Kërko

Papa Leoni XIV (foto arkivore) Papa Leoni XIV (foto arkivore)

Kisha në Peru prezanton lutjen zyrtare për vizitën e Papës

Kisha Katolike në Peru ka bërë publike lutjen zyrtare që do të shoqërojë vizitën apostolike të Papa Leonit XIV në vend, duke i ftuar besimtarët të përgatiten shpirtërisht për takimin me Papën. Vizita është parashikuar të zhvillohet nga 11 deri më 17 nëntor, në qytetet Lima, Callao, Pucallpa, Cusco dhe Chiclayo.

Vatican News

Konferenca Ipeshkvnore e Kishës katolike Peruviane (CEP) publikoi lutjen zyrtare për vizitën apostolike të Papës Leoni XIV në vend nga 11 deri më 17 nëntor. Nisma synon të përgatisë bashkësinë katolike për këtë takim dhe të kërkojë që prania e Papës të kontribuojë në ripërtëritjen e fesë, forcimin e shpresës dhe lulëzimin e paqes. "Ne e presim vizitën e Leonit XIV me gëzim të madh, sepse prania e Papës ndërmjet nesh do të jetë dhuratë e vërtetë për popullin tonë dhe mundësi për të ripërtërirë besimin tonë, për të forcuar shpresën tonë dhe për të ecur së bashku si Kishë në shërbim të Ungjillit", deklaroi Imzot Carlos García Camader, kryetar i CEP dhe Ipeshkëv i Lurínit.

Paqe e çarmatosur dhe çarmatosëse

Lutja pasqyron një nga mesazhet kryesore të papnisë së Leonit XIV: ftesën për të ndërtuar paqen "e çarmatosur dhe çarmatosëse", të aftë për t’i transformuar konfliktet, për ta ndaluar dhunën, për të kapërcyer urrejtjen e për të hapur shtigje uniteti brenda popullit të Zotit. Kisha katolike peruviane theksoi gjithashtu edhe lidhjen e veçantë të Papës Prevost me vendin, që rrjedh nga vitet e tij të shërbesës baritore në Peru dhe rolin e tij të mëparshëm si nënkryetar i Konferencës Ipeshkvnore Peruviane. Në këtë kuptim, vizita e tij e ardhshme  u  quajt "kohë hiri" për Kishën dhe shoqërinë peruviane.

Një lutje për paqe në Peru

Lutja ia beson vizitën apostolike të Papës në Peru Shën Marisë, Nënës së Kishës, Shën Turibit të Mogrovejos dhe shenjtorëve peruvianë. Kërkon edhe që takimi me Papën të mundësojë ripërtëritjen e shpresës dhe forcimin e paqes në mbarë vendin.

Vizita e Leonit XIV në Peru do të vijojë nga 11 deri më 17 nëntor dhe do të përfshijë veprimtari në Lima, Callao, Pucallpa, Cusco dhe Chiclayo. Në pritje të kësaj ngjarjeje, Konferenca Ipeshkvnore Peruviane i ftoi peruvianët t’i hapin zemrat e të jetojnë në bashkim vëllazëror e solidaritet, me qëllim që të mirëpresin mesazhin e paqes, të dialogut dhe të pajtimit, të cilin që Papa do t'ia drejtojë popullit të Zotit.

Së fundi, Episkopati Peruvian i falënderoi ata që do të kontribuojnë në përhapjen e lutjes zyrtare dhe i nxit besimtarët të marrin pjesë aktive në përgatitjen shpirtërore për vizitën e Leonit XIV.

19 gusht 2026, 13:50