Kërko

Toka e Shenjtë: Atë Ielpo, "Zoti nuk e shpëton botën me forcë"

Kremtimi në Bazilikën e Varrit të Jezu Krishtit na kujton se me Krishtin asnjë vuajtje nuk është e kotë! E na mëson që ta njohim fytyrën e Tij ndër ata që vuajnë sot dhe të besojmë se asnjë vuajtje e jetuar me Të nuk është e kotë.

Vatican News

Si çdo vit, më 15 korrik, Kisha e Jerusalemit kremtoi kushtimin e Bazilikës së Varrit të Shenjtë. Liturgjia e këtij viti u kryesua nga Rojtari i Tokës Shenjte, Atë Francesco Ielpo, që bashkëkremtoi me Abatin Benediktin të Bazilikës së Fjetjes, Nikodemus Schnabel, Abatin e Maria Laach, Mauritius Wilde dhe Kardinalin Grzegorz Ryś, Kryeipeshkëv i Krakovisë. Të pranishëm, edhe anëtarë të Urdhërit të Kalorësve të Varrit të Shenjtë, të cilët javët e kaluara u morën me pastrimin dhe restaurimin e shandaneve të Bazilikës.

Në predikim, Rojtari, Atë Francesco Ielpo, theksoi kuptimin e thellë të përvjetorit: "Çdo vit, duke kremtuar kushtimin e Bazilikës së Varrit  Shenjt, ne nuk përkujtojmë thjesht ndërtesën, por zemrën e fesë tonë të krishterë. Kjo Bazilikë ruan kujtimin e Ngjalljes së Krishtit Jezus". Një vend që, theksoi Atë Ielpo, ruan misterin e "Të Pafajshmit që mori mbi vete mëkatin e botës".

Atë Ielpo, më pas, e lidhi mesazhin e ringjalljes me vuajtjet që aktualisht po e prekin Tokën e Shenjtë e mbarë botën. "Edhe sot, Zoti vazhdon të mbajë mbi vete paudhësitë tona. Vazhdon të marrë mbi vete barrën e urrejtjes, të dhunës, luftës, përçarjes dhe indiferencës", pohoi Françeskani.

Duke kujtuar tragjedinë e përjetuar nga kaq shumë njerëz, Atë Ielpo shtoi: "Çdo ditë shohim burra, gra e fëmijë të pafajshëm që vuajnë. Shohim popuj të plagosur, familje të shkatërruara, njerëz që duket se nuk kanë fytyrë as shpresë". Pikërisht në vendin e Ngjalljes, shpjegoi Rojtari, del në pah kuptimi i krishterë i shëlbimit: "Këtu, në vendin ku Krishti e mundi të keqen me dashuri, ne e kuptojmë se Zoti nuk e shpëton botën me forcë, por duke e ndarë deri në fund të fundit vuajtjen e njeriut".

Në qendër të reflektimit të Atë Francesco Ielpos ishte edhe lidhja e pandashme e Mundimit dhe Ngjalljes së Jezu Krishtit. “Bazilika e Varrit të Shenjtë ruan si Kalvarin - ashtu edhe varrin bosh të Krishtit. Nuk mund t’i ndajmë”, kujtoi Atë Ielpo. “Mundimi pa ngjalljen nuk do të ishte gjë tjetër, veç  tragjedisë. E Ngjallja pa mundimin do të ishte iluzion. Këtu mësojmë se dashuria e Zotit kalon përmes kryqit dhe e shndërron vdekjen në jetë”.

Duke e përfunduar predikimin,  Rojtari i Tokës Shenjte, Atë Francesco Ielpo i ftoi besimtarët ta njohin praninë e Krishtit në të vuajturit e kohës sonë. “Më 15 korrik, ndërsa kremtojmë kushtimin e kësaj Bazilike, kërkojmë një hir: që edhe ne të mund të ecim në rrugën e përshkruar nga Isaia profet, të kalojmë nga gjykimet tona në fe, të mësohemi që ta njohim fytyrën e Krishtit ndër ata që vuajnë sot dhe të besojmë se asnjë vuajtje e jetuar me Të nuk është e kotë”.

17 korrik 2026, 13:12