Kërko

2026.07.15 Il nunzio in Siria mons. Cona in alcuni villaggi cristiani

Siri, nunci viziton fshatrat e krishtera: “zemra ime pranë suajës”

Në fund të qershorit, nunci apostolik në Siri, imzot Cona, vizitoi fshatrat Yaqubie, Knaye dhe Ghassanieh, në provincën e Idlibit. Në kuvendin e Kujdestarisë së Tokës Shenjte u zhvillua takimi institucional dhe një bisedë me të rinj të etur për mundësi pune dhe për një vend në shoqëri. Dhanë dëshmi ata, që vuajtën në tortura, ose humbën shtëpitë, vendet e punës dhe shëndetin, për shkak të luftës dhe, më pas, të tërmetit

Vatican News

Nga 26 deri më 28 qershor, nunci i ri apostolik në Siri, imzot Luigi Roberto Cona, vizitoi fshatrat e krishtera të Yaqubie, Knaye dhe Ghassanieh, në provincën e Idlibit, dikur bastion i Shtetit Islamik ISIS. I pritur me entuziazëm të madh nga banorët dhe i shoqëruar nga françeskanët e Kujdestarisë së Tokës Shenjte, ai u takua edhe me përfaqësues të institucioneve siriane. Ngritja e flamujve të Selisë së Shenjtë dhe të Sirisë përpara kuvendit françeskan u paraqit si simbol i bashkëjetesës historike ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve. Gjatë takimeve me bashkësinë e krishterë, nunci imzot Coba siguroi afërsinë e tij dhe i ftoi besimtarët ta bazojnë sigurinë e tyre jo në rrethanat politike, por te feja në Krishtin dhe në Provaninë Hyjnore.

Një bashkësi e plagosur, që dëshiron të qëndrojë në vend

Françeskanët kujtuan se të krishterët e kësaj zone nuk kanë ikur nga toka e tyre pavarësisht nga lufta, përndjekjet, bombardimet dhe tërmetit të vitit 2023. Ata u kanë dhënë ndihmë të zhvendosurve të çdo feje dhe besimtarëve të bashkësive të tjera të krishtera, që kanë mbetur pa barinjtë e tyre shpirtërorë. Shqetësimi kryesor është e ardhmja e pranisë së krishterë: zbrazja e fshatrave, numri shumë i vogël i martesave dhe emigrimi i të rinjve vënë në rrezik mbijetesën e këtyre komuniteteve. Për këtë arsye, u kërkua më shumë mbështetje për formimin profesional dhe krijimin e vendeve të punës. Imzot Cona propozoi gjithashtu të vlerësohet trashëgimia vendase përmes restaurimit të ndërtesave tradicionale, duke i shndërruar ato në bujtina e shtëpi mikpritëse, me qëllim zhvillimin e turizmit dhe ringjalljen e ekonomisë lokale.

Martirë të vërtetë të fesë

"Të krishterët që jetojnë këtu gjejnë tek ne forcën për të vazhduar jetën", theksoi gjatë takimit me nuncin, atë Louai Bsharat, OFM, famullitar i Yaqubie. Prifti, me origjinë jordaneze, vuri në dukje historinë e lashtë të të krishterëve në këto toka, që daton nga koha e apostujve, duke nënvizuar se françeskanët kanë qenë gjithnjë pikë referimi, "shkëmb" për t'u mbështetur.

"Nëse takoni të krishterët që jetojnë këtu, do të përjetoni të njëjtën përvojë të të krishterëve të shekujve të parë, të cilët jetuan në fshehtësi. Këtu ata qëndrojnë në të njëjtat kushte e nuk e braktisin tokën e tyre. Mbeten njerëz të paqes, dhe për fat të keq, janë viktima të dhunës dhe të fyerjeve nga të dyja palët e konfliktit". Atë Bsharat përmendi dëmin e shkaktuar nga regjimi i vjetër, i cili nuk hezitoi të bombardonte kishat, edhe ndërsa mirëprisnin gratë dhe fëmijët e zhvendosur të të gjitha feve. Këta të krishterë paguan një çmim të lartë: "Ata janë martirë të vërtetë të fesë. Dhe më mësojnë si të lidhem me rrënjët e fesë", vërejti famullitari.

Dëshmitë e luftës dhe impenjimi për rindërtimin

Gjatë vizitës, nunci apostolik dëgjoi edhe shumë dëshmi të tjera prekëse për vuajtjet e përjetuara. Bassem Artin tregoi për rrëmbimin, torturat dhe kërcënimet me vdekje që pësoi gjatë luftës, duke dëshmuar se besimi në Zotin i dha forcën për të qëndruar. Salim Jallouf kujtoi bombardimin e shtëpisë, që u rrënua krejtësisht, prerjen e njërës këmbë pas plagosjes dhe, më pas, shkatërrimin e banesës së re nga tërmeti i vitit 2023. Megjithatë, ai vazhdon të punojë dhe shpreson të jetojë në paqe në vendin e tij. Meshtarët françeskanë shpjeguan përpjekjet për rindërtimin e shkollave, të kishave dhe të shtëpive, si edhe për mbështetjen e familjeve që janë kthyer në zonën e tyre. Pavarësisht nga vështirësitë e mëdha, bashkësia e krishterë në këto fshatra vazhdon ta shohë me shpresë të ardhmen, duke e kthyer vuajtjen në një dëshmi të gjallë të fesë, shpresës dhe rilindjes.

15 korrik 2026, 13:38