Ipeshkvijtë në Azi, për një Kishë sinodale që ndërton ura
Vatican News
Ura besimi dhe dialogu "atje ku të tjerët ngrenë mure dyshimi"; ura paqeje "ku dhuna dhe konflikti ndajnë bashkësitë"; ura dhembshurie "ku të varfrit, të prekshmit dhe të përjashtuarit dëshirojnë dinjitet"; ura shprese "për të rinjtë që kërkojnë kuptim mes ndryshimeve të shpejta sociale dhe teknologjike, fragmentimit global dhe krizës ekologjike që kërcënon shtëpinë tonë të përbashkët". Në mesazhin përfundimtar të asamblesë plenare të Federatës së Konferencave të ipeshkvnore aziatike (FABC), mbajtur në Xhakarta të Indonezisë nga 20 deri më 26 korrik, ipeshkvijtë nënvizuan në pasazhe të ndryshme, se Kisha në Azi është e thirrur të jetë "urë, e të ndërtojë ura" përmes "kthesës së vazhdueshëm sinodale, duke përqafuar diversitetin e pasur të kulturave dhe të popujve tanë". Ata u lutën që Krishti, "Urë e gjallë", të "na bëjë mjete lidhjeje dhe pajtimi në mënyrë që të gjithë popujt të zbulojnë në Të plotësinë e jetës".
Një udhë e orientuar drejt misionit
Qëllimi është të ecim së bashku "me shpresën e sigurt për të parë gjëra më të mëdha" (Gjn 1,50 dhe premtimii i Zotit ndaj Natanaelit). Mjeti për arritjen e kësaj është sinodaliteti i cili, sipas mesazhit, "nuk është thjesht metodë bashkëpunimi por, mbi të gjitha, udhëtim konvertimi i orientuar drejt misionit: përpara se të transformojmë strukturat tona, transformojmë zemrat tona; përpara se të rinovojmë institucionet tona, rinovojmë marrëdhëniet tona". Ky koncept u përsërit nga Kardinali Filipe Neri António Sebastião do Rosário Ferrão, President i Federatës së Konferencave të ipeshkvnore aziatike (FABC), gjatë predikimit të tij në Meshën e kremtuar në fund të asamblesë: "Sinodaliteti, tha ai, duhet ta çojë Kishën më pranë Jezu Krishtit dhe të japë fryte në veprime konkrete, jo thjesht në dokumente, struktura a programe baritore". Kardinali Ferrão, në Katedralen e Xhakartës, i nxiti ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët dhe besimtarët laikë të sigurohen që kjo javë lutjeje, shoshitjeje dhe dialogu të përkthehet në një angazhim të ripërtërirë misionar, në të gjithë Azinë. E udhëtimi sinodal gjen kuptimin e tij të vërtetë vetëm kur i çon njerëzit në takim me Krishtin dhe me të tjerët, duke theksuar vlerën e dëgjimit, i cili "shkon përtej Shkrimeve të Shenjta dhe përfshin zërat e atyre që shpesh lihen pas dore, veçanërisht të varfërve, të rinjve, migrantëve dhe atyre që jetojnë në skutat e shoqërisë".
Shumë sfida në kontinentin aziatik
Ndër sfidat kontinentale të listave të Azisë, në dokumentin përfundimtar, prelatët e Kishave katolike kujtojnë polarizimin, shembjen e institucioneve globale, kulturën e pushtetit, ndryshimin e shpejtë teknologjik, migrimin, degradimin ekologjik, tkurrjen e hapësirave demokratike dhe pabarazitë sociale dhe ekonomike në rritje. Ato nuk janë vetëm "pengesa për t'u kapërcyer", por edhe "mundësi për një dëshmi të ripërtërirë misionare" të Kishës, e cila është e ftuar të mishërojë Ungjillin "më autentikisht" përmes edukimit, dialogut ndërfetar, mikpritjes, kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët dhe angazhimit më të thellë ndaj dinjitetit dhe solidaritetit njerëzor.
Klerikalizmi si pengesë për bashkimin
Federata e Konferencave të Ipeshkvijve Aziatikë prek edhe një problem tjetër, tërësisht të brendshëm për Kishën: klerikalizmin. Ai "mund ta pengojë bashkimin, pjesëmarrjen dhe bashkëpërgjegjësinë ndërmjet gjithë të pagëzuarve". E kjo "na bën thirrje për një kthesë të vazhdueshme baritore dhe sinodale, na nxit për një kulturë dëgjimi, dallimi të përbashkët dhe udhëheqjeje shërbyese". E edhe "ura dhe ndërtues urash", pikërisht, në një kontinent "të bekuar nga qytetërime të lashta, fe të mëdha dhe popuj të rinj". Një gjest konkret, "simbol i fuqishëm i thirrjes sonë", ishte ecja nëpër "Tunelin e Miqësisë" që lidh Katedralen e Zojës së Ngjitjes në Qiell me Xhaminë Istiqlal në Xhakarta, gjatë seancës plenare. Ky gjest na kujtoi "edhe një herë se feja jonë na thërret të ndërtojmë ura, jo barriera".
Leoni XIV, impuls i angazhimit ekumenik
Në mesazhin drejtuar Federatës së Konferencave të ipeshkvnore aziatike (FABC), Papa Leoni XIV vuri në dukje se bashkimi më i fortë ndërmjet Kishave lokale është themelor që Kisha në Azi të përmbushë misionin e saj si ndërtuese urash në shoqëri të larmishme kulturore dhe fetare. Ipeshkvijtë e përsërisin këtë në dokumentin përfundimtar: “Kthehemi në shtëpi të frymëzuar për t’u bërë Kishë sinodale misionare, që dëgjon thellë, hap dyert, tejkalon kufijtë dhe i shoqëron të gjithë njerëzit”.