Fjala e Zotit e dielës së 16-të gjatë vitit kishtar ‘A’
R.SH. - Vatican News
Edhe këtë javë jemi përsëri së bashku për të medituar mbi Fjalën e Zotit dhe për të reflektuar mbi mesazhin që na sjell liturgjia e së Dielës së 16-të gjatë vitit kishtar, sipas ciklit të parë të leximeve biblike.
Në Ungjillin e kësaj së diele (Mateu 13, 24-43), Jezusi na paraqet shëmbëlltyrën e grurit dhe egjrës, përmes së cilës na zbulon një të vërtetë të thellë për Mbretërinë e Hyjit dhe për jetën njerëzore. Jezusi e krahason Mbretërinë e Qiellit me një arë ku është mbjellë farë e mirë, një farë e vogël dhe e fshehur, por që mbart brenda vetes një fuqi të madhe jete. Edhe pse përballet me pengesa dhe vështirësi, ajo rritet gradualisht, nxjerr filiza dhe në fund jep fryt.
Kjo farë është simbol i Fjalës së Zotit, i dashurisë së Tij dhe i pranisë së Tij në zemrën e njeriut. Ajo mund të duket e vogël dhe e padukshme, por nëse toka e jetës sonë përgatitet me besim, lutje dhe vepra të mira, ajo mund të sjellë një fryt të bollshëm. Fryti i mirë varet nga mënyra se si ne e kultivojmë zemrën tonë dhe sa lejojmë që vullneti i Hyjit të veprojë në jetën tonë.
Në shëmbëlltyrën e grurit dhe egjrës, Jezusi na mëson se Zoti nuk ndërhyn me forcë apo në mënyrë të menjëhershme në historinë e njerëzimit. Ai nuk e zhduk menjëherë të keqen, por tregon një durim të madh. Hyji pret, sepse beson në mundësinë e ndryshimit dhe të kthimit të njeriut. Mbretëria e Tij nuk imponohet me dhunë, por rritet përmes fuqisë së dashurisë dhe të mëshirës.
Historia njerëzore është një realitet ku e mira dhe e keqja shpesh bashkëjetojnë. Në të njëjtën arë rriten edhe gruri, edhe egjra. Kjo është një pamje e jetës sonë: brenda nesh dhe rreth nesh ekzistojnë drita dhe errësira, virtyte dhe dobësi, besnikëri dhe mëkat. Por Zoti nuk nxiton të dënojë. Ai pret kohën e duhur, sepse vetëm Ai e njeh plotësisht zemrën e njeriut dhe di të dallojë me drejtësi atë që është e mirë nga ajo që duhet pastruar.
Shpesh ne njerëzit jemi të prirur të gjykojmë shpejt, të ndajmë menjëherë njerëzit në “të mirë” dhe “të këqij” dhe të dëshirojmë të çrrënjosim gjithçka që nuk përputhet me mendimin tonë. Por Ungjilli na fton të mësojmë nga durimi i Hyjit. Zoti e sheh jetën e çdo njeriu me mëshirë dhe i jep secilit mundësinë për t’u përmirësuar dhe për t’u kthyer drejt së mirës.
Kjo është arsyeja pse të gjitha leximet biblike të kësaj së diele mbartin një mesazh shprese dhe optimizmi. Ato na kujtojnë se historia nuk është e pushtuar përfundimisht nga e keqja, sepse në fund drejtësia dhe dashuria e Hyjit do të triumfojnë.
Leximi i parë, nga Libri i Urtisë, na paraqet një Hyj të mëshirshëm dhe të durueshëm. Ai nuk dënon me nxitim, por u jep të gjithëve mundësinë për ndryshim, madje edhe atyre që largohen prej Tij. Fuqia e Hyjit shfaqet pikërisht në mëshirën e Tij: Ai sundon jo përmes frikës, por përmes dashurisë dhe shpirtmadhësisë.
Në Leximin e dytë, nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve, na kujtohet dobësia njerëzore dhe nevoja për ndihmën e Shpirtit Shenjt. Kur mbështetemi vetëm në forcat tona, shpesh nuk arrijmë të zgjedhim të mirën dhe të ecim drejt Hyjit. Por edhe në momentet e pasigurisë dhe të errësirës, Shpirti Shenjt vepron brenda nesh. Ai flet në thellësinë e zemrës sonë dhe na udhëheq drejt së vërtetës dhe drejt Mbretërisë së Hyjit.
