Kërko

Patriarku maronit Elias Hoyek Patriarku maronit Elias Hoyek

Në Dimanë, lumturimi i Elias Hoyekut, protagonist i Libanit të Madh

Në praninë e kardinalit Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve dhe përfaqësues i Papës, sot pasdite ngrihet në nderimin e altarëve Patriarku maronit i Antiokisë dhe i gjithë Lindjes, i cili udhëhoqi Kishën nga viti 1899 deri më 1931. Postulatori: njeri i lutjes dhe mbrojtës i të varfërve, ai e bëri dashurinë hyjnore kriterin e çdo zgjedhjeje baritore. Liturgjinë Hyjnore e kryeson kardinali Béchara Boutros Raï.

Vatican News

Njeri i Zotit, atë i popullit të tij, protagonist i lindjes së Libanit të Madh dhe nxitës i palodhur i jetës kishtare e shoqërore. Ky është portreti i patriarkut maronit Elia Pjetër Hoyek, i cili pasditen e sotme, të shtunën më 25 korrik, lumturohet në Vendin e Kedrave. Liturgjia Hyjnore zhvillohet në selinë verore patriarkale të Dimanës dhe drejtohet nga kardinali Béchara Boutros Raï, patriark i Antiokisë së maronitëve. Në emër të Papës merr pjesë kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Çështjet e Shenjtorëve.

I rrënjosur në fe dhe në dashurinë e plotë ndaj Zotit

Me lumturimin e patriarkut Elia, Kisha maronite dhe Libani kremtojnë një nga figurat më të rëndësishme të historisë së tyre fetare dhe kombëtare. Patriark i Antiokisë dhe i gjithë Lindjes nga viti 1899 deri më 1931, Hoyeku ishte një bari i rrënjosur thellë në fe, i udhëhequr nga një dashuri e plotë për Zotin dhe nga një besim absolut në Provaninë Hyjnore.

«Zoti do të sigurojë» ishte motoja që udhëhiqte çdo vendim të tij dhe që përmblidhte një shpirtërore të jetuar me radikalitet ungjillor. Njeri i lutjes, i përvujtërisë dhe i ndershmërisë, mbrojtës i të varfërve dhe i të shtypurve, ai arriti të bashkonte përsiatjen me një aftësi të jashtëzakonshme drejtimi, duke e bërë dashurinë kriterin e çdo zgjedhjeje baritore.

Nga Libani në Romë

I lindur në dhjetor të vitit 1843 në Helta, në veri të Libanit, Elia Pjetër Hoyek kreu studimet në seminaret e vendit të tij përpara se të transferohej në Romë, ku ndoqi Kolegjin Urban të Propaganda Fide. U shugurua meshtar më 5 qershor 1870 dhe pak muaj më vonë mori doktoraturën në Teologji. U kthye në atdhe i vendosur t’i vinte aftësitë e tij në shërbim të Kishës maronite.

Pasi dha mësim Teologji morale, u thirr të merrte detyra të rëndësishme në Patriarkanën Maronite si sekretar patriarkal. Aftësia e tij, e bashkuar me një drejtësi të njohur morale, e bëri shpejt një nga bashkëpunëtorët më të afërt të patriarkëve.

Kongregata e motrave maronite të Familjes së Shenjtë

Në vitin 1889 u shugurua ipeshkëv titullar i Arkës dhe Vikar Patriarkal. Që nga ai moment kreu misione të ndjeshme diplomatike pranë Selisë së Shenjtë, në Francë, Austri dhe në Perandorinë Osmane, duke kontribuar në rihapjen e Kolegjit Papnor Maronit në Romë dhe në forcimin e pranisë së Kishës maronite në Tokën e Shenjtë dhe në Egjipt.

Në vitin 1895 themeloi gjithashtu edhe Kongregatën e Motrave Maronite të Familjes së Shenjtë, e cila do të zhvillonte një mision të rëndësishëm edukativ, shoqëror dhe shëndetësor.

Ëndrra e Libanit të Madh

I zgjedhur patriark në vitin 1899, Elia Pjetër Hoyek udhëhoqi Kishën maronite për më shumë se tridhjetë vjet, një periudhë e shënuar nga ndryshime të mëdha politike dhe vuajtje të rënda.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, kur Libani ishte shkatërruar nga uria, ai urdhëroi që dyert e Patriarkanës dhe të manastireve të hapeshin, në mënyrë që ato të shndërroheshin në strehë për mijëra njerëz të uritur. Dashuria e tij baritore mbetet ende sot një nga faqet më të ndritshme të historisë së vendit.

