Kërko

2026.08.20 vescovo rimini

Rimini, ipeshkvi: nga Papa, ndihmë për të ndërtuar kulturën e dashurisë

Ditë pritjeje për dioqezën e Romagna-s, ku Leoni XIV do të shkojë të shtunën, 22 gusht. Së pari, ndalesa në Takimin e Riminit, menjëherë pas takimi me të varfrit dhe të sëmurët në katedrale dhe, së fundmi, Mesha në port. Imzot Nicolò Anselmi shpreson se mbërritja e Papës do t’i inkurajojë të rinjtë për të bërë mirë

Vatican News

Pas 44 vitesh që nga 29 gushti 1982, Papa kthehet në Rimini. Herën e fundit ishte Gjon Pali II, i cili u ndal në Takim dhe më pas kremtoi Meshën në bregdet, para dyqind mijë njerëzve. Papa Leoni kthehet në kryeqytetin e rivierës romanjole si Pasardhës i Pjetrit, në një vizitë që përfshin takimin e 47-të vjetorit të Vëllazërisë së lëvizjes kishtare katolike "Bashkim e Çlirim", dhe dioqezën, me një vëmendje të veçantë për shpirtrat më të brishtë të qytetit të njohur për jetën e natës verore. Në Katedrale, Papa do të takohet me afërsisht 650 persona, të sëmurë, të paaftë dhe të varfër, të ndihmuar nga Caritasi, përpara se ta përfundojë ditën e tij me kremtimin e Meshës.

Një sfidë dëshmie dhe mikpritjeje

Qyteti mezi pret t'i tregojë Papës anën e tij më të mirë përmes besimtarëve që do të dynden nga rajoni i Emilia-Romagna-s, e të shumë pushuesve që  zgjodhën Riminin, për t’i kaluar aty ditët më të bukura të verës. Ipeshkvi Nicolò Anselmi është i bindur se kjo vizitë do të lërë një përshtypje të paharrueshme tek të rinjtë, madje edhe tek të largët, ndoshta të tërhequr nga kureshtja për ta parë Papën.

Rimini është kryeqyteti i turizmit veror. Çfarë do të thotë për dioqezën të mirëpresë Papën në mes të gushtit, në zemër të sezonit të plazhit?

Gazetat dhe statistikat kujtojnë se afërsisht 7-8 milionë njerëz kalojnë nëpër Rivierën tonë gjatë këtyre katër muajve. Sigurisht, jo të gjithë do të jenë këtu për këtë rast, por për Kishën e Riminit është gjithnjë sfidë dëshmie, mirëseardhjeje, mirësie, aftësie për dialog, të dish si të jesh së