Mesazhi i kësaj së diele është një thirrje për durim, besim dhe shpresë. Zoti nuk dorëzohet kurrë ndaj njeriut. Ai pret, shëron dhe transformon. Ashtu si fara e vogël që rritet ngadalë në tokë, edhe puna e Hyjit në zemrën tonë mund të mos shihet menjëherë, por ajo gjithmonë sjell fryt kur pranohet me besim.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë Urt 12, 13.16-19
Lexim prej Librit të Urtisë
Jo, përveç teje tjetër Hyj nuk ka që të kujdeset për të gjithë, para të cilit të mbrohesh se nuk gjykove drejt. E njëmend fuqia jote është parimi i drejtësisë e, për arsye se je Zotëruesi i të gjithave, pra edhe mundesh t’i kursesh të gjitha. Pushtetin tënd e dëfton vetëm atëherë, kur s’besohet në gjithëpushtetësinë tënde dhe e ndëshkon krenarinë e atyre që s’të njohin. Ti, ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe: pushtetin e ke në dorë e mund ta përdorësh kur të duash. Duke vepruar në këtë mënyrë ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se pas mëkatit dhuron mundësinë e pendimit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Psalmi 86
Ti je i mirë, o Zot, e na fal
Ki mëshirë për mua, o Zot,
se gjithë ditën të thërras në ndihmë.
Dëgjoje, o Zot, uratën time,
vështroje zërin e lutjes sime.
Të gjithë paganët prej teje të krijuar,
do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot,
dhe do të madhërojnë Emrin tënd,
sepse ti je i madhërishëm e bën mrekulli, ti je i vetmi Hyj.
Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm
e i dhimbshëm, i ngadalshëm në zemërim,
plot dashuri e duresë,
shiko mbi mua e ki mëshirë për mua.
Leximi i dytë Rom 8,26-17
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshame të patregueshme. E Ai që i njeh zemrat, e di dëshirën e Shpirtit Shenjt – se ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Aleluja! Aleluja!
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.
Aleluja! Aleluja!
Ungjilli Mt 13, 24-43
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me njeriun që mbolli farë të mirë në arën e vet. Ndërkohë që njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij, mbolli egjër nëpër grurë e shkoi. Kur u rritën të mbjellat dhe lidhën frytin, atëherë u duk edhe egjra. Shërbëtorët iu afruan zotit të shtëpisë dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga doli, pra, egjra?’ Ai u përgjigji: ‘Armiku e bëri këtë!’ Atëherë i thanë shërbëtorët: ‘A të shkojmë e ta mbledhim?’ ‘Jo – u përgjigj ai – se duke e mbledhur egjrën druaj se, bashkë me të, nxirrni edhe grurin! Lëni të rriten bashkë deri në të korra. Në kohë të korrjes do t’u them korrëtarëve: ‘Mblidhni më parë egjrën dhe lidheni duaj për ta djegur e grurin mblidheni në drithnikun tim’!”. Mandej u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në lëndë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij”.
U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell derisa të mbruhet të gjithë”. Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra që të plotësohej fjala e profetit: “Do të flas në shëmbëlltyra, do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi i botës”. Atëherë e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës.” Ai u përgjigj: “Ai që mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Korrtarët janë engjëjt. Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr; kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashënjyesit dhe ata që bëjnë keq, e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh. Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka vesh, le të dëgjojë!” Fjala e Zotit. Lavdi ty, o Krisht!
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA XVI GJATË VITIT: TI GJYKON ME BUTËSI E NA SUNDON ME NDJESË TË MADHE.
