Kërko

2026.06.17 catholic media conference atlantic city 2026

Ekspertët: stili i komunikimit të Leonit XIV ndërtohet mbi bashkimin, dëgjimin dhe praninë

Stili i komunikimit të Papa Leonit XIV karakterizohet nga bashkimi, prania dhe aftësia për të dëgjuar, duke pasqyruar karizmën e tij të thellë augustiniane. Ky ishte përfundimi i një paneli të zhvilluar gjatë Konferencës Katolike të Mediave 2026, mbajtur në Atlantic City të shtetit të New Jersey.

Vatican News

Bashkimi, dëgjimi dhe prania janë tre tiparet që përshkruajnë më së miri mënyrën se si Papa Leoni XIV komunikon me Kishën dhe botën. Këtë vlerësim ndanë ekspertë të komunikimit katolik gjatë Konferencës Katolike të Mediave 2026, mbajtur në Atlantic City të shtetit të New Jersey, duke theksuar se mënyra e të folurit dhe e të vepruarit të Papës buron nga spiritualiteti augustinian që ka shoqëruar gjithë jetën e tij.

Gjatë panelit kushtuar vizionit të Papa Leonit XIV mbi të vërtetën, teknologjinë dhe ungjillëzimin, u nënvizua se për Atin e Shenjtë Prevost komunikimi nuk kufizohet te përcjellja e informacionit, por është mbi të gjitha ndërtim i bashkësisë.

Kryeredaktorja e Catholic News Service, Carol Glatz, vuri në dukje se Papa e sheh të vërtetën si një realitet që zbulohet përmes dialogut dhe ecjes së përbashkët, jo në izolim. Sipas saj, Leoni XIV fton vazhdimisht të reflektohet mbi atë që ndërtojmë me fjalët tona dhe mbi ndikimin që ato kanë në jetën e të tjerëve.

Një dëshmi më personale solli atë Augustinian Atë Arthur Purcaro, mik prej më shumë se katër dekadash i Papa Leonit XIV. Ai kujtoi se Robert Prevost, shumë kohë përpara se të zgjidhej Papë, ishte formuar nga idealet e Shën Augustinit, i cili e konsideronte ndërtimin e bashkësisë si zemrën e jetës së krishterë. Atë Purcaro tregoi edhe një kujtim nga fëmijëria e Papës: nëna e tij u kujtonte tre vëllezërve se duhej të jetonin në harmoni me njëri-tjetrin nëse donin të uleshin së bashku në tryezë. Sipas tij, pikërisht kjo frymë e dialogut, e dëgjimit dhe e kërkimit të përbashkët të së vërtetës vazhdon të karakterizojë sot papninë e Papa Leonit XIV.

Në diskutim u vu në pah edhe përvoja e gjatë misionare e Papës në Peru. Atë Purcaro theksoi se vitet e kaluara në shërbim të komuniteteve në Peru e vise tjera, shpesh në rrethana të vështira dhe gjatë periudhave të dhunës, e mësuan atë të dëgjojë me durim, të jetë pranë njerëzve dhe të ndërtojë ura mes tyre. Pikërisht kjo përvojë, sipas tij, shpjegon qetësinë, ekuilibrin dhe afërsinë që Papa përcjell në çdo takim dhe fjalim.

Edhe prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini, vlerësoi autenticitetin e Papës, duke theksuar se ai nuk përpiqet të krijojë një imazh publik apo të interpretojë një rol. Përkundrazi, mënyra e tij e komunikimit lind nga një jetë e rrënjosur në besim dhe synon të drejtojë vëmendjen jo te vetja, por te Krishti.

Pjesëmarrësit në panel u shprehën se, në një kohë kur shoqëria përballet me polarizim dhe ndarje, stili i komunikimit të Papa Leonit XIV përfaqëson një ftesë për dialog, bashkim dhe kërkim të së mirës së përbashkët. Në përfundim, Paolo Ruffini shprehu bindjen se "ky është momenti i duhur për Papa Leonin XIV", duke nënvizuar se mesazhi i tij i bashkimit dhe i shpresës i përgjigjet nevojave të botës së sotme.

 

30 qershor 2026, 10:01