Kërko

Cisjordania, Atë Faltas: "Rritet dhuna kundër palestinezëve. Njerëzit janë të dëshpëruar"

Dëshmia e drejtorit të shkollave të Kujdestarisë së Tokës Shenjte, Atë Faltas i cili përshkruan kushtet e vështira të jetesës së popullsisë. Edhe rihapja e shkollave premton të jetë e ndërlikuar, duke pasur parasysh se shumë mësues nga institucionet e krishtera nuk kanë marrë leje për të punuar në Jerusalemin Lindor. Ndërkohë, civilët e pafajshëm vazhdojnë të vuajnë në Gaza.

Vatican News

"Situata në Bregun Perëndimor dhe në Gaza vazhdon të keqësohet, ndaj njerëzit nuk mund ta përballojnë më". Fjalët e Atë Ibrahim Faltas, drejtor i shkollave të Kujdestarisë së Tokës Shenjte, janë plot me dhimbje. Në një bisedë me mediat e Vatikanit, frati françeskan i përshkruan, nga Jerusalemi, kushtet e mjerueshme të jetesës së palestinezëve, të shtypur nga dhuna e kolonëve, lëvizja e kufizuar për shkak të pranisë së mijëra pikave të kontrollit dhe mungesa e punës.

Atë Ibrahim Faltas flet edhe për Gazën, ku njerëzit vazhdojnë të vdesin. "Jam në Tokën e Shenjtë prej 37 vjetësh - thotë prifti i lindur në Egjipt - e është, me të vërtetë, për ditë e më keq. Ne vazhdojmë të jemi pranë njerëzve, por kjo është tejet e vështirë. E vështirë... Nuk kam parë kurrë një situatë të tillë". Në muajt e fundit, Bregu Perëndimor ishte skenë e ngacmimeve dhe e sulmeve pothuajse të përditshme nga kolonët - kundër palestinezëve dhe pronës së tyre. Ndërsa procedurat ligjore janë hapur rrallë për t'i mbajtur përgjegjës ata që janë përgjegjës, ushtria izraelite është akuzuar vazhdimisht për tolerimin e këtyre veprimeve dhe dështimin e ndërhyrjeve.

Dhuna dhe padrejtësia, në rritje

"U preka thellësisht nga fjalët e para që tha Ati i Shenjtë Leoni XIV në përshëndetjen pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të dielën e kaluar" - pohoi Atë Faltas. "Papa Leoni përdor fjalë të forta, të vërteta e të drejta. Bën thirrje për t'i dhënë fund dhunës së përsëritur kundër popullsisë civile palestineze në Bregun Perëndimor. Dhuna dhe padrejtësia nga kolonët janë rritur në mënyrë dramatike: kanë rrethuar shtëpitë në fshatin Kusra, pranë Nablusit, për 15 ditë, por kanë pushtuar edhe shtëpi në Jenin, Hebron dhe shumë qytete të tjera në Bregun Perëndimor". Prifti vijon të tregojë se dje, kolonët i vunë zjarrin shumë fushave me ullinj shekullorë dhe vodhën e vranë sa munden kafshët:

"Mora telefonata nga shumë njerëz që duhej të largoheshin nga shtëpitë e tyre; dëgjoja të qarat e fëmijëve dhe ankesat e të moshuarve. Por ata nuk i lejuan ambulancat palestineze të afroheshin për të çuar të sëmurët rëndë në spital".

Një plan, që e largon zgjidhjen me dy shtete

Në këtë kontekst, Papa Leoni i kërkoi me urgjencë bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë për zgjidhjen me dy shtete, "e vetmja zgjidhje e mundshme", thotë Ati Faltas, "një thirrje që kemi vazhduar ta përsërisim për më shumë se shtatëdhjetë vjet për të mirën e Izraelit dhe të palestinezëve". Ndërkohë, disa vende po protestojnë kundër qeverisë izraelite për planin E1, i cili kërkon më shumë vendbanime dhe ndërtime në territorin palestinez, "i projektuar për të izoluar më tej qytetet palestineze si Ramallah, Jenin dhe Nablus. Është plan", pohon Faltas, "që kontribuon për ta distancuar zgjidhjen me dy shtete".

