Kisha dhe organizatat në Peru mbrojnë dinjitetin dhe të drejtat e njeriut
Vatican News
Përfaqësues të Kishës, organizatave shoqërore, popujve dhe komuniteteve indigjene, grupeve lokale dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut nga nëntë rajone të Perusë jugore u mblodhën në Cusco për takimin makro-rajonal “Bashkimi i zërave në mborjtje të dinjitetit”.
Takimi synoi të krijojë një hapësirë për të dëgjuar përvojat e komuniteteve, për të kuptuar më mirë problemet e ndryshme të territoreve dhe për të ndërtuar propozime të përbashkëta në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, drejtësisë, paqes dhe të mirës së përbashkët.
Të dëgjohen zërat e komuniteteve
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ayacucho, Puno, Ica, Arequipa, Madre de Dios, Apurímac, Tacna, Moquegua dhe Cusco. Ndër shqetësimet kryesore të ngritura ishin pabarazia, dhuna, diskriminimi, konfliktet për tokën dhe ujin, dëmtimi i mjedisit dhe mbrojtja e të drejtave të komuniteteve.
Ipeshkvi Lizardo Estrada Herrera, ipeshkëv ndihmës i Kryedioqezës Metropolitane të Cuscos dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit Ipeshkvnor të Amerikës Latine dhe Karaibeve (Celam), theksoi se mbrojtja e të drejtave të njeriut është një përgjegjësi që i përket si shoqërisë, ashtu edhe Kishës. “Mbrojtja e dinjitetit njerëzor, e drejtësisë, e paqes dhe e të mirës së përbashkët nuk janë çështje të shkëputura nga feja”, tha ai, duke kujtuar se këto vlera janë pjesë e Doktrinës Shoqërore të Kishës.
Nga plagët drejt pajtimit
Një nga mesazhet më të rëndësishme të takimit ishte nevoja për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të mos lejuar që asnjë zë të mbetet i vetëm.Sipas ipeshkvit Estrada, problemet e vendit nuk mund të kuptohen plotësisht pa dëgjuar njerëzit dhe komunitetet që i përjetojnë drejtpërdrejt. Takime të tilla, tha ai, mund të ndihmojnë “të rindërtojmë marrëdhëniet, të shërojmë kujtesën dhe të ecim në rrugët e pajtimit”. Pajtimi nuk do të thotë të harrohen vuajtjet, por të dëgjohemi në të vërtetë, të njohim dinjitetin e tjetrit dhe të gjejmë së bashku rrugë të reja.
Kisha: të dëgjojmë, të shoqërojmë dhe të ndërtojmë ura
Kisha theksoi se prania e saj nuk synon të zëvendësojë organizatat shoqërore dhe as të pretendojë se ka të gjitha përgjigjet. “Do të thotë të dëgjojmë, të shoqërojmë, të ndërtojmë ura dhe të lejojmë që realiteti të na sfidojë.” Pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues të organizatave të të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve të prekura nga padrejtësitë sociale e mjedisore, si edhe ipeshkvi Miguel Ángel Cadenas i Iquitos.
Nga shqetësimet te angazhimet konkrete
Takimi kërkoi të kalojë nga evidentimi i problemeve drejt propozimeve dhe angazhimeve konkrete. Synimi është që përvojat e rajoneve të ndryshme të bashkohen në një agjendë të përbashkët për të drejtat e njeriut dhe të mirën e përbashkët.
Mesazhi përmblidhet në një thirrje të qartë: nga zërat e shpërndarë drejt një fjale të përbashkët; nga plagët drejt pajtimit; nga shqetësimet drejt propozimeve dhe nga propozimet drejt angazhimeve konkrete për jetën, drejtësinë, paqen dhe të mirën e përbashkët.
Nisma zhvillohet gjithashtu në kuadër të përgatitjeve për vizitën e ardhshme të Papa Leonit XIV në Peru, duke krijuar një hapësirë dialogu mes Kishës, organizatave shoqërore, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe komuniteteve të ndryshme të vendit.