Çelësi i fjalëve të Kishës: Doktrina Shoqërore e Kishës dhe magjisteri i Papëve të fundit
R.SH. - Vatikan
Enciklika “Magnifica humanitas” e Papës Leoni XIV – vazhdimësi e Doktrinës Shoqërore të Kishës, së cilës ia kemi kushtuar emisonet e fundit – nuk ka dalë nga hiçi, por bazohet fuqimisht në reflektimin e mëparshëm të magjisterit papnor, që synon gjithnjë të japë qëndrimin e Kishës Katolike përballë sfidave të kohës.
Papa Gjon Pali II dhe Laborem exercens
Vërtet, kur filluam t’ju flasim për Doktrinën Shoqërore, përshkuam së bashku historikun e pasur të saj, duke filluar nga enciklika e Leonit XIII, nga i cili e mori emrin e, në një farë mënyre, edhe misionin, Papa aktual. Sot, do të përqendrohemi në magjisterin e fundit të Papëve, duke u nisur nga Shën Gjon Pali II, të cilit iu desh të reflektonte mbi gjendjen botërore në kryqëzimin mes krizës së sistemeve të mëdha ideologjike të shekullit XX dhe fillimit të globalizimit ekonomik. Në Enciklikën Laborem exercens, të shkruar në 90 vjetorin e botimit të Rerum novarum (enciklika e Leonit XIII), ai hap një rrugë të re reflektimi mbi punën. Paga e drejtë paraqitet si verifikim konkret i drejtësisë së tërë sistemit shoqëroro-ekonomik, sepse tregon nëse punëtori trajtohet si person apo thjesht si kosto prodhimi. Puna nuk është vetëm mjet për të siguruar të ardhura, por e mirë themelore për personin, parim i veprimtarisë ekonomike dhe çelës i gjithë çështjes shoqërore. Përmes saj, njeriu vë në lojë lirinë, krijimtarinë e vet dhe aftësinë për të bashkëpunuar, duke ndihmuar në zhvillimin kulturor dhe moral të shoqërisë. Dinjiteti i punëtorit, e drejta e tij për pagë të mjaftueshme dhe mundësitë e vërteta për të marrë pjesë në jetën shoqërore dalin në plan të parë.
Enciklika Sollicitudo rei socialis
Në 20-vjetorin e Populorum progressio, me Enciklikën Sollicitudo rei socialis, Gjon Pali II kthehet te plaga e nënzhvillimit dhe pranon dështimin e shumë përpjekjeve për të kapërcyer prapambetjen ekonomike të popujve të varfër. Ai denoncon gjithashtu mekanizma ekonomikë, financiarë dhe tregtarë që, të drejtuar nga vendet më të forta, favorizojnë në mënyrë strukturore interesat e tyre dhe mbytin ekonomitë më të dobëta. Në këtë kuadër, solidariteti nënkuptohet si bashkëpërgjegjësi konkrete ndërmjet njerëzve, popujve dhe kombeve, një formë miqësie shoqërore, ose dashurie politike e orientuar drejt “qytetërimit të dashurisë” të kërkuar nga Papa Pali VI.
Enciklika Centesimus annus
Në njëqindvjetorin e Rerum novarum, Enciklika Centesimus annus ofron një reflektim mbi rënien e sistemit sovjetik dhe mbi afirmimin e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut. Shën Gjon Pali II përsërit mesazhin e Papës Piu XII, sipas të cilit Kisha mund ta vlerësojë demokracinë në masën me të cilën garanton pjesëmarrjen e qytetarëve, lejon zgjedhjen dhe zëvendësimin paqësor të qeveritarëve dhe pengon monopolizimin e pushtetit nga elita të shtyra nga interesa të veçanta, ose ideologjike. Nga ana tjetër, ia njeh tregut dhe nismës private potencialin pozitiv, vetëm nëse i nënshkrtohen ligjit moral dhe parimit të solidaritetit, pa i sakrifikuar më të ligështit para logjikës së fitimit.