(Urt 12, 13. 16-19; Ps 86 (85); Rom 8, 26-27; Mt 13 24-43)
«Do të jesh ipeshkëv dhe, sapo të mbushësh trembëdhjetë vjet të epikospatit tënd, do të vdesësh martir», i kishte thënë atij në vitin 1928 Shërbëtorja e Hyjit Tereza Neumann e Konnersreuthit, kur kishte shkuar në Gjermani për të kërkuar fonde për ndërtimin e kompanjelit të Gjuhadolit në Shkodër. Aso kohe françeskani Atë Vinçenc Prennushi ishte meshtar e, vetëm në vitin 1936, qe shuguruar ipeshkëv i Sapës. Katër vjet më vonë qe emëruar Arqipeshkëv i Durrësit, ku shërbeu derisa qe arrestuar dhe vdiq ndër burgjet komuniste, pas torturave të papërshkrueshme, në vitin 1949, fiks trembëdhjetë vjet pas profecise së mistikes gjermane. Pas atij takimi me atë grua që mbante varrët e Krishtit në trupin e saj, shpeshherë Atë Vinçenci thoshte: «Do të isha shumë fatlum po të vdisja martir i fesë, por nuk arrij ta mendoj se në çfarë rrethanash.» Me ardhjen e komunizmit dhe me shtrëngimin e dhunshëm që iu bë veçanërisht Kishës Katolike në Shqipërinë e atyre viteve, ipeshkvi i zellshëm e kuptoi se po afrohej realizimi i profecisë. Kur një herë shkuan ta takonin disa motra Saleziane, pasi ai ua kishte refuzuar autoriteteve komuniste kërkesën që ta shkëpuste Kishën Katolike në Shqipëri nga bashkimi me Selinë e Shenjtë, me vetëdije të plotë dhe me lotë dhimbjeje në sy, ipeshkvi u tha motrave: «Jemi në mes të përndjekjes... Do të jemi martirë... Zoti na dhashtë forcën për një gjë të tillë!...»
Gjithnjë më ka bërë shumë përshtypje një detaj i tillë në jetën e këtij martiri, i cili do t’i printe një morie shumë të madhe martirësh të fesë në Shqipërinë e atyre viteve. Me të drejtë secilit prej nesh mund t’i lindte pyetja se si ka mundësi që Zoti e paska parashikuar ardhjen e komunizmit dhe se përse Ai nuk ndërhyri për t’i ndryshuar gjërat?! Shtoji kësaj edhe faktin se parashikime të tilla mund të ngjajnë me një lojë shahu nga ana e Hyjit, i cili i kalon figurat sa andej këndej në një përballje të dhunshme. Por kishte të drejtë Albert Ainshtajni kur thoshte: «Nuk do ta besoj kurrë se Hyji luan lojë zaresh me botën.»
Për shumë njerëz, kjo vonesë e Zotit që të ndërhyjë për ta shkulur të keqen në botë, duket si argumenti më i fortë për të provuar mosekzistencën e Tij, ndërkohë që e pamë se paska pasur njerëz të cilët e kishin kuptuar shpirtin e mesazhit ungjillor, që na mëson se Hyji nuk ndërhyn jo ngaqë nuk ekziston apo ngaqë i shikon me mospërfillje të frikshme shortet e kësaj bote, por ngaqë është Hyj i dashur e i durueshëm dhe ngaqë e merr shumë seriozisht, vërtet shumë seriozisht, lirinë tonë. «Ti, ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e sundon me ndjesë të madhe.», thotë solemnisht leximi i parë. Lev Tolstoji, shkrimtari i njohur rus, thoshte: «Hyji ekziston, por nuk ka kurrfarë nguti që të na e bëjë të ditur atë.» «Deri edhe Hyji ka Ferrin e vet: është dashuria e Tij për njerëzit.», shkruante nga ana tjetër (edhe pse me një fare teprie të qëllimshme) romancieri i famshëm brazilian, Paulo Coelho, i cili ishte edhe një katolik i bindur.
