Kërko

Kardinali Pierbattista Pizzaballa merr çmimin Limes nga Lucio Caracciolo dhe Laura Canali Kardinali Pierbattista Pizzaballa merr çmimin Limes nga Lucio Caracciolo dhe Laura Canali

Kard. Pizzaballa: "Gaza është katastrofë. Të mos e lëmë Tokën e Shenjtë të qetë"

Patriarku Latin i Jerusalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, mori Çmimin Limes për Dialog dhe Paqe më 29 qershor, në Bergamo. Vizitën e tij të fundit në Rrip, më 22 dhe 23 qershor, e përshkroi kështu: "Udhëtoni në rrugë të paparashikuara, ndërmjet tendave dhe kanalizimeve. E këtu jetojnë njerëzit. E një aspekt që imazhet nuk e përcjellin, janë aromat. Dhe një nga plagët më të përhapura tani janë minjtë, të cilët i kafshojnë, veçanërisht fëmijët".

Vatican News

"Udhëton në rrugë të paparashikuara, ndërmjet çadrave dhe kanalizimeve. E këtu jetojnë njerëzit. Një gjë që fotografitë nuk e kapin, janë aromat. E, një nga plagët më të përhapura, tani janë minjtë, të cilët i kafshojnë, veçanërisht fëmijët". "Kemi nevojë për empati me ata, të cilët nuk mendojnë si ne": ky është një nga mesazhet më të forta që Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jerusalemit, shprehu nga skena e Teatro Sociale në Bergamo, Itali, ku të hënën, më 29 qershor, Kardinalit Pizzaballa iu dha Çmimi për Dialog dhe Paqe nga revista gjeopolitike italiane Limes. Mesazh i fuqishëm, para së gjithash sepse shpreh thelbin e mendimit gjeopolitik - të vësh veten në vendin e dikujt tjetër - por mbi të gjitha, sepse vjen pas një sërë historish dhe dëshmish, që dukeshin se e bënin pothuajse të pamundur atë ushtrim të identifikimit.

"Gaza është katastrofë"

"Gaza ësht katastrofë", theksoi Kardinali Pizzaballa në bisedën e tij me redaktorin e Limes, Lucio Caracciolo, duke rrëfyer vizitën e tij në Rrip, bërë vetëm javën e kaluar, më 22 dhe 23 qershor, me Teofilin III, Patriarkun Ortodoks Grek të Jerusalemit:

"Qytetet janë bërë rrafsh me tokën, janë ndotur, janë shkatërruar. Rafah nuk ekziston më! Ajo që më bën më shumë përshtypje është udhëtimi në rrugë të çrregullta, ndërmjet tendave, midis kanalizimeve. Këtu jetojnë njerëzit e Gazës. Një aspekt, që nuk e duron as fantazia, janë aromat. E një nga plagët më të përhapura tani janë minjtë, të cilët kafshojnë. Ata kafshojnë veçanërisht fëmijët, dhe Gaza është plot me fëmijë; janë kudo, por në vend që të shkojnë në shkollë, luajnë, të pistë, pranë kanalizimeve.

Një situatë që nuk tregon shenja përmirësimi edhe pas armëpushimit sepse, vazhdon Pizzaballa, "ndërsa sot arrin të hyjë pak ushqim, gjithçka tjetër është ende e ndaluar". Produktet me përdorim të dyfishtë nuk lejohen. Edhe me përdorim të dyfishtë, ato përfshijnë madje edhe bankat e shkollës, lapsat, fletoret dhe xhamat e përdorur për të bërë dritare. Ne duam të rihapim shkollat, por pothuajse gjithçka mungon. Po përpiqemi ta kompensojmë këtë duke ricikluar copa këtu e atje. Çka nevojitet menjëherë, më thanë punonjësit e shëndetësisë, është personel i përgatitur për të ndihmuar traumat psikologjike të fëmijëve e të nënave. Do të jetë  çështje që duhet të adresohet me ndjeshmërinë e duhur. Mund ta them këtë në mënyrë jodiplomatike, por, me shumë keqardhje, nuk mund ta kuptoj".

Ndërkohë, po mbërrijnë pamje të një sulmi ajror izraelit që shkatërroi dhjetëra tenda, në të cilat jetonin familjet palestineze të zhvendosura, në një zonë të dendur, të populluar, të Rripit. Gratë, fëmijët dhe madje edhe personat me aftësi të kufizuara u detyruan të kalonin natën jashtë. Tetë vetë vdiqën në Gazën qendrore dhe jugore. Dy të tjerë vdiqën në veri të Khan Yunis, të dy të arritur nga dronët.

Situata në territoret e pushtuara

Po aq dramatike është situata në Bregun Perëndimor, në Shtetin e Palestinës ku, shpjegon Patriarku Pizzaballa, "nuk ka ligj, e edhe nëse ka, nuk është projektuar për palestinezët. Kolonëve izraelitë u lejohet gjithçka. Ata ngrejnë pika kontrolli kudo, presin pemë, nuk të lënë të kultivosh tokën tënde; sulmet, vjedhjet dhe fyerjet janë bërë dukuri të përditshme". Edhe këto përsëriten sepse mbeten plotësisht të pandëshkuara: "Ne shpesh e thërrasim ushtrinë izraelite (IDF) të ndërhyjë për të qetësuar kolonët, por kur mbërrijnë, ata janë larguar tashmë, sikur dikush t'i kishte paralajmëruar paraprakisht... e kështu IDF përfundon duke na e marrë hakun".

