Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës XVI të vitit liturgjik ‘A’
Vatican News
Në Ungjillin e së dielës XVI të vitit kishtar (A), marrë nga kreu 10 i Shën Mateut, Jezu Krishti u tregon të vetëve shëmbëlltyrën e grurit e të egjrës. Gruri, që na shërben si ushqim, rritet së bashku me egjrën e në fund, i zoti i arës i ndan nga njëri-tjetri dhe e djeg egjrën. Kështu do të ndodhë edhe me njerëzimin. Zoti e lë njeriun e ngjashëm me egjrën të jetojë krah njerëzve të mirë, duke i dhënë gjithnjë një mundësi. Në fund, ndan të mirët nga të këqinjtë. Të ndjekim pjesën ungjillore (Mt 13,24-43)
Në atë kohë, Jezusi tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me njeriun që mbolli farë të mirë në arën e vet. Ndërkohë që njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij, mbolli egjër nëpër grurë e shkoi. Kur u rritën të mbjellat dhe lidhën frytin, atëherë u duk edhe egjra. Shërbëtorët iu afruan zotështëpisë dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga doli, pra, egjra? Ai u përgjigji: ‘Armiku e bëri këtë!’ Atëherë i thanë shërbëtorët: ‘A të shkojmë e ta mbledhim?’ Jo - u përgjigji ai - se duke e mbledhur egjrën druaj se, bashkë me të, nxirrni edhe grurin! Lëni të rriten bashkë deri në të korra. Në kohë të korrjes do t’u them korrëtarëve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni duaj për ta djegur e grurin mblidheni në drithnikun tim!’”
Mandej u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por, kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në lëndë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tija”.
U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell derisa të mbruhet të gjithë”. Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra që të plotësohej fjala e profetit: Do të flas në shëmbëlltyra, do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi (i botës)’.
Atëherë e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan dhe e pyetën: “Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës”. Ai u përgjigj: “Ai që e mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Korrtarët janë engjëjt. Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashnjyesit dhe ata që bëjnë keq, e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh. Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka vesh, le të dëgjojë!”
Të lutemi së bashku
Jemi edhe ne si ata shërbëtorë: kemi ngut
për të vendosur drejtësinë,
mezi presim ta ndajmë farën e mirë
nga bari i keq,
me çdo kusht, duam ta shkulim
e ta djegim çdo lloj egjre.
Pse gjithë ky ngut o Zot?
Për shkak të dashurisë për Ty?
Të dashurisë për Mbretërinë tënde?
Sepse e kemi për zemër
realizimin e planit Tënd?
Apo ndoshta, sepse nuk arrijmë
ta durojmë sadopak
praninë e egjrës,
sepse nuk i rezistojmë dot
këtij tundimi të përhershëm
apo sepse ngremë duart e dorëzohemi
para joshjes së të keqes.
Por ky ngut nuk tregon aspak
se jemi më të fortë se egjra.
Madje, është shenja më e qartë
e vështirësisë dhe e keqdashjes sonë.
Nëse duam të ndahemi, të dallohemi, të përçahemi,
nëse duam të takohemi vetëm me njëri-tjetrin,
të shihemi veç me ata, që e mendojnë si ne,
kjo ndodh sepse nuk dëshirojmë
të marrim pjesë në këtë histori
ku e mira dhe e keqja bashkëjetojnë
pranë njëra-tjetrës.
Problemi është se nuk kemi besim
në këtë lloj vendimi.
Ndërsa Ti, o Jezus, ke durim
e je ne gjendje të presësh,
sepse askush më shumë se Ti
s'beson kaq shumë në Fjalën e Atit.