Benedikti XVI dhe Caritas in veritate
Papa Benedikti XVI, në enciklikën e tij shoqërore Caritas in veritate, reflektoi mbi konceptin e zhvillimit të paraqitur në Populorum progressio, duke e parë në horizontin e globalizimit. Zhvillimi duhet të kthehet në përparim ekonomik gjithëpërfshirës, që respekton Krijimin e Zotit. Denoncoi formimin e kategorive të reja të varfërish në vendet e pasura, ku shumohen forma të panjohura më parë përjashtimi, ndërsa në rajonet më të varfra grupe të vogla jetojnë në një mirëqenie konsumiste, që bashkëjeton me mjerimin çnjerëzor. Ishte i pari, që vërejti se sistemi i ri ekonomik financiar global, i karakterizuar nga lëvizja e madhe e kapitaleve dhe e mjeteve të prodhimit, e ka zvogëluar pushtetin politik të shteteve dhe aftësinë e tyre për t’i orientuar proceset ekonomike. Prandaj, veprimtaria ekonomike nuk mund t’i zgjidhë problemet shoqërore thjesht duke zgjeruar logjikën e tregut, por duke menduar për të mirën e përbashkët. Sipas Benediktit XVI, dashuria, pra “caritas”, «është rruga kryesore e doktrinës shoqërore të Kishës», me kusht që të jetë gjithmonë e bashkuar me të vërtetën, megjithëse vëren me shqetësim se pikërisht në fushat shoqërore, juridike, politike dhe ekonomike priret të shpallet parëndësia e saj morale. Risia e kontributit të tij qëndron në faktin se ai tregon se zhvillimi, drejtësia, institucionet dhe tregu nuk janë realitete neutrale, por vende ku dashuria në të vërtetën duhet të marrë formë historike.
Papa Françesku dhe Evangelii gaudium
Magjisteri shoqëror i Papës Françesku shtjellohet në vijën e Gaudium et spes, e cila fton të shihet historia duke u nisur nga plagët dhe shpresat e njerëzve, të cilat duhet të konsiderohen në dialog me Ungjillin. Ky orientim shfaqet me qartësi të veçantë në Evangelii gaudium, ku pohohet se kumti i krishterë ka një përmasë të brendshme shoqërore. Bëhet thirrje për një Kishë, që dëgjon britmën e të varfërve, të migrantëve dhe të viktimave të skllavërive të reja. Në këtë perspektivë, edhe këmbëngulja e Françeskut për një Kishë sinodale, një Kishë që “ecën së bashku”, që interpreton shenjat e kohëve në dritën e Ungjillit dhe ungjillëzohet nga të varfrit me të cilët ndan historinë.
Enciklika Laudato si’
Në emciklikën Laudato si’, Papa Françesku reflekton, për herë të parë në mënyrë sistematike, mbi krizën mjedisore, duke vënë në dukje se ajo nuk është sektoriale, por aspekti ekologjik i krizës shoqëroro-ekonomike bashkëkohore. Propozimi i tij për një ekologji të gjithanshme e lidh kujdesin për Shtëpinë e përbashkët me përparësinë për të varfrit. Dalin sërish në plan të parë destinacioni universal i pasurisë, kritika kundër paradigmës teknokratike, mbrojtja e punës njerëzore, kërkesa për drejtësi mes brezave dhe thirrja për dialog të vërtetë ndërmjet politikës dhe ekonomisë.
Enciklika Fratelli tutti
Përballë shpërbërjes së indit shoqëror, “luftës botërore pjesë-pjesë”, globalizimit individualist dhe pasojave të pandemisë mbi lidhjet në bashkësi, Papa Françesku paraqet më vonë, në enciklikën Fratelli tutti ëndrrën e një njerëzimi që di të zgjedhë miqësinë shoqërore dhe vëllazërimin universal. Propozon kulturën e takimit si një “politikë më të mirë”, në gjendje të kërkojë të mirën e përbashkët, të krijojë pajtim dhe një botë, që siguron «tokë, shtëpi dhe punë për të gjithë». Së fundi, me enciklikën Dilexit nos, nënvizon se këto impenjime të mëdha shoqërore nuk mund të ndahen nga marrëdhëniet personale me Krishtin, pasi përgjigjja më e vërtetë ndaj dashurisë së Zemrës së Jezusit është dashuria konkrete për vëllezërit.
Historia në dritën e fesë
Shihet qartë se Doktrina shoqërore e Kishës nuk është fryt i një projekti të hartuar në tryezë, por rezultat i një rrugëtimi plot durim, ku çdo Papë, së bashku me Koncilin II të Vatikanit, ka dhënë një kontribut origjinal në dritën e “gjërave të reja” të kohës së vet. Secili ka nxjerrë në pah aspekte të ndryshme të një trashëgimie të vetme: dinjitetin e personit, vlerën e punës, destinacionin universal të pasurisë, solidaritetin dhe subsidiaritetin, kujdesin për krijimin, qendërsinë e paqes dhe të vëllazërimit. Sot mund të flasim për një korpus parimesh dhe kriteresh të përbashkëta, pikërisht sepse ky interpretim i historisë në dritën e fesë nuk është ndërprerë kurrë dhe është përpjekur të gjejë përgjigje për sfidat e çdo brezi. Pikërisht këtë trashëgimi e vijon Papa Leoni XIV me enciklikën e tij “Magnifica humanitas”, e cila është edhe enciklika më e fundit shoqërore e magjisterit papnor.