Kërko

Besimtarët marrin pjesë në Meshën e kremtuar në Bulevar del Río në Cali, më 16 gusht 2026, në kujtim të viktimave të tërmetit që goditi Kolumbinë më 10 gusht (Sergio Acero) Besimtarët marrin pjesë në Meshën e kremtuar në Bulevar del Río në Cali, më 16 gusht 2026, në kujtim të viktimave të tërmetit që goditi Kolumbinë më 10 gusht (Sergio Acero)

Kolumbi, ditë kombëtare lutjeje pas tërmetit

Me moton “Me Kolumbinë, deri në skajin më të largët të vendit”, Kisha Katolike mobilizoi komunitetet e saj për t’u qëndruar pranë njerëzve të prekur nga tërmeti i 10 gushtit të kaluar, për të koordinuar ndihmat dhe për të mbajtur gjallë shpresën. Nisma përfshiu një Ditë Kombëtare Lutjeje dhe një fushatë për mbledhjen e fondeve në mbështetje të familjeve të prekura.

Vatican News

Me moton “Me Kolumbinë, deri në skajin më të largët të vendit”, Kisha Katolike në Kolumbi ka mobilizuar komunitetet e saj për t’u qëndruar pranë njerëzve të prekur nga tërmeti, për të koordinuar ndihmat dhe për të mbajtur gjallë shpresën. Nisma përfshin një Ditë Kombëtare Lutjeje dhe një fushatë kombëtare solidariteti për mbledhjen e fondeve.

Të dielën, më 16 gusht, Kisha Katolike në të gjithë Kolumbinë iu bashkua lutjes për viktimat dhe të prekurit nga tërmeti i 10 gushtit. Nisma, e promovuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Kolumbisë dhe Caritas Kolumbiana, ftoi famullitë kishtare, komunitetet e besimtarëve, punonjësit baritorë dhe të gjithë besimtarët që këtë ditë ta jetonin si një moment lutjeje, solidariteti dhe afërsie me familjet që po përballen me dhimbjen, humbjen dhe pasigurinë.

Një tragjedi me pasoja të rënda

Tërmeti  i 10 gushti me magnitudë 7.4 ka shkaktuar dëme të mëdha në njerëz dhe në pasuri. Sipas të dhënave të fundit të Njësisë Kombëtare për Menaxhimin e Rrezikut të Fatkeqësive, 289 persona kanë humbur jetën, 4.187 janë plagosur dhe 143 rezultojnë të zhdukur. Ndërkohë, 354 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Tërmeti ka dëmtuar 127.557 banesa, ka shkatërruar 26.945 të tjera dhe ka shembur 66 ndërtesa, duke prekur rreth 450 bashki në 15 departamente. Përballë kësaj situate, Kisha katolike e Kolumbisë nuk kufizohet vetëm te lutja. Përmes famullive kishtare dhe komuniteteve të saj, ajo po përpiqet të jetë pranë popullsisë, të koordinojë burimet dhe të përgjigjet ndaj nevojave konkrete të zonave më të goditura.

“Sot kemi nevojë të jemi pranë njëri-tjetrit”

Mbi të gjitha, kjo është edhe përmbajtja e motës së Ditës Kombëtare të Lutjes: “Me Kolumbinë, deri në skajin më të largët të vendit”. Besimtarët janë ftuar të luten për ata që kanë humbur jetën, për familjet e tyre, për të plagosurit dhe të zhvendosurit, si edhe për personat që ende kërkojnë të afërmit e tyre. Lutjet u kushtohen gjithashtu ekipeve të shpëtimit, personelit shëndetësor, vullnetarëve dhe të gjithë atyre që po punojnë në operacionet e kërkimit, shpëtimit dhe ndihmës.

Kryeipeshkvi i Kartagjenës dhe presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Kolumbisë, Imzot Francisco Múnera Correa, ka shprehur afërsinë e Kishës me popullin dhe ka falënderuar për solidaritetin e ardhur nga konferenca të tjera ipeshkvnore dhe organizata kombëtare e ndërkombëtare. “Sot kemi nevojë të jemi pranë: pranë familjeve që vuajnë, pranë atyre që kanë frikë dhe jetojnë në pasiguri, pranë atyre që kërkojnë të afërmit e tyre, pranë të gjithë atyre që punojnë pa pushim për të shpëtuar jetë”, ka theksuar ai.

Edhe Papa Leoni XIV ka shprehur afërsinë e tij me popullin kolumbian, duke lutur Zotin t’u dhurojë të prekurve nga tërmeti “forcën shpirtërore dhe shpresën e krishterë”.

Lutja shoqërohet me ndihmë konkrete

Krahas lutjes dhe shërbesës baritore, Kisha katolike ka nisur edhe një fushatë kombëtare për mbledhjen e fondeve. Caritas Kolumbiana ka aktivizuar kanale të ndryshme për grumbullimin e donacioneve, të cilat do të përdoren për ndërhyrjet e ndihmës sipas nevojave të identifikuara në territoret e prekura. Synimi është që solidariteti të mos mbetet vetëm një shprehje afërsie, por të shndërrohet në ndihmë konkrete për familjet që kanë humbur shtëpitë, pasuritë ose mjetet e jetesës.

Edhe Kishat janë prekur rëndë

Tërmeti nuk ka kursyer as ndërtesat e Kishës. Sipas vlerësimeve paraprake, më shumë se 50 Kisha mund të jenë dëmtuar, së bashku me kapela, shtëpi famullitare, manastire dhe struktura të tjera kishtare. Ndër ndërtesat e dëmtuara është edhe Katedralja e Manizalesit, ku një kullë është shembur pjesërisht dhe ka mbetur e anuar mbi fasadë. Dëme të rënda janë raportuar edhe në disa Kisha dhe struktura famullitare në Pereira, Dosquebradas, La Virginia, Buga, Cartago, Popayán, Cali, Ibagué, Roncesvalles dhe në zona të tjera.

Në disa dioqeza vlerësimi i dëmeve ende vazhdon, për shkak të vështirësive në komunikim me komunitetet më të izoluara. Ekspertët po kontrollojnë gjendjen e ndërtesave për të përcaktuar shkallën e dëmeve dhe nëse ato janë të sigurta për t’u përdorur.

Në qendër të reagimit të Kishës katolike, megjithatë, nuk janë vetëm dëmet materiale, por njerëzit që vuajnë. Familjet që kanë humbur të dashurit, ata që presin ende lajme dhe mijëra njerëz që duhet të rindërtojnë jetën e tyre pas tërmetit janë fokusi i kësaj pranie.

“Kolumbia ka nevojë për ne të bashkuar. Të shoqërojmë, të shërbejmë dhe të lutemi”, është thirrja e Imzot Múnera. Një thirrje që përmbledh përgjigjen e Kishës ndaj tragjedisë: të lutet për ata që vuajnë, të qëndrojë pranë komuniteteve dhe ta shndërrojë dashurinë e krishterë në veprim konkret.

17 gusht 2026, 13:21