Situata dramatike në Bregun Perëndimor: Atë Faltas kërkon zbatimin e thirrjeve të Papës për paqe
Vatican News
Nga Atë Ibrahim Faltas
Në Tokën Shenjte dhuna që nuk u largua kurrë nga këto vise, po dendësohet përsëri. Zgjerohet në akte të reja hakmarrjeje, zgjat listën e vdekjeve dhe të shkatërrimeve, ngushton perspektivat për paqe e mbyll mendjet dhe zemrat pas gardheve me tela me gjemba. Bregu Perëndimor digjet, rrjedh gjak, qan nga dhimbjet e nga vuajtjet. Ashtu si Gaza, Bregu Perëndimor është territor që ka humbur përmasën dhe hapësirat e tij! Nuk njihet më: tokë e ndarë fizikisht dhe shoqërisht, e shkatërruar nga plagë të thella dhe e shkelur në identitetin e saj historik. Çdo cep i kësaj toke vuan dhunë e shkatërrim çdo ditë. E çdo banor i kësaj toke ndesh vështirësi, kufizime, vuajtje dhe poshtërime, që shtohen çdo ditë.
Njerëzit vdesin në një luftë jozyrtare, të padeklaruar, por të vazhdueshme e të përhapur gjerësisht. E panumërt, djegia e shtëpive dhe e tokës. Nuk është më e mundur të udhëtosh nga një qytet në tjetrin, madje as në ato shumë të afërta, për urgjenca mjekësore, për të punuar, për të ndihmuar të afërmit ose për të mbrojtur pronat e vogla familjare, të zëna dhe të fituara në mënyrë të paligjshme nga kolonë të dhunshëm dhe arrogantë. Marr kërkesa të shumta për ndihmë për nevojat që janë bërë serioze, të rrezikshme dhe të vështira për t'u zgjidhur. Pikat e shumta të kontrollit - më shumë se një mijë - dhe postblloqet - tani janë pjesë e një peizazhi që dikur përcaktonte historinë dhe jetën e palestinezëve: punë në fusha, hapësira ullishtesh, kafshë që kullosin, qytete të vogla dhe të mëdha plot me tinguj, me ngjyra dhe jetë.
Gjatë viteve, vendbanimet rrethuan çdo fshat, çdo shenjë dhe simbol shoqëror. Ato e rrethojnë jetën palestineze, por nuk e përqafojnë; e mbysin! Mbysin shpresat e të rinjve, që nuk mund as ta imagjinojnë të ardhmen e tyre! Ua shkatërrojnë pritjet atyre që kanë punuar shumë për të ndërtuar të kaluarën dhe të tashmen! Shkatërrojnë buzëqeshjet dhe ëndrrat e fëmijëve që e shohin tokën e tyre të djegur, të kufizuar dhe pa ngjyra.
Prindër, të cilët nuk mund t'i çojnë fëmijët që kanë nevojë për kujdes të shpeshtë në spital; fëmijë, që nuk mund t’i arrijnë prindërit e moshuar dhe të sëmurë, baballarë të ndaluar në pikat e kontrollit që i pengojnë të shkojnë në punë - këto janë situata që ndodhin për muaj, madje për vite, në Bregun Perëndimor. Njerëzit janë të dëshpëruar dhe të tmerruar nga inkursionet e panumërta të kolonëve që, pa u ndëshkuar, përhapin frikë dhe terror tek njerëzit e varfër, që nuk mund të gjejnë strehim dhe mbrojtje as në shtëpitë e tyre.
Thirrjet e forta të Atit të Shenjtë për të ndaluar dhunën, duhen dëgjuar nga ata që e provokojnë e edhe nga ata, që nuk arrijnë të ndërhyjnë për të ndaluar një spirale të pafundme. Zgjedhjet e shpallura dhe të planifikuara, që zhvillohen në muajt e ardhshëm në Izrael dhe Palestinë, duhet të sjellin ekuilibra të rinj dhe drejtësi të vërtetë për të dy popujt. Shpresa se rrjedha e historisë mund të ndryshojë drejtim, nuk i braktis ata që kanë fe e që i besojnë Zotit.
* Drejtori i shkollave të Kujdestarisë së Tokës Shenjte