Shëmbëlltyra e Ungjillit të sotëm na mëson shumë gjëra. Aq më tepër kur edhe shpjegimin e saj e bën vetë Jezusi, duke na ndihmuar që t’i kuptojmë më mirë simbolikat e personazheve që përmenden aty. Nuk kemi hapësirën këtu që të merremi edhe me thellimin e dy shëmbëlltyrave të tjera që tregon Jezusi, por vetëm me këtë shëmbëlltyrë të parë, e cila, në fakt, ka hapësirë më të madhe në Ungjillin e sotëm. Shëmbëlltyra tregon se si një njeri kishte hedhur farë të mirë në arën e vet, por armiku i tij, natën, kishte mbjellë edhe egjrën. Kur shërbëtorët deshën ta shkulnin egjrën që kishte filluar të mbinte së bashku me grurin, i zoti i arës ua ndaloi, nga frika se mos, së bashku me egjrën, mund të shkulnin edhe grurin. Vetëm në fund, në kohën e korrjes, do të ndahen përfundimisht gruri nga egjra. E Biri i Hyjit shpjegon në vazhdim: «Ai që mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. Armiku që mbolli egjrën, është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Korrëtarët janë engjëjt. Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashnjyesit dhe ata që bëjnë keq e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vajë e kërcëllim dhëmbësh. Kurse të drejtët, atëherë, do të shëndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre.»
Do të parapëlqenim një Hyj që ngjan me xhindin e llambës së Aladinit, i cili është në gjendje të na plotësojë çdo dëshirë tonën. Edhe pse, në fakt, edhe vetë përralla na thotë se edhe xhindi ishte i kufizuar, ngaqë nuk mund të plotësonte më shumë se tri dëshira. Por edhe nga përrallat shpesh mësojmë ato që duam ne e jo atë që autorët e tyre kanë dashur të na mësojnë. E kështu sillemi edhe me Autorin e Krijimit e të Shëlbimit tonë: shohim në Të jo atë që Ai na thotë e na e dëshmon, por atë që duam dhe presim ne. Përballë se keqes në botë, më parë mendojmë mosekzistencën e Hyjit, sesa të vëmë në punë trurin dhe zemrën tonë për të kuptuar arsyen për të cilën Hyji i lejon ato.
Pikërisht këtë të fundit bën autori i rreshtave që dëgjuam sot në leximin e parë. Dallohet se ato janë rreshta të shkruar nga ndonjë teolog i mirëfilltë i kohës, i cili është përpjekur të nxjerrë disa përfundime, disa mësime, nga heshtja e durueshme e Zotit përballë kufizimeve të kësaj bote dhe përballë së keqes që bëjnë njerëzit. Autori niset nga bindja e palëkundur se po flet me një Hyj që është i Gjithëpushtetshëm: «Jo, përveç teje tjetër Hyj nuk ka që të kujdeset për të gjithë.» Është një formë shumë e bukur për të thënë atë që ne e themi çdo të diel e të kremte në Meshë: «Besoj në Hyjin, Atin e Gjithëpushtetshëm». E ja cilat janë mënyrat në të cilat Zoti e shpreh gjithëpushtetësinë e vet: «Ti, ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe.» E veçanërisht në Jezusin, Birin e Tij, Ati na e ka dëshmuar se Ai «gjykon me butësi e sundon me ndjesë të madhe».
«Duke vepruar në këtë mënyrë, ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se, pas mëkatit, dhuron mundësinë e pendimit.», vazhdon autori i leximit të parë. Janë përfundimet në të cilat ai del, kur mendon për durimin e madh të Zotit. Ai durim e ajo mëshirë, janë mësimi më i fortë për njerëzit që edhe ata të jenë të durueshëm e të njerëzishëm me njëri-tjetrin dhe të shpresojnë gjithnjë në mëshirën e Tij të pakufi. «Në zemrën e çdo njeriu gjendet një boshllëk që ka formën e Hyjit», thoshte i madhi Blejz Paskal. Hyji pret me “ankth” që ne ta vëmë re këtë lloj boshllëku e të mos përpiqemi ta mbushim atë me idhuj të ndryshëm, por t’i lejojmë Hyjin të zërë aty vendin që i takon. Prandaj Hyji pret dhe duron me mëshirë, sepse nuk dëshiron që të shkojë dëm kryevepra e Tij që është njeriu, i krijuar në përngjasimin e Tij.
