Kard. Pizzaballa në Asizi: të krishterët e lodhur nga bisedimet pa fund, duan paqe
Vatican News
"Të gjithë presin zgjedhjet sikur të ishin zgjidhja e të gjitha problemeve, por në të vërtetë problemet në Lindjen e Mesme do të kërkojnë shumë kohë për t’u zgjidhur. Kemi nevojë për fytyra të reja, personalitete të reja. Këtë do ta vendosin votuesit". Në Asizi për vizitën baritore të Papës dhe për të përuruar Shtëpinë Globale të Miqësisë dhe Shpresës, Patriarku Latin i Jerusalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, foli për zgjedhjet e ardhshme në Izrael më 27 tetor. Për mediat e Vatikanit, kardinali shpjegoi situatën në Jerusalem, të cilën e përshkroi si "shumë të tensionuar", edhe pse "nuk jemi në kohë lufte me bombardime, por dhuna është, në një farë mënyre, kriteri i përgjithshëm për interpretimin e marrëdhënieve në Gaza, në Cisjordani, në Izrael dhe në Palestinë".
Si e jetojnë të krishterët këtë përgënjeshtrim të përditshëm të mundësisë për marrëveshje dhe negociata?
Ndër të krishterët, si kudo, ekziston një lodhje e madhe nga kjo situatë e paqartë, nga këto komunikime, që më pas kundërshtohen nga faktet. Është diçka e përditshme. Për fat të keq, krijohet gjithnjë e më tepër një atmosferë mosbesimi, sepse askush nuk beson më edhe kur gjërat janë të vërteta. E kur ndodh diçka e mirë, njerëzit nuk e besojnë më, sepse nuk janë të mësuar më ta shohin. Situata është mjaft e vështirë.
A shihni ndonjë shkëndijë shprese?
Po, ka shpresë sepse shumë njerëz po e vënë veten në lojë në Gaza, në Cisjordani dhe në Izrael. Vazhdimisht takoj njerëz, të rinj e të moshuar, profesorë - shkurt, njerëz që kanë diçka për të humbur në aspektin e marrëdhënieve, por e vënë veten në lojë për të mos ndenjur duarkryq, për t'u takuar, për t'u mbrojtur. Brenda asaj bote, ka ende antikorpe, që e mbrojnë gjithë organizmin nga virusi i dhunës.
Jo shumë muaj më parë, famullia e Familjes Shenjte në Gaza u godit nga një raketë izraelite. Ajo u shërben shumë të moshuarve, edhe njerëzve me aftësi të kufizuara. Cila është situata në këtë bashkësi të vogël?
Janë 541 vetë. I njohim të gjithë, një nga një. Po përpiqen të kthehen disi në jetë. Po përpiqemi të rihapim shkollën. Kemi hapur një qendër mjekësore, një lloj dispenserie. Ka meshtarë, por sidomos murgesha, që janë shumë aktive në të oratorin për fëmijë, jo vetëm për ata të krishterë. Në atë situatë të përkeqësuar, po mundohemi të rikrijojmë një ambient sa më të shëndetshëm dhe paqësor që të jetë e mundur.
Më parë, folëm për shkëndija shprese. Çfarë ju shqetëson më shumë?
Ajo, që më shqetëson më shumë, është se jemi bllokuar në këtë situatë as me luftë, as me paqe, krejt e paqartë. Flasim për zgjidhje, pa i krijuar ato në të vërtetë. E gjithë kjo më shqetëson, sepse krijon një qëndrim gjithnjë e më cinik mosbesimi në zemrat e njerëzve.