Kërko

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 15 gushtit Dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 15 gushtit

Indonezia, Kryeipeshkvi i Endes: lidhje që tërmeti nuk mund t'i shkatërrojë

Pavarësisht shkatërrimit të shkaktuar nga tërmeti i fuqishëm që goditi ishullin indonezian Flores më 15 gusht, duke lënë afërsisht 70 të vdekur e mbi një mijë të plagosur si dhe 40,000 të zhvendosur, Kryeipeshkvi Paulus Budi Kleden flet për solidaritetin e jashtëzakonshëm ndërmjet popullsisë e për vazhdimësinë e jetës së fesë, të mbështetur edhe nga ngushëllimet e Papës Leoni XIV.

Vatican Nws

Pas tërmetit shkatërrimtar që goditi ishullin indonezian Flores, me shumicë katolike, shtëpitë u shndërruan në rrënoja, por bashkësitë nuk lejojnë që vuajtjet t’i thyejnë lidhjet e tyre të fesë dhe të solidaritetit. "Ndërmjet rrënojave, dashuria e tyre nuk është thyer". Këtë deklaroi Kryeipeshkvi i Endes, imzot Paulus Budi Kleden, vetëm disa ditë pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.7 që e goditi pjesën më të madhe të ishullit në orët e para të 15 gushtit dhe e shkatërroi. Dhjetra njerëz u plagosën, mijëra u zhvendosën, shtëpi, kisha, shkolla dhe ndërtesa publike u dëmtuan rëndë në disa rrethe të provincës Nusa Tenggara Lindore. Ndonëse i rrethuar nga pikëllimi dhe pasiguria, Kryeipeshkvi Kleden thekson se ka parë shenja të jashtëzakonshme dhembshurie dhe qëndrueshmërie në gjirin e popullsisë.

Shtohen viktimat

Bilanci është afërsisht 70 të vdekur, mbi një mijë të plagosur dhe 40,000 të zhvendosur. Regjenca e Manggarait regjistroi numrin më të lartë të viktimave, e ndjekur nga Manggarai Lindor, Nagekeo, Sikka dhe Ende, Manggarai Perëndimor dhe Ngada. Sikka raportoi numrin më të lartë të personave të zhvendosur: mijëra njerëz të strehuar në strehimore të përkohshme dhe qendra evakuimi. Në orën 4:58 të mëngjesit sipas kohës lokale tërmeti, me epiqendrën e tij, goditi afërsisht 68 kilometra në veri-veriperëndim të Ende. Megjithëse, më vonë, autoritetet hoqën paralajmërimin për cunamin, që shkaktoi panik të përhapur, veçanërisht ndërmjet komuniteteve që jetonin përgjatë bregdetit verior të Flores. Pas tërmetit kryesor, mbi 300 lëkundje pasuese vazhduan të trondisnin ishullin, duke thelluar frikën dhe duke penguar shumë familje të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Në përgjigje të katastrofës, qeveria provinciale e Nusa Tenggarës Lindore shpalli gjendje të jashtëzakonshme për dy javë, nga 15 gushti deri më 28 gusht.

Kryeipeshkvi ndërmjet të mbijetuarve

Argjipeshkvi Kleden ishte në Roe, pranë Mbay, kur nisi tërmeti. E kishte kaluar natën atje, pasi kishte marrë pjesë në kremtimet e jubileut të argjendtë të një meshtari koleg dhe po përgatitej të kremtonte një Meshë krezmimi atë ditë. "Të gjithë ishim në panik”, kujtoi ai. Pas paralajmërimit për cunami, shumë banorë ikën menjëherë në vende më të larta. Brenda pak orësh, kryeipeshkvi nisi t’i vizitonte familjet e zhvendosura. Duke udhëtuar me motoçikletë përgjatë rrugëve të dëmtuara, së pari me një kryetar fshati, më pas me shoferin dioqezan, hasi njerëz që kërkonin strehim në anë të rrugëve, në pyje dhe në zona të hapura, pranë shtëpive dhe shkollave. U kthye në të njëjtat bashkësi pasdite, e përsëri në mbrëmje.

Solidaritet ndër besimtarët

Duke reflektuar mbi atë që pa, Kryeipeshkvi imzot Kleden pohoi se dy pamje të kundërta mbetën të skalitura thellë në kujtesën e tij.