Por të mos mendojmë se, ndërkohë që pret, Hyji nuk bën asgjë. Në fillim përmendëm mistiken gjermane, Shërbëtoren e Hyjit, Tereza Neumann e Konnersreuthit, e cila kishte profetizuar për martirizimin e të Lumit Imzot Vinçenc Prennushi. Françeskani i dashur i kishte besuar pothuajse menjëherë asaj profecie dhe kishte shumë arsye ta bënte këtë, sepse ajo grua po mahniste Gjermaninë e asaj kohe. E thamë se Tereza Neumann kishte në trupin e vet varrët e Krishtit. Ato i ishin shfaqur asaj qysh në moshën 28-vjeçare, pasi ishte shëruar në mënyrë të mrekullueshme nga një paralizë dhe nga verbësi që e kishin pushtuar prej vitesh. Kur vinte e Enjtja e Madhe, ndodhte çdo vit edhe e njëjta skenë: Tereza hynte në kuptimin e plotë të fjalës, në tregimin e Mundimeve të Krishtit. Fillonin për të vuajtje të mëdha. Ndërkaq, edhe pse ajo kishte bërë vetëm shkollën fillore dhe njihte vetëm dialektin e saj dhe pak gjermanisht, kur hynte në këtë ekstazë të dhimbshme, ajo fliste rrjedhshëm aramaisht, greqisht e latinisht. Fliste dialogjet e mundimeve të Krishtit. Në orën 15.00 të së Premtes së Madhe binte në një gjumë shumë të thellë dhe zgjohej, e freskët, e lumtur dhe me plagët e mbyllura, mëngjesin e së dielës së Pashkës. Krishti i Vdekur e i Ngjallur bëhej dukshëm i pranishëm çdo vit në trupin e kësaj vajze të thjeshtë.
E mrekullia nuk mbaronte këtu, sepse, qysh se mori dhuratën e Varrëve të Krishtit, Tereza nuk hante e nuk pinte më asgjë, por ushqehej vetëm me Kungimin e Shenjtë të cilin e merrte në Meshë çdo mëngjes. Të bindur se kishin të bënin me një mashtruese, si Kisha, ashtu edhe autoritetet vendore, ngrinin komisione që e vizitonin dhe e ruanin atë rreptësisht për ditë e javë të tëra, por të gjithë dilnin në përfundimin se, edhe pse kjo vashë nuk shfaqte kurrfarë problemi mendor, nuk dihej se si jetonte pa u ushqyer. Jetoi ashtu për 36 vjet, deri sa vdiq në moshën 64 vjeçare, në vitin 1962, nga një atak kardiak. Shtoji këtyre edhe fenomene të tjera si të ndodhej në dy vende njëkohësisht, mrekulli e profeci.
Aq famë kishte fituar Tereza saqë kur ushtarët nazistë kujdeseshin t’u çonin bukë fshatarëve të fshtatit të saj, të gjithëve u shpërndanin racionin e bukës që u ishte caktuar, kurse asaj e dinin se nuk duhej t’i jepnin bukë, por sapun, për të larë çarçafët e përgjakur nga plagët që i kullonin gjak pothuajse çdo ditë. Thuhej se edhe Hitleri ishte në dijeni të kësaj gjëje dhe ia kishte drojen profecive që kishte dëgjuar se kishin dalë nga goja e kësaj vajze të thjeshtë. Dukej sikur Jezusi, në çastet kur verbësia e urrejtjes njerëzore po mbillte shkatërrim e vdekje kudo, kishte dashur t’u jepte edhe një herë një shenjë të gjallë kthimi mëkatarëve të mjerë. E çfarë shenjash!
Prandaj edhe në Shqipëri, duke e parë se urrejtja njerëzore kishte plane gjakatare, Hyji u kishte kërkuar disa njerëzve të përvujtë, që të bëheshin shenja të gjalla të pranisë së Krishtit të kryqëzuar (E çfarë shenjash! mund të themi me plot gojë edhe këtu.), me shpresën që ata të mund t’i kuptonin këto shenja e të ktheheshin. Duke kuptuar mënyrën se si sundon Hyji, kishin rast të kuptonin edhe sundimtarët e kësaj bote se si duhej sunduar vërtet.
Por shenjat jo të gjithë pranojnë t’i shohin, sepse nuk duan t’i hapen së vërtetës. Vetëm ai që është në kërkim të përvujtë të së vërtetës, arrin t’i shohë e t’i dëgjojë shenjat e Zotit në histori. Për këtë arsye Jezusi përfundon në Ungjillin e sotëm me fjalët therëse: «Kush ka veshë, le të dëgjojë!»