Kërko

2023.08.05 Dottrina Cristiana in Albanese di Mons Gjon Kazazi

Imzot Gjon Kazazi: dijetari që zgjoi kujtesën e shkruar të shqiptarëve

Në ditën e përvjetorit të kalimit në Amshim, mendja dhe zemra kthehen pas në kohë, drejt memories së amshuar të Imzot Gjon Nikollë Kazazit (1702–1752). Kryeipeshkëv i Shkupit, rojtar i kujdesshëm i fjalës së Zotit dhe udhërrëfyes i ardhjes së dritës mbi errësirën e harresës, ai mbetet një nga gurët më të çmuar në kurorën e Kishës dhe të gjuhës arbënore.
Vatican News

Çdo 5 gusht, me rastin e përvjetorit të kalimit të tij në amshim (1752), Kisha Katolike dhe kultura shqiptare nderojnë një nga figurat më vizionare të shekullit XVIII: Imzot Gjon Nikollë Kazazin. Kryeipeshkëv, teolog e humanist i shquar, Kazazi nuk ishte vetëm një bari shpirtëror i përkushtuar, por edhe njeriu që i fali historisë sonë kombëtare dokumentin e saj më të çmuar letrar.

Nga Gjakova në Kolegjet e Italise: Formimi i një eliti intelektual

I lindur në Gjakovë në vitin 1702, Gjon Nikollë Kazazi i përkiste atij brezi klerikësh patriotë që e parashikonin arsimimin si të vetmen rrugë për të mbrojtur identitetin dhe besimin e një populli shqiptar nën sundimin osman. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, rrugëtimi i tij shkencor e çoi drejt Italisë.

Në Kolegjin Ilirik të Fermos dhe më pas në atë të Loretos, ai u shqua për një etje të jashtëzakonshme ndaj dijeve teologjike, filozofike e gjuhësore. Në moshën 25-vjeçare mbrojti doktoraturën në teologji e filozofi, duke u shuguruar meshtar dhe duke nisur kështu një mision meshtarak e udhë intelektuale dhe baritore.

Viti 1740: takimi historik me "Mesharin" e Buzukut

Hapi që do ta përjetësonte emrin e Imzot Kazazit në panteonin e kulturës shqiptare u shënua në vitin 1740. Gjatë kërkimeve të tij hulumtuese në arkivat e Bibliotekës së Propaganda Fide-s në Vatikan, syri i tij hulumtues zbuloi një libër të vetëm, të zverdhur nga koha, por me vlerë të jashtëzakonshme: "Mesharin" e Don Gjon Buzukut (1555).

Deri në atë moment, gjuha shqipe e shkruar konsiderohej nga shumë rrethe perëndimore si një e kaluar e paformësuar në dokumentet liturgjike apo në literaturë. Zbulimi i imzot Kazazit jo vetëm që shtyu me shekuj mbrapa historinë e shkrimit shqip, por dëshmoi se shqiptarët zotëronin një gjuhë liturgjike të konsoliduar që në agim të Rilindjes Evropiane.

Bari i Shkupit dhe udhërrëfyes i gjuhës amtare

Në vitin 1743, Papa Benedikti XIV e emëroi Imzot Kazazin Kryeipeshkëv të Shkupit. Në këtë detyrë të lartë kishtare, ai shpalosi talentin e tij si organizator dhe mbrojtës i patrembur i popullatës vendase.

Por përkushtimi i tij nuk u ndal te udhëheqja shpirtërore. Zbulimi i  "Mesharit" të dom Gjon Buzukut i dha atij shtysën për të punuar me gjuhën shqipe. Në vitin 1743, imzot Gjon Nikollë Kazazi botoi në Romë veprën me karakter katekistik "Breve compendio della dottrina cristiana" (Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane), të cilën e shoqëroi me përkthimin në shqip, duke u bërë një nga autorët e parë që pasoi traditën e shkrimit të gjuhës amtare pas zbrazëtirës së gjatë të shekullit XVII.

Një trashëgimi që nuk zbehet

Imzot Gjon Nikollë Kazazi u nda nga jeta më 5 gusht 1752, në moshën 50-vjeçare, duke lënë pas një zbrazëti të madhe, por edhe një trashëgimi pafundësisht të pasur.

Sot, figura e tij mbetet një urë lidhëse mes fesë, dijes dhe etnisë. Imzot Gjon Nikollë Kazazi na kujton se mbrojtja e kulturës dhe e gjuhës nuk është thjesht një detyrë kishtare e akademike, por një akt i lartë atdhedashurie dhe detyrim moral ndaj breznive që vijnë.

06 gusht 2026, 18:32