Kërko

Nderimi i Shenjtes Nënë Terezë me Meshë solemne dhe çmimin për humanizmin

Mesha e Shenjtë në nderim të Shenjtes Nënë Terezë e kryesuar nga Kardinali Angelo Comastri u pasua me ndarjen e çmimeve "Love Charity – Awards Mother Teresa", kushtuar bamirësisë dhe solidaritetit.

Vatican News

Në Kishën Santa Maria Regina della Famiglia, në Kopshtet e Vatikanit, të enjten më 25 qershor, u kremtua Mesha e Shenjtë në nder të Shenjtes Nënë Terezë, në praninë e besimtarëve, personaliteteve kishtare dhe të ftuarve nga vende të ndryshme.

Kremtimi Eukaristik u drejtua nga Kardinali Angelo Comastri, Vikar i Përgjithshëm Nderi i Shenjtërisë së Tij për Qytetin e Vatikanit, dhe Imzot Vincenzo Calvosa, Ipeshkëv i Dioqezës së Vallo della Lucania, Itali.

Pas kremtimit Eukaristik u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimit të mirënjohjes "Love Charity – Awards Mother Teresa", në seksionin special, kushtuar promovimit të vlerave të bamirësisë, solidaritetit dhe trashëgimisë shpirtërore të Shenjtes Nënë Terezë.

Aktiviteti u organizua me pjesëmarrjen e të ftuarve ndërkombëtarë dhe u mbyll me një mesazh për ruajtjen dhe promovimin e frymës së shërbimit ndaj më të varfërve, sipas shembullit të Shën Nënë Terezës. Sipas organizatorëve, Tania Cammarota dhe Gjon Kolndrekaj, regjistor kosovar, ceremonia synoi të nderojë individë dhe iniciativa që kanë dhënë kontribut të veçantë në fushën e humanizmit dhe bamirësisë, duke mbajtur gjallë idealet e shenjtores shqiptare me famë botërore.

26 qershor 2026, 09:52