Ipeshkvi Berardi viziton bashkësitë e krishtera Arabinë Veriore
Vatican News
Të dëshmojë afërsinë e Kishës me besimtarët gjatë një periudhe tensioni të jashtëzakonshëm në Lindjen e Mesme, t’u bëjë thirrje bashkësive të krishtera për unitet dhe duke nxitur shpresën për kthimin e paqes. Këto ishin objektivat e vizitave baritore të bëra në gjashtë muajt e parë të vitit nga ipeshkvi Aldo Berardi, vikar apostolik i Arabisë Veriore, në famullitë e territorit, që përfshin Kuvajtin, Katarin, Bahreinin dhe Arabinë Saudite. Imzot Berardi vizitoi dhjetë famulli dhe dy katedrale, me qëllim "forcimin e bashkimit, mbështetjen e besimtarëve dhe inkurajimin e misionit të Kishës në të gjithë rajonin e Gjirit Persik", sipas një note të Vikariatit.
Ipeshkvi i ftoi bashkësitë të thellojnë marrëdhëniet e tyre me Krishtin nëpërmjet Eukaristisë, të qëndrojnë të palëkundura në fe dhe të dëshmojnë Ungjillin në familje, në vendet e punës dhe në jetën shoqërore. Shumë prej takimeve iu kushtua dëgjimit të përvojave, të vështirësive dhe të shpresave të besimtarëve, të cilëve iu dhanë udhëzime për zhvillimin shpirtëror dhe organizativ të famullive të tyre. Në Kishën e Zemrës së Krishtit në Bahrein, imzot Berardi u dha Krezmimin 155 kandidatëve dhe bekoi kamaren e Zojës së Bekuar, ku është vendosur një shtatore e realizuar me rastin e meshës historike të Papës Françesku gjatë udhëtimit të tij apostolik në vend.
Vizitat shënuan edhe hapjen e Vitit të veçantë Jubilar për tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut të Asizit. Gjithashtu, në Kuvajt, Vikari u takua me drejtues të Kompanisë së Naftës së Kuvajtit, duke theksuar marrëdhëniet e gjata ndërmjet saj dhe bashkësisë kishtare. Ndërkohë, në Vikariatin e Arabisë Jugore, rifilluan kampet verore për mijëra fëmijë dhe të rinj. Territori përfshin Omanin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemenin. "Fakti se jemi në gjendje të mirëpresim qindra fëmijë përfaqëson një shenjë konkrete të rimëkëmbjes dhe të shpresës", pohoi ipeshkvi Paolo Martinelli, Vikar Apostolik i Arabisë Jugore. "Investimi në edukim është një nga kontributet më konkrete, që mund të ofrojmë për të arritur një paqe të qëndrueshme në zemra e ndërmjet popujve”, përfundoi ai.