Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës XIII të vitit liturgjik 'A
Vatican News
Në Ungjillin e kësaj së diele të 13-të gjatë vitit kishtar, marrë nga kreu 10 i Shën Mateut (Mt 10,37-42), nuk vendosim dot se cila frazë na acaron më shumë: fakti se duhet të braktisim krejtësisht lidhjet familjare apo shkalla e dashurisë, që na kërkon Zoti. Fjalët e Jezusit na provokojnë deri në nerva. Papritmas, Zoti duket në një dritë tjetër në sytë e shpirtit tonë. Ne e dimë se ai është i kuptueshëm, i ndjeshëm dhe i ëmbël. E, sidomos, shpresojmë të na i lehtësojë barrët e jetës. Por Jezu Krishti na kundërshton kur duam t’i përziejmë interesat tona personale me marrëdhëniet e miqësisë me të. Kur i përdorim dhuratat e Tij për të ndërtuar një botë të vogël dhe egoiste. Kështu, bëhemi viktima të një iluzioni, pasi shpëtimi dhe begatia e jetës gjenden vetëm tek Ai. Prandaj, Jezusi ngre zërin kundër egoizmit të ngjyrosur me fe dhe dëshiron të na mbrojë nga mashtrimet e gabimet. Të ndjekim pjesën ungjillore të kësaj së të 13-të të vitit kishtar nga shën Mateu:
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kush e do atin e t’ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua! Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë, e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkak tim, do ta rifitojë. Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua. Kush pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush pranon të drejtin pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!”
Të lutemi së bashku
Akoma s’kam hequr dorë nga arsyetimet
që përdorin kritere njerëzore,
shi për këtë, ndoshta, më duket i çuditshëm
ky propozimi yt, o Zot Jezus.
Më kërkon ta humbas këtë jetë pas Teje,
më siguron se është e vetmja mënyrë për ta shpëtuar.
Më kërkon të lë pas gjithçka,
t’i prish urat, që lë pas shpine,
ta shkëpus çdo lidhje,
që më siguron një farë mbështetje,
sepse Ti më premton një jetë të plotë, të amshuar,
por vetëm nëse jam gati të rrezikoj.
Po ta them menjëherë, o Jezus:
unë do të doja ta mbaj fort
shtrënguar këtë jetë,
ta mbroj nga çdo rrezik,
t’i garantoj çdo mbrojtje,
ta mbaj larg nga çdo dështim.
Në fund të fundit, do të bëja si të gjithë…
Në fund të fundit, do të sillesha
në mënyrën që më duket më e mençur.
Po! Për të gjithë, por jo për Ty.
E këtu, Ti, që je kaq i arsyeshëm,
i bie shkurt, le të bëhet ç’të bëhet:
“Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje,
nuk është i denjë për mua!”.
Eh, do ta marr edhe unë atë kryq,
e do ta vë veten në rrezik,
nëse s’ka mundësi tjetër.
Alternativa që Ti na jep, Jezus,
vë ballë për ballë dashurinë deri në fund
dhe dorëzimin e fshehjen nga përgjegjësitë.
Por, unë të dua shumë vërtet, prandaj të besoj Ty, o Jezus,
që na ke paraprirë të gjithëve në këtë rrugë.