Indonezi, Ipeshkvi i Ruteng: "Zoti do të sjellë agimin e ri, në errësirën e tërmetit"
Vatican News
Tërmeti që tronditi ishullin indonezian të Flores "solli vuajtje të mëdha", por pikërisht "në brishtësi mund ta ndiejmë praninë e hirit të Zotit". Ipeshkvi i Ruteng, Imzot Siprianus Hormat, mbeti optimist ndërsa komentonte, për mediat e Vatikanit, mobilizimin e Kishës Katolike në komunitetet më të goditura nga tërmeti i djeshëm me magnitudë 7.7, në Indonezinë lindore.
Ndërsa numri i të vdekurve u rrit në 53, 135 të plagosur dhe 5.900 numri i personave të zhvendosur, pasi u shkatërruan më shumë se 900 shtëpi, prelati imzot Horma vëren me hidhërim se "çka mbetet është shkatërrimi dhe rrënojat, lotët dhe pikëllimi i thellë". Pavarësisht kësaj, gjen forcën për të inkurajuar popullsinë, duke theksuar se Zoti do të sjellë "një agim të ri në terrin e tërmetit".
Ndihma e Kishës
Dioqeza e Rutengut shpërndau menjëherë ndihma të ngutshme përmes famullive, ndërsa u siguruan tenda për të zhvendosurit, e sidomos, për pacientët e zhvendosur nga spitali rajonal. Për më tepër, për shkak të lëkundjeve të vazhdueshme, Ipeshkvi Hormat kërkoi që Meshët të kremtohen jashtë e në vende të sigurta, në vend të kishave. Ishulli i Flores banohet kryesisht nga katolikë, përjashtim ky, në Indonezinë kryesisht myslimane. Drejtori Ekzekutiv i Caritas Indonesia, Fredy Rante Taruk, shpjegoi se Konferenca e Ipeshkvijve Indonezianë, e udhëhequr nga presidenti i saj, Kryeipeshkvi Antonius Bunjamin Subianto, shpreh mbështetjen e plotë për operacionet e ndihmës humanitare.
"Kjo fatkeqësi na bën thirrje të veprojmë me dashuri dhe solidaritet të krishterë", thekson Ati Taruk. Caritas Indonesia aktivizoi reagimin e Nivelit 3 ngjyrë portokalli dhe vendosi anëtarët e saj për të vlerësuar dëmet, për të mbledhur të dhënat dhe për të koordinuar operacionet e ndihmës. Stacionet e ndihmës humanitare u krijuan në katër dioqezat më të prekura: Ende, Maumere, Ruteng dhe Labuan Bajo.
Pikat e tranzitit logjistik, në Surabaya dhe Kupang, po e lehtësojnë lëvizjen e dhurimeve dhe të furnizimeve në ishullin Flores, nga pjesë të tjera të Indonezisë. "Karitas po i mobilizon të gjitha pjesët e Kishës për të punuar së bashku, për të forcuar bashkëpunimin dhe për të mbështetur njëra-tjetrën, që të mund t'i përgjigjen shpejt dhe në mënyrë efektive kësaj situate humanitare" - deklaron drejtori ekzekutiv i Caritas Indonesia, duke e përmbledhur ndërhyrjen me frazën "Një Kishë, një përgjigje".
Dëmet ndër famulli
Në kryedioqezën e Ende-s, një nga më të goditurat nga tërmeti i dhunshëm, ekipet e ekspertëve, të mobilizuara nga Kisha Katolike, po vlerësojnë dëmet në famullitë në Ndona, Maurole, Aeramo dhe Aimere. Në këtë të fundit, u shemb një Kishë. Një famulli në Aeramo u shndërrua në strehim të përkohshëm për të moshuarit e zhvendosur; ndërsa në Maumere, Caritasi po punon me autoritetet lokale dhe Kryqin e Kuq Indonezian për t'i siguruar popullsisë së prekur nga paralajmërimi për cunamin, ujë të pijshëm, ushqim dhe pako higjienike.
Në Ruteng, mbi 50 Kisha, përfshirë Katedralen, pësuan dëme të konsiderueshme. Caritas ngriti tenda emergjence në spitalin rajonal, ku po ndihmon në evakuimin e pacientëve, ndërsa ndërprerjet e energjisë elektrike vazhdojnë. Së fundi, në Labuan Bajo vlerësohen dëmet në 150 shtëpi; ndërsa komunikimet me disa famulli mbeten ende shumë të vështira.