virginitate, në red. J.P. Migne, Patrologia Latina, vëll. 16, kolona 270).
Bano në Zotin, përgjithmonë
Udhëtimi brenda bazilikës është udhëtim besimi, udhëtim liturgjik e, gjithashtu, edhe udhëtim ekumenik.
Udhëtim besimi, sepse na çon të prekim me duart tona vendin ku u realizua shpengimi ynë nëpërmjet vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit.
Është udhëtim liturgjik, sepse brenda këtij Vendi Shenjt, ditë e natë, tri bashkësitë kryesore (katolike, greke dhe armene) kremtojnë Misterin e Pashkëve.
Kisha Katolike përfaqësohet këtu nga françeskanët e Kujdestarisë së Tokës Shenjte, duke filluar para vitit 1336 edhe me mandat papnor, që filloi më 21 nëntor 1342 (Klementi VI, Bula Papnore Gratias Agimus). Është një vend ekumenik sepse tri bashkësitë kryesore jo vetëm që alternohen në liturgjitë tipike të riteve të ndryshme (Kisha Ortodokse Kopte dhe Siriane bashkohen me to, në kohë më të shkurtra dhe në hapësira më të vogla), por për disa vjet kanë bashkëpunuar edhe në kujdesin për vendin më të shenjtë të të gjitha vendeve të krishtera. E bëjnë këtë duke pritur ditën kur do të jenë në gjendje - pikërisht në këtë vend - të thyejnë së bashku Bukën Eukaristike, të pinë së bashku nga Kupa e shëlbimit me të cilën të gjithë shpallin vdekjen e Zotit e shpallin ringjalljen, duke pritur ardhjen e Tij.