Toka Shenjte: Kardinali Pizzaballa në përurimin e Kishës së Shën Kiarës
Vatican News
"Në këtë Jerusalem të plagosur, ku rrugët ende mbartin peshën e përçarjeve, Kisha kushtuar Zemrës së shporuar të Krishtit qoftë shenjë e dukshme, që tregon se dashuria është më e fortë nga çdo mur dhe se paqja është ende e mundur". Kjo është shpresa që kujtoi sot në mëngjes Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jerusalemit, në predikimin e tij për kushtimin e kishës dhe shenjtërimin e altarit të manastirit të Shën Kiarës, në Jerusalem. Ngjarje që, theksoi Kardinali Pizzaballa, "nuk ka të bëjë vetëm me një komunitet apo familje fetare, por me mbarë Kishën".
Kisha e re, kushtuar Zemrës së Shenjtë të Jezusit, që lartohet "disa hapa nga Kalvari, ku brinja e Krishtit u shpua nga shtiza", të kujton misterin e dashurisë së Zotit të manifestuar në Pashkët e Krishtit. Kardinali Pizzaballa shpjegoi se kremtimi nuk përfaqëson thjesht përurimin e një hapësire të rindërtuar: "Ne nuk po bekojmë thjesht një ndërtesë të rinovuar. As nuk po festojmë thjesht përfundimin e një vepre arkitekturore tërësisht të përtrirë. Sot Kisha merr një shtëpi të ndërtuar nga duart e njeriut dhe ia beson përgjithmonë Zotit".
Kuptimi më i thellë i ritit, shtoi Kardinali Pizzaballa, ka të bëjë para së gjithash me njerëzit. Duke kujtuar fjalët e Shën Palit, patriarku kujtoi: "Ju jeni ndërtesa e Zotit" - e tempulli i vërtetë është populli i Zotit. Para gurëve, është besimi. Para ndërtesës, është bashkësia. Para altarit prej guri, është flijimi i gjallë i burrave dhe i grave që ia ofrojnë veten Zotit", deklaroi ai. Duke iu drejtuar murgeshave të varfra Klarise, Patriarku Pizzaballa theksoi vlerën e jetës kundruese në një kontekst të shënuar nga konflikti dhe tensioni.
"Nga ky vend kushtuar Zemrës së Shenjtë, duhet të rrjedhë një rrymë e padukshme hiri. Jo përmes veprave të mëdha të jashtme, jo përmes zhurmës, jo përmes fuqisë, por përmes lutjes, adhurimit, jetës së fshehur me Krishtin, në Zotin". E përsëri: “Klauzura, apo jeta juaj krejt e mbyllur, nuk ju ndan nga bota: ju vë në zemër të botës, madje ju vendos në vetë Zemrën e Krishtit, i cili e deshi botën deri në fund të fundit”.
Duke u kthyer te drama që prek Qytetin e Shenjtë Jeruzalemin dhe të gjithë rajonin, Kardinali Pizzaballa shprehu besimin që nga ky vend “të lindë një lutje, e cila nuk lodhet kurrë së kërkuari dhuratën e pajtimit, në mënyrë që Jeruzalemi, qytet i mosmarrëveshjeve, të rizbulojë thirrjen e tij si nënë që mirëpret fëmijët e saj”. Kisha e Zemrës së Krishtit dhe Kuvendi i Shën Kiarës, përfundoi kardinali Pizzaballa, janë “shtëpi shpëtimi dhe hiri, vend lutjeje dhe paqeje”, në mënyrë që të gjithë ata të cilët hyjnë, të mund ta takojnë “praninë e gjallë të dashurisë së Zotit”.