Indonezia, një dollar për ndërtimin e 219 kishave
Vatican News
Nga Atë Kasmir Nema, SVD
Më shumë se një dekadë më parë, Albertus Gregory Tan, tani 36 vjeçar, nuk e përfytyronte kurrë se një nga çastet më vendimtare të jetës së tij do të vinte në formën e një dollari, të futur në një zarf anonim. I lindur në Xhakarta më 8 prill 1990, laiku i ri katolik kishte arritur në pikën e heqjes dorë nga një mision, që i dukej i pamundur. I çkurajuar nga burimet e kufizuara dhe pengesat në rritje, e pyeste veten nëse Zoti po i kërkonte vërtet të vazhdonte. Pastaj arriti letra, krejt papritur. Brenda ishte vetëm një dollar dhe një mesazh i shkurtër inkurajimi. Financiarisht, asgjë nuk ndryshoi, por shpirtërisht, gjithçka: "Ndjeva Zotin që më ftoi të vazhdoja", kujton Gregory. Ky gjest i vogël bujarie u bë shkëndijë e një lëvizjeje, e cila që atëherë preku mijëra jetë në mbarë Indonezinë.
Sot, fondacioni i krijuar prej tij, Vinea Dei, së bashku me platformën e tij dixhitale të mbledhjes së fondeve Jala Kasih, ka kontribuar në ndërtimin e 219 kishave dhe faltoreve në disa nga bashkësitë katolike më të largëta të vendit. E pra Gregori këmbëngul se arritja më e madhe nuk matet me tulla, beton a statistikë mbresëlënëse, sepse, thotë ai, "ndërtesat janë vetëm rezultat i dukshëm", ndërsa misioni i vërtetë "duhet të ndërtojë njerëz, të sjellë shpresë, të forcojë besimin dhe t'u kujtojë atyre që rrojnë në skuta, se nuk janë harruar".
Duhet të rindërtosh jo vetëm kishat
Kur Gregori ndjeu për herë të parë dëshirën për të kontribuar në rindërtimin e kishës, e interpretoi thirrjen fjalë për fjalë. Mendoi se kjo do të thoshte rimëkëmbje e ndërtesave të kishave, aty ku bashkësitë katolike nuk kishin asnjë hapësirë për t'u mbledhur për lutje. Vite udhëtimi në fshatra të largëta gradualisht e transformuan vizionin e tij. "Kisha rindërtohet shumë kohë para se të vendoset guri i parë", shpjegon ai sot. "Fillon kur njerëzit shoqërojnë njëri-tjetrin, ndajnë barrët e njëri-tjetrit dhe bëhen shenja të dashurisë së Zotit". Çdo projekt ndërtimi, thekson ai, është edhe udhëtim kthese. Fshatarët kontribuojnë me gjithçka munden: punë, materiale, ushqim ose thjesht, inkurajim. Mësojnë të punojnë së bashku, të kapërcejnë dallimet dhe të rizbulojnë forcën e bashkësisë së tyre. Kur kisha përfundon, merr formë dhe diçka tjetër, edhe më e rëndësishme: një ndjenjë e ripërtërirë përkatësie.
Kisha, që flet gjuhën e popullit të vet
Kjo bindje e ka udhëhequr Vinea Dei-n në ndërtimin e kishave. Në vend që të imponojë projekje identike, fondacioni i inkurajon bashkësitë vendase ta shprehin identitetin e tyre kulturor përmes arkitekturës shenjte. Një kishë e përfunduar së fundmi në Flores përfshin stilin tradicional arkitektonik Mbaru Niang, duke reflektuar trashëgiminë e popullit Manggarai. Për Gregorin, kjo është shumë më tepër sesa një zgjedhje e thjeshtë arkitekturore: "Kur njerëzit e njohin kulturën e tyre brenda Kishës, ata e pranojnë edhe se Krishti është tashmë i pranishëm në historinë e tyre, në traditat e tyre dhe në mënyrën e tyre të jetesës". Sipas tij, inkulturimi i krijon Ungjillit mundësinë të zërë rrënjë më të thella, pasi shprehet përmes simboleve tashmë të njohura dhe të dashura për njerëzit.
Ndërtimi i një Kishe sinodale: laikët në mision
Duke u rritur, fondacioni e ka zgjeruar misionin përtej ndërtimit të kishave. Sot, Vinea Dei, ofron bursa dhe mbështetje akademike për fëmijë nga familje katolike ekonomikisht të pafavorizuara, me besimin se investimi tek të rinjtë është mënyrë tjetër për të ndërtuar të ardhmen e Kishës. Nisma mbështetet pothuajse tërësisht nga laikët katolikë. Sipërmarrës, mësues, kontabilistë, studentë, bankierë, profesionistë të rinj dhe pensionistë: të gjithë kontribuojnë sipas mundësive. Shumë prej tyre nuk janë takuar kurrë, megjithatë i bashkon një dëshirë e përbashkët: duan të shërbejnë!