Kardinal Ernest Simoni ERNEST (Troshani) “RIKTHEHET” në ish-burgun e Spaçit
Vatican News
Në një ditë me ngarkesë të lartë emocionale dhe simbolike, dje, më 31 korrik 2026, ish-burgu i Spaçit priti kremtimin e Meshës së Shenjtë, të udhëhequr nga Kardinali shqiptar Hirësia e Tij Ernest Simoni (Troshani). Rikthimi i kardinalit Ernest Simoni në vendin ku dikur vuajti dënimin dhe punën e detyruar shënoi një moment reflektimi për vuajtjet, torturat dhe sakrificën e qindra të dënuarve gjatë regjimit komunist në Shqipëri, njoftohet në faqen e internetit të Konferencës Ipeshkvore të Kishës Katolike të Shqipërisë K.I.SH.
Në ish-burgun e Spaçit, vendin e caktuar si simbol i martirizimit, Kardinali Simoni — një nga të mbijetuarit e atij ferri — përcolli mesazhin e shpresës, paqes dhe faljes hyjnore, duke u lutur për të mbijetuarit, për ata që humbën jetën në këtë kamp, si dhe për mbarë botën.
Mbështetje dhe pjesëmarrje e gjerë
Në këtë Meshë historike morën pjesë Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë e Ipeshkvin e Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi (Haxhi Dede Edmond Brahimaj), besimtarë të shumtë, meshtarë nga dioqeza të ndryshme të vendit dhe nga jashtë, si dhe njerëz vullnetmirë që mundësuan organizimin e kësaj vizite. Pjesëmarrësit shprehën mirënjohje të thellë për qëndresën e dom Ernestit, duke e cilësuar praninë e tij si një shembull të gjallë të forcës shpirtërore që mposht urrejtjen.
Lutja e veçantë
Gjatë kremtimit u përcoll edhe lutja simbolike e kardinalit, e cila bën thirrje për kapërcimin e urrejtjes dhe gjetjen e forcës te falja:
"O Zot, mos lejo që urrejtja të zërë vend në zemrat tona! Na jep forcën me falë, edhe kur plagët janë të thella. Na mëso me qëndrue në të vërtetën, pa frikë, me i dashtë edhe ata që na përndjekin dhe bën që t’mos e humbim kurrë shpresën, sepse drita jote është më e fortë se çdo errësirë."
Eminenca e Tij, Kardinali Ernest Simoni, ka vuajtur në burgun e Spaçit gjatë viteve të persekutimit komunist në Shqipëri dhe më 31 gusht 2026 u rikthye aty, së bashku me bashkëvuajtës, besimtarë dhe shtegtarë, për të kremtuar Eukaristinë Shenjte (Meshën).
Letra e Papës Leoni XIV dërguar Kardinal Simonit
Me këtë rast, Papa Leoni XIV i dërgoi Kardinalit Ernest Simoni një letër, tekstin e plotë të së cilës po e publikojmë më poshtë.
Vëlla i nderuar,
me një mallëngjim të thellë bashkohem shpirtërisht me Eminencën Tuaj dhe me të gjithë ata që janë mbledhur në ish-kampin e burgimit të Spaçit, ku Ju ktheheni pas kaq vitesh për të kremtuar Eukaristinë, Sakrificën e Krishtit, e cila e shndërroi Kryqin nga shenjë vdekjeje në premtim jete.
Ai vend, i gdhendur në kujtesën e popullit shqiptar, mbetet një prej faqeve më të dhimbshme të historisë së tij. Spaçi ka qenë një vend ku shumë njerëz kanë mbartur kryqin e rëndë të padrejtësisë; gjaku i atyre që kanë vuajtur dhe kanë vdekur mes atyre maleve e ka ujitur atë tokë, duke e bërë një dëshmi të heshtur besnikërie, guximi e shprese. Sa shumë lutje do të jenë ngritur drejt Qiellit nga ai vend! Sa përgjërime janë pëshpëritur në zemër! Sa shumë njerëz, të shënuar nga mundimi dhe privimet, ia kanë besuar Zotit shpresën e tyre të fundit!
Memoria na e kujton se asnjë zinxhir nuk është aq i fortë sa të burgosë një ndërgjegje të ndriçuar nga Ungjilli, asnjë natë nuk është aq e gjatë sa të pengojë agimin që Zoti përgatit për bijtë e Vet dhe asnjë burg nuk është aq i thellë sa ta ndajë njeriun nga dashuria e Hyjit (krh. Rom 8,35-39).
Bashkohem në lutje për ata që kanë vuajtur dhe kanë vdekur në Spaç, që kujtimi i tyre të mbetet i gjallë dhe të jetë për brezat e rinj një thirrje e vazhdueshme për të respektuar dinjitetin e pacenueshëm të personit njerëzor, vlerën e lirisë dhe angazhimin për paqen.Të gjithë të pranishmit ia besoj ndërmjetësimit të së Lumes Mari Virgjër, Nënës së Shpresës, dhe, duke ju siguruar se do t’ju kujtoj në lutje, i jap me gjithë zemër Eminencës Suaj dhe të gjithë pjesëmarrësve në kremtim Bekimin Apostolik të kërkuar.
Nga Vatikani, më 30 korrik 2026
LEONI PP. XIV
marr nga K.I.SH.
https://kish.al/papa-leoni-leter-kardinalit-ernest-simonit-asnje-burg-nuk-mund-ta-ndaje-njeriun-nga-dashuria-e-hyjit/