Përpjekja për dialog dhe paqe

Përshkrimi i Gazës së shndërruar në një grumbull rrënojash, me fëmijë që luajnë në kanalizime dhe pickohen nga minjtë, si dhe me sulme të kolonëve në Bregun Perëndimor, nuk e pengon Pizzaballën të reflektojë mbi rëndësinë e dialogut. Kjo nevojë është edhe më mprehtë sot, sepse "7 tetori është thellësisht i pranishëm në shpirtin hebre dhe izraelit. Që nga ajo ditë, hezitimet e fundit janë zhdukur". Kardinali pranon se sot, Izraeli "është përzierje gjërash", ku "gjithçka e ka pak-nga-pak, por ku, duhet ta them me hidhërim, më të ashpërit janë ushtarët fetarë. Është shumë e vështirë të kesh marrëdhënie të qartë dhe paqësore me ta. Segmentet më ekstreme të popullsisë hebraike nuk janë ende me shumicë, por po gëzojnë mbështetje në rritje dhe po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme politikisht, me pasoja përçarëse për vetë shoqërinë izraelite".

Si po ndryshon Izraeli

Lucio Caracciolo, në këtë drejtim, kujton konceptin e ndarjes fisnore të shoqërisë izraelite, të avancuar në veçanti nga ish-Presidenti izraelit Reuven Rivlin në vitin 2015, për të përshkruar një shoqëri të fragmentuar në katër grupe të dallueshme demografike, që jetojnë krah për krah, me sisteme arsimore të ndara dhe stile jetese të ndryshme: sionistë laikë, hebrenj nacionalistë fetarë, hebrenj ultra-ortodoksë dhe arabë izraelitë. Kjo ndarje, së bashku me statistikat që tregojnë një numër të Haredimëve në rritje (hebrenj ultra-ortodoksë, që nuk e njohin Shtetin e Izraelit), "po nxit një situatë pasigurie në shoqërinë izraelite, paralelisht me faktin se Izraeli vazhdon të ndihet i rrethuar nga vendet arabe. Kjo i përcakton zgjedhjet e Izraelit", vëren Kardinali Pizzaballa.

E kështu po ndryshon edhe Jerusalemi, "në demografinë e tij, në gjeografinë e tij, por mbi të gjitha në kufijtë e brendshëm dhe psikologjikë të banorëve të tij. Mënyra se si perceptohet qyteti po ndryshon. Deri vonë, Qyteti i Vjetër i Jeruzalemit banohej kryesisht nga arabë: tani është normale të shohësh hebrenj, madje edhe fetarë, kudo. Popullsia arabe po zvogëlohet, po kështu, edhe përbërësi i krishterë. Arsyeja pse përplasjet po shtohen, lidhet edhe me këtë: me faktin se njerëzit po takohen gjithnjë e më lehtë. Tani po jetojmë në flluska të ndara. Në vitet e fundit, komuniteti arab i Jerusalemit mori pjesë pak në ngjarjet politike të Gazës dhe të Bregut Perëndimor, jo për shkak të mungesës së solidaritetit, por të kontrollit të hekurt të ushtrisë, e gjithashtu për të mbrojtur atë pak që ka mbetur nga karakteri i Jerusalemit. "Zemra është e gjitha atje".

"Ne i përkasim kësaj toke"

Dhe pikërisht tek zemra kthehet Pizzaballa, pas një analize të qartë të dinamikës politike, demografike dhe ushtarake që ndikon në Tokën e Shenjtë. "Ne vijmë nga vite gjuhe, narrativash të dhunshme dhe përjashtuese, nga një mendim i nënvlerësuar që gradualisht është bërë shumë i pranishëm". Ai vëren, në përkim me Papën Leoni XIV i cili, pikërisht në "krizën e botës", identifikoi një nga rrënjët më të thella të konflikteve aktuale. Prandaj, thirrja e Patriarkut Latin të Jerusalemit i drejtohet, para së gjithash, publikut dhe medias: "Informacioni, që kërkon të krijohet mirëkuptimi, është i rëndësishëm.

Flisni për të dhe mos i ndiqni modat. Gazetat flasin pak për të, pastaj heshtin! Ai territor na përket neve - ndërsa në të vërtetë, ne i përkasim asaj toke. Izraelitët na thonë: 'Pse nuk flisni edhe për Sudanin e Jugut?'. E thjeshtë. Sepse ne nuk kemi marrëdhënie me Sudanin e Jugut, siç kemi me këtë tokë. Nuk duhet të izolohemi; kemi nevojë për empati, mirëkuptim dhe dialog, pa krijuar barriera të reja. Ju duhet të përpiqeni të na ndihmoni të dalim nga ai pus dhe të mos na lini në të". Shpresë, kjo, që pritja e ngrohtë bergamaske e bëri trashëgimi dhe, që nga Jerusalemi, me angazhimin dhe rolin e Kardinalit Pizzaballa, i hap rrugët e botës.

01 korrik 2026, 15:21