Famullitari i Gazës: sot mbushet një vit nga bombardimi i Kishës sonë
Vatican News
Me një Meshë Shenjte të kremtuar sot, më 17 korrik, famullia katolike e Familjes së Shenjtë në Gazë përkujton njëvjetorin e bombardimit izraelit të vitit të kaluar. Siç kujton famullitari, At Gabriel Romanelli, "një bombë" goditi Kishën, e cila që nga 7 tetori ishte shndërruar në strehë për shumë persona të zhvendosur, jo vetëm të krishterë.
Në atë sulm humbi jetën portieri i famullisë, Saad Issa Kostandi Salameh, 60 vjeç, si edhe dy gra: Foumia Issa Latif Ayyad, 84 vjeçe, e cila ndodhej në një tendë të Caritasit të përshtatur si qendër për mbështetje psikologjike të popullsisë, dhe Najwa Abu Dawud, e cila ndërroi jetë disa orë më vonë si pasojë e plagëve të marra.
Të dielën do të kremtohet një Meshë e posaçme "për shpirtrat e atyre që humbën jetën atë ditë të trishtë". "Lutemi edhe për të plagosurit, për familjet e tyre, si dhe për falje e për paqe", u shpreh At Romanelli.