Comece: biznesi është komunitet njerëzish, jo vetëm kapital
Vatican News
Komisioni i Konferencave Episkopale të Bashkimit Evropian kërkon që zhvillimi ekonomik të ecë krah për krah me mbrojtjen e dinjitetit të punës, të drejtave sociale dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë.
Komisioni i Konferencave Episkopale të Bashkimit Evropian (Comece) ka publikuar sot një dokument mbi propozimin e të ashtuquajturit "regjimi i 28-të shoqëror" ose "Eu Inc.", një kuadër juridik evropian opsional që do t'u shtohej 27 sistemeve ligjore kombëtare të Bashkimit Evropian. Në qendër të reflektimit të tij, Comece vendos një parim themelor të doktrinës shoqërore të Kishës: "një ndërmarrje është një komunitet personash, jo thjesht një grumbullim kapitalesh".
Pikërisht nga ky parim rrjedh edhe vlerësimi i Konferencave Ipeshkvnore evropiane ndaj propozimit. Comece e sheh me interes krijimin e një kuadri të ri ligjor që mund të nxisë sipërmarrjen dhe investimet në nivel evropian, por thekson se ai mund të mbështetet vetëm nëse shoqërohet me garanci të forta në fushën sociale, me qeverisje të përgjegjshme dhe me mekanizma efektivë për të parandaluar abuzimet.
Në dokument, Sekretariati i Comece-s rendit një sërë rekomandimesh konkrete. Ndër to spikat nevoja për të mbrojtur të drejtat ekzistuese të punës dhe të mbrojtjes sociale, për të garantuar të drejtat e pjesëmarrjes së punonjësve në jetën e ndërmarrjes dhe për të njohur pronësinë e ortakëve mbi baza të sigurta juridike. Po ashtu, mbështetet pjesëmarrja e punonjësve në pronësinë e kompanive, por pa e zëvendësuar kurrë të drejtën për një pagë të drejtë dhe për mbrojtje sociale.
Dokumenti kërkon gjithashtu masa më të forta kundër mashtrimeve, shmangies së detyrimeve tatimore dhe krijimit të kompanive fiktive, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe përgjegjësisë së administratorëve. Në të njëjtën kohë, Comece nënvizon se çdo reformë duhet të respektojë parimin e subsidiaritetit dhe traditat sociale të secilit shtet anëtar, ndërsa ndikimi social dhe ekonomik i këtij regjimi të ri duhet të vlerësohet rregullisht.
Në përfundim, Comece kujton se suksesi i një reforme të tillë nuk mund të matet vetëm me numrin e ndërmarrjeve të reja apo me investimet që ajo mund të tërheqë. Vlera e saj e vërtetë, thekson dokumenti, duhet të gjykohet edhe nga cilësia e vendeve të punës që krijon, nga kontributi që jep për të mirën e përbashkët dhe nga respektimi i modelit social evropian, ku ekonomia mbetet gjithmonë në shërbim të njeriut.
(nga agjencia SIR)