Kërko

Imzot Damiano: në Lampedusa nuk ka asnjë pushtim të emigrantëve!

Ipeshkvi i Agrigentos, Imzot Alessandro Damiano, përpara vizitës së Papës Leoni të shtunën në Lampedusa, kushtuar emigrantëve. 'Nuk mund t'i lëmë njerëzit të vdesin në det'. Vizita e Papës bëhet thirrje për Evropën: "Çështja e migracionit është sfidë që qeveritë duhet ta përballojnë së bashku".

Vatican News

Në pragun e vizitës së Papës Leoni XIV në Lampedusa, këtë të shtune më 4 korrik, kushtuar emigrantëve, ipeshkvi i Agrigentos, Imzot Alessandro Damiano, hodhi poshtë pretendimet për një "pushtim emigrantësh" në ishull, duke theksuar se situata reale është krejt ndryshe.

Në një intervistë për revistën Maria con te, ai nënvizoi se shpëtimi i jetëve në det duhet të mbetet përparësi absolute. Duke vlerësuar punën e Rojës Bregdetare, Imzot Damiano tha se burrat dhe gratë që marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit shpëtojnë jetë çdo ditë dhe se, pa ndërhyrjen e tyre, shumë emigrantë do të humbnin jetën në Mesdhe.

Ipeshkvi theksoi se Lampedusa nuk përjeton një pushtim emigrantësh, siç pretendohet shpesh. Sipas tij, emigrantët nuk enden rrugëve të ishullit dhe kjo nuk ka ndodhur prej vitesh. Problemi i vërtetë, shtoi ai, është varfëria dhe frika që ajo ngjall në shoqëri, duke kujtuar se refuzimi ndaj më të varfërve është një dukuri që filozofët e kanë përkufizuar si "aporofobi".

Duke iu referuar vizitës së Papës, Imzot Damiano tha se ajo përbën një thirrje të fortë drejtuar Evropës për ta trajtuar migracionin si një sfidë të përbashkët. "Askush nuk mund ta përballojë i vetëm këtë çështje", u shpreh ai, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim ndërmjet qeverive evropiane.

Sipas ipeshkvit italian, vizita papnore do të jetë një shtegtim kujtese dhe shprese në vendet simbol të Lampedusës, si Porta e Evropës dhe skela Favaloro, që dëshmojnë njëkohësisht vuajtjen dhe dinjitetin e mijëra njerëzve që kanë kërkuar një jetë më të sigurt përmes Mesdheut.

Papa Leoni XIV pritet të vizitojë Lampedusën më 4 korrik, për të ripohuar thirrjen për mbrojtjen e jetës njerëzore, solidaritet dhe përgjegjësi të përbashkët ndaj emigrantëve.

01 korrik 2026, 11:35