"Së pari, pashë panikun dhe frikën e njerëzve, ngaqë nuk e dinin se kur do të ishin në gjendje të ktheheshin në shtëpi. Ishte e dhimbshme t’i dëshmoja të gjitha këto", tha Kryeipeshkvi, e vijoi: "Por pashë gjithashtu solidaritet të jashtëzakonshëm ndërmjet besimtarëve". Familjet që jetonin në zona relativisht më të sigurta ndërtuan spontanisht strehime të përkohshme dhe ndanë ushqimet si dhe gjëra të tjera kryesore, me ata që kishin humbur shtëpitë e tyre, a shumë nga shtëpitë e tyre ishin dëmtuar.

"Shtëpitë e tyre u dëmtuan, por dashuria e tyre nuk u thye", vijoi. Një takim e goditi në veçanti Kryeipeshkvin Kleden. Ndërsa udhëtonte nga Aeramo në Danga, ai vuri re një nënë në motoçikletë me tre fëmijët e saj. Njëri prej fëmijëve mbante një kryq të vogël. "Për mua, kjo ishte shprehje e thellë feje", tha ai. "Ai fëmijë e mbante Zotin e kryqëzuar në mes  të Udhës së tij të Kryqit".

Mirënjohje Papës

Ndërsa komunitetet e Flores vazhdonin të vajtonin humbjet e tyre, Papa Leoni XIV shprehu afërsinë e tij me të prekurit nga tragjedia në një telegram drejtuar Kryeipeshkvit imzot Paulus Budi Kleden, në të cilin ofroi lutje për të vdekurit, të plagosurit dhe të gjithë ata që morën pjesë në operacionet e ndihmës. Mesazhi papnor u prit me mirënjohje nga katolikët vendas, shumë prej të cilëve vazhdojnë të mblidhen për lutje, pavarësisht nga shkatërrimi i kishave dhe i ndërtesave famullitare. Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, Kryeipeshkvi Kleden i inkurajoi njerëzit të mos i nënshtrohen dëshpërimit.

"Si besimtarë, ne besojmë se nuk jemi vetëm në këtë situatë të vështirë". Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, Kryepeshkopi Kleden i inkurajoi njerëzit të mos i dorëzohen dëshpërimit. "Si besimtarë, ne besojmë se nuk jemi vetëm në një situatë si kjo. Zoti nuk na ka braktisur", deklaroi ai. "Me këtë bindje, ne ndihmojmë veten dhe të tjerët. Solidariteti është themelor në një situatë si kjo".

Ndihma e Kishës

Pavarësisht nga shkatërrimi i përhapur, priftërinjtë në të gjithë Kryeipeshkvninë e Endes vazhduan ta kremtonin Meshën jashtë, duke ndjekur udhëzimet e kryeipeshkvit. Besimtarët, vuri në dukje ai, vazhduan të mblidheshin për lutje dhe adhurim edhe ndërsa jetonin në strehimore të përkohshme. Sipas Kleden, meshtarët katolikë, rregulltarët dhe laikët reaguan menjëherë pas tërmetit, madje edhe para se të krijohej një program zyrtar dioqezan për emergjenca. "Ky është Caritasi në kuptimin e tij më të vërtetë", tha ai. Prandaj, Kryeipeshkvnia e Endes krijoi një ekip koordinimi që punon me Caritas Indonesia duke organizuar ndihmë emergjente për komunitetet e prekura.

Një nga prioritetet e menjëhershme është ofrimi i mbështetjes psikologjike dhe rikuperimi nga trauma, veçanërisht për fëmijët dhe familjet që vazhdojnë të frikësohen nga lëkundjet pasuese. Udhëheqësit e kishës kanë nisur të planifikojnë procesin e gjatë dhe të vështirë të rindërtimit të shtëpive, kishave, shkollave dhe infrastrukturës publike. Shkalla e shkatërrimit është e jashtëzakonshme. Edhe streha e kryeipeshkvit pësoi dëme të konsiderueshme strukturore. "Po punojmë së bashku me qeverinë, OJQ-të dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, deklaroi prelati, për t’i rindërtuar rrënojat që la tërmeti". Kryeipeshkvi imzot Kleden, më në fund, u kërkoi katolikëve në mbarë botën të vazhdojnë të luten për njerëzit e Flores, ndërsa ata nisin udhën e tyre drejt shërimit dhe rimëkëmbjes.

Nga Atë Kasmir Nema

19 gusht 2026, 11:23