Kërko

Delegatët e FABC-së: Kisha në Azi është e thirrur të ndërtojë ura dhe të ecë së bashku në frymën sinodale

Në Asamblenë e 12-të Plenare të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë, delegatët theksuan se përballë sfidave të kohës, Kisha duhet të ripërtërijë thirrjen e saj misionare dhe të jetë shenjë dialogu, bashkimi dhe shprese.

Vatican News

Nga bisedat e zhvilluara në më shumë se njëzet tryeza pune lindi një vizion i përbashkët për të ardhmen e Kishës në Azi. Pas disa orësh reflektimi, dialogu dhe dëgjimi të ndërsjellë, delegatët e Asamblesë së 12-të Plenare të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë (FABC) paraqitën frytet e punës së tyre, duke dëshmuar se, pavarësisht dallimeve kulturore, shoqërore dhe kishtare që karakterizojnë kontinentin e Azisë, ekziston një bindje e përbashkët: Kisha është e thirrur të bëhet gjithnjë e më shumë ndërtuese urash.

Në sallën e Asamblesë, kardinalë, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare dhe besimtarë laikë u përballën me pyetje që prekin jetën e Kishës sot: si mund t'u përgjigjet ajo sfidave gjeopolitike, shoqërore dhe kulturore të kohës sonë? Si mund të jetë një Kishë më misionare dhe njëkohësisht më sinodale?

Përgjigjet erdhën nga përvoja e Kishave vendore të shpërndara në gjithë Azinë. Delegatët folën për plagët që rëndojnë mbi popujt e kontinentit: luftërat, polarizimin politik, nacionalizmin agresiv, ekstremizmin fetar, migrimin e detyruar, shkatërrimin e mjedisit, pabarazitë ekonomike dhe ndikimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale dhe komunikimit digjital. Nuk munguan as shqetësimet për familjet e përçara, humbjen e besimit ndaj institucioneve, përhapjen e dezinformimit në rrjetet sociale dhe kërkimin e kuptimit të jetës nga brezat e rinj.

Megjithatë, këto sfida nuk u paraqitën si arsye për t'u tërhequr, por si një thirrje për ta ripërtërirë misionin e Kishës. Në vend që të shohë vetëm vështirësitë, Asambleja zgjodhi të dallojë mundësitë që Shpirti Shenjt hap për ungjillëzimin në kohën tonë.

Një shembull domethënës ishte migrimi. Delegatët e Asamblesë së 12-të Plenare të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë e përshkruan atë jo vetëm si një dramë humanitare, por edhe si një mundësi providenciale. Migrantët, u tha gjatë diskutimeve, e mbartin fenë përtej kufijve dhe shpesh bëhen misionarë në vendet ku vendosen. Ndërkohë, bashkësitë vendore janë të ftuara të jenë vende mikpritjeje, shoqërimi dhe bashkimi.

Edhe zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe i mediave sociale, megjithëse sjell sfida të reja etike, u pa si një hapësirë e re për shpalljen e Ungjillit, sidomos mes të rinjve, të cilët jetojnë gjithnjë e më shumë në botën digjitale.

Një rol vendimtar në këtë mision, sipas delegatëve të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë, vazhdon ta luajë arsimi. Shkollat, universitetet, spitalet dhe veprat bamirëse katolike u cilësuan si ura konkrete që lidhin njerëz me kultura, fe dhe prejardhje të ndryshme. Pikërisht përmes shërbimit ndaj njeriut, Kisha dëshmon në mënyrë të besueshme Ungjillin, veçanërisht në ato vende ku katolikët përbëjnë një pakicë të vogël.

Por Asambleja e Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë theksoi se ndërtimi i urave nuk mund të fillojë vetëm jashtë Kishës. Ai duhet të nisë brenda saj. Prandaj, në shumë ndërhyrje u kërkua një kthim i vërtetë shpirtëror: nga klerikalizmi drejt bashkëpërgjegjësisë, nga një udhëheqje e përqendruar vetëm te autoriteti drejt një shërbimi që di të dëgjojë, nga përjashtimi drejt pjesëmarrjes së të gjithëve. Përfshirja më e madhe e laikëve, grave, të rinjve, migrantëve, popujve autoktonë dhe grupeve të margjinalizuara u cilësua si një shprehje e domosdoshme e jetës sinodale në Kishat e Azisë.

Në të njëjtën frymë, delegatët  e Asamblesë së 12-të Plenare të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë nënvizuan se formimi i meshtarëve duhet të përgatisë barinj që dinë të ecin pranë njerëzve, të nxisin dialogun dhe të udhëheqin bashkësitë në procesin e dallimit shpirtëror. Sinodaliteti, u tha disa herë gjatë punimeve, nuk mund të mbetet vetëm një temë diskutimi; ai duhet të bëhet mënyra e zakonshme e jetës së Kishës.

Dialogu ishte fjala që përshkoi pothuajse çdo raport. Në marrëdhëniet me institucionet, me Kishat e tjera të krishtera, me besimtarët e feve të tjera dhe me të gjithë njerëzit vullnetmirë, delegatët pohuan se larmia e jashtëzakonshme e Azisë nuk është një pengesë, por një pasuri që duhet mirëpritur. Ndërtimi i urave kërkon përvujtëri, durim, miqësi dhe gatishmëri për të bashkëpunuar për të mirën e përbashkët.

Asambleja e 12-të Plenare të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë ftoi gjithashtu Kishën të forcojë zërin e saj profetik përballë çështjeve që prekin njerëzimin: ndërtimin e paqes, mbrojtjen e krijimit, migrimin, familjen, shëndetin mendor, etikën digjitale dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale.

Në fund të paraqitjes së raporteve nuk pati duartrokitje. Sallën e mbuloi heshtja. Delegatët e  Asamblesë së 12-të Plenare të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë u bashkuan në Lutjen e Mbrëmësores, duke ia besuar Shpirtit Shenjt gjithçka që kishin dëgjuar, ndarë dhe dalluar së bashku. Ishte një përfundim domethënës për një ditë të mbushur me reflektim: e ardhmja e Kishës në Azi nuk do të ndërtohet kryesisht mbi strategji apo struktura, por mbi gatishmërinë për të ecur së bashku, duke dëgjuar zërin e Shpirtit Shenjt Zot, i cili vazhdon ta udhëheqë Kishën në shtegtimin e saj të bashkimit, pjesëmarrjes dhe misionit.

24 korrik 2026, 12:41