E vështirë, rihapja e shkollave

Ndërkohë, jeta e përditshme po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar për familjet. "Po kemi shumë probleme me rihapjen e shkollave, veçanërisht me lejet e mësuesve, që duhet të vijnë nga Betlehemi - në Jerusalem për të punuar", shpjegon ati françeskan. Nga 15 shkollat ​​e krishtera që veprojnë në Jerusalemin Lindor, të paktën 170 mësues vijnë nga Bregu Perëndimor. Për të shkuar atje nga qytete të ndryshme palestineze, shumë prej tyre duhet të zgjohen që në orën 4 të mëngjesit për të kaluar pikat e kontrollit dhe për të qenë në mësim, në Jerusalem, në orën 7:30 të mëngjesit, por deri më sot lejet e tyre nuk janë rinovuar. "Nëse nuk i marrim, nuk do të jemi në gjendje t'i rihapim shkollat ​​më 1 shtator", paralajmëron meshtari. E kjo, pa e pasur parasysh dëmin e shkaktuar familjeve që kujdesen për fëmijët, personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit. "Shpresojmë se do të jemi në gjendje të sigurojmë vende pune për shumë prej tyre në Jerusalem përsëri këtë vit, por ka shumë kufizime, edhe në lirinë e lëvizjes së palestinezëve për të hyrë në Izrael e për të punuar", sqaron Atë Faltas.

Jerusalemi dhe Betlehemi, qytete të shkreta

Pas 7 tetorit 2023, mbi 70.000 palestinezë kanë humbur lejet e tyre të punësimit, të zëvendësuara nga punëtorë të huaj që mbërritën pas marrëveshjeve të nënshkruara nga Izraeli me vende të tjera. Kjo do të thotë se 70.000 vetë mbetën pa punë, ndërsa jeta e tyre është komplikuar më tej nga izolimi fizik, për shkak të pranisë së pikave të kontrollit dhe bllokimeve rrugore.

Edhe qytetet nuk njihen më: "Jerusalemi është qytet i vdekur, sepse nuk ka më shtegtarë as turistë. Madje edhe vetë njerëzit janë të frikësuar", mbasi atje kanë parasysh sulmet kundër të krishterëve. Bazilika e Varrit të Shenjtë, ku çdo ditë qëndronin radhë të gjata, deri në dy orë, tani është e shkretë, ashtu edhe Bazilika e Lindjes, në Betlehem.

"Si Kujdestar i Tokës Shenjte", vazhdon Atë Ibrahim Faltas, "jemi thellësisht të shqetësuar për ikjen e të krishterëve. Vetëm nga zona e Betlehemit, më shumë se 300 familje janë larguar që nga 7 tetori. Shumë njerëz më kanë telefonuar, duke qarë, nga Betlehemi, e duke kërkuar ndihmë. 'Duhet të punojmë, përndryshe do të largohemi', më thanë. E përsëri: 'Nuk ka të ardhme për fëmijët tanë në këtë dhé'".

Sulmet kundër civilëve vazhdojnë në Gaza

"Është situatë çnjerëzore", pohon frati, por nuk duhet të na verbojë prej asaj që po ndodh në Gaza, ku njerëzit vazhdojnë të vdesin në heshtje: "Sulmet nuk pushojnë së vrari civilë të pambrojtur dhe të pafajshëm; ndërsa njerëzit po vdesin edhe nga vapa këto ditë".

Rregulltari françeskan Atë Ibrahim Faltas thekson, në veçanti, gjendjen e vështirë të fëmijëve, që kanë nevojë për kujdes, e edhe të sëmurëve, shumë prej të cilëve i  kërkojnë Kishës mbështetje që të gjejnë një mënyrë për të ikur nga Rripi e për të pasur trajtim shpëtues, përveç gjendjes së vështirë të 40,000 jetimëve.

"Që kur u shpall armëpushimi, mijëra njerëz u vranë. Pra, lufta nuk ka mbaruar. Dua vetëm të bëj një pyetje, përfundon Atë Faltas: e deri kur do të vazhdojë gjithë kjo që po jetohet në këto vise?".

22 gusht 2026, 16:13