Krahas veprimtarisë baritore, Elia Pjetër Hoyek pati edhe një angazhim vendimtar në planin kombëtar. Në vitin 1919 përfaqësoi Libanin në Konferencën e Paqes në Versajë, duke mbrojtur me vendosmëri të drejtën e popullit të tij për një shtet të pavarur.

Një vit më vonë, më 1 shtator 1920, ai ishte dëshmitar i shpalljes së Libanit të Madh nga gjenerali Henri Gouraud, ngjarje që edhe sot e lidh pazgjidhshmërisht emrin e tij me lindjen e shtetit libanez.

Shenjtëria si thesar i çmuar i Kishës

I bindur se shenjtëria ishte thesari më i çmuar i Kishës, Elia Pjetër Hoyek ndoqi personalisht nismat e para për të nxitur çështjet e shenjtërimit të maronitëve Sharbeli Makhlouf, Nimatullah Hardinit, shenjtores Rafqa dhe vëllezërve martirë Massabki, duke inkurajuar njohjen e tyre zyrtare nga Selia e Shenjtë.

Elia Hoyeku vdiq natën e Krishtlindjes të vitit 1931. Lajmi i vdekjes së tij shkaktoi një dhimbje të thellë në të gjithë Libanin: kambanat e Kishave ranë për zi dhe mijëra besimtarë erdhën për t’i bërë nderim atij që tashmë e quanin vetvetiu «patriarku i shenjtë».

Që atëherë, varri i tij është bërë vend pelegrinazhi i vazhdueshëm dhe shumë hire i janë atribuar ndërmjetësimit të tij.

Çështja e lumturimit

Në maj të vitit 1936, gjatë transferimit të trupit nga Bkerké në manastirin e Familjes së Shenjtë në Ebrine, trupi u gjet i paprishur, siç dëshmojnë procesverbalet zyrtare të kohës.

I njëjti fenomen u konstatua përsëri më 18 prill 2026, gjatë hetimit kanonik të relikteve të parashikuar për përfundimin e Çështjes.

Çështja e lumturimit, e nisur zyrtarisht nga Kongregata e Motrave Maronite të Familjes së Shenjtë në vitin 2010, pati një hap themelor më 6 korrik 2019, kur Papa Françesku njohu heroizmin e virtyteve të patriarkut dhe e shpalli atë të nderuar.

Më pas u shqyrtua një mrekulli që i atribuohet ndërmjetësimit të tij: shërimi i pashpjegueshëm i një ushtari të ushtrisë libaneze, pjesëtar i komunitetit druz.

Pas vlerësimit pozitiv të konsultës mjekësore, teologëve këshillues dhe sesionit të zakonshëm të kardinalëve e peshkopëve të Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, Leoni XIV autorizoi dekretin e lumturimit më 22 maj 2026.

Papa gjithashtu vendosi që kujtimi liturgjik i të Lumit të ri të kremtohet çdo vit më 5 qershor, në përvjetorin e shugurimit të tij meshtarak.

Dëshmitar i shpresës

Lumturimi i Elias Pjetër Hoyekut përfaqëson shumë më tepër sesa njohjen e virtyteve të një patriarku të madh. Ai i rikthen Kishës dhe Libanit një model bariu që di të bashkojë përsiatjen dhe veprimin, fenë dhe përgjegjësinë qytetare, dashurinë për Zotin dhe shërbimin ndaj popullit e atdheut.

Në një kohë të shënuar nga kriza të thella, dëshmia e tij vazhdon të tregojë një rrugë shprese të mbështetur në besimin te Provania Hyjnore, në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe në angazhimin e palodhur për të mirën e përbashkët.

Lutja

E gjithë shpirtërorja e të Lumit Hoyek gjen një përmbledhje të ndritur në këtë lutje të tij:

«O Zoti im, më dhuro hirin të jetoj dhe të vdes në mënyrë që të jem gjithmonë i pëlqyeshëm për Ty. Zoti im, më jep hirin e dashamirësisë sate, sepse ajo është e mira ime, thesari im, lavdia ime, jeta ime, shpresa ime, gëzimi im, dëshira ime e vetme dhe gjithçka ime.

Udhëhiqmë, më drejto dhe ndriçoje mendjen time me dritën e urtësisë sate të pafundme, sepse besoj vetëm në mëshirën tënde dhe në asgjë tjetër. Nuk dëshiroj asgjë tjetër veçse të përmbush vullnetin tënd të shenjtë dhe të jem gjithmonë i pëlqyeshëm në sytë e tu. Amen».

nga Hanna Alwan, postulator



25 korrik 2026, 16:22