Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit
Vatican News
“Çfarë do të bëhet vallë ky fëmijë?” (Lk 1,66). Shën Gjon Pagëzori është, së bashku me të Lumen Virgjër Mari, i vetmi shenjt, lindjen e të cilit Kisha e kremton solemnisht. Festa e tij kremtohet më 24 qershor, gjashtë muaj para Lindjes së Jezu Krishtit, Birit të Hyjit të bërë njeri.
Sipas traditës, Gjoni lindi në Ain Karem. Lindja e tij shënon fillimin publik të kohëve mesianike dhe u parapri nga ngjizja e mrekullueshme në barkun e Elizabetës, e cila ishte beronjë, si dhe nga lajmërimi i kryeengjëllit Gabriel drejtuar Zakarisë. Vetë emri “Gjon” do të thotë “Hyji ka treguar mëshirë”, duke paralajmëruar misionin e tij për të përgatitur popullin për ardhjen e Zotit.
Etërit e Kishës mësojnë se Gjon Pagëzori u çlirua nga mëkati i zanafillës dhe u shenjtërua që në barkun e nënës gjatë Vizitës së Marisë tek Elizabeta. Kur Maria, që mbante në kraharor Jezusin, e përshëndeti kushërirën e saj, Gjon foshnje kërceu nga gëzimi në barkun e Elizabetës. Kështu u përmbush fjala e engjëllit se ai do të mbushej me Shpirtin Shenjt që në kraharorin e nënës së vet.
I thirrur të ishte profeti i Më të Lartit, Gjoni përgatiti rrugën e Jezusit duke predikuar pagëzimin e kthimit dhe pendesës për faljen e mëkateve. Pas viteve të kaluara në vetmi, lutje dhe pendesë në shkretëtirë, ai filloi veprimtarinë e tij publike rreth viteve 27-28 pas Krishtit, duke u bërë ura lidhëse ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër dhe Besëlidhjes së Re.
Shën Gjon Pagëzuesi ishte profeti i fundit dhe më i madhi ndër profetët, sepse ishte i vetmi që tregoi drejtpërdrejt Mesinë: “Ja Qengji i Hyjit, ai që heq mëkatin e botës!” (Gjn 1,29). Në lumin Jordan, gjatë pagëzimit të Jezusit, ai pa Shpirtin Shenjt të zbriste mbi Të dhe dëshmoi: “Ky është Biri i Hyjit”.
Me përulësi të madhe, Gjoni e kuptoi se misioni i tij kishte arritur qëllimin kur Jezusi nisi veprën e vet. Prandaj tha: “Ai duhet të rritet, kurse unë të zvogëlohem”. Vetë Jezusi e lavdëroi duke thënë: “Ndër të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë më të madh se Gjoni”.
Kremtimi i lindjes së Shën Gjon Pagëzorit më 24 qershor ka origjinë shumë të lashtë në Kishë. Shën Augustini e përshkruante Gjonin si “zërin”, ndërsa Krishtin si “Fjalën e Amshuar”: “Gjoni është zëri që kumbon për një kohë, kurse Krishti është Fjala që ekziston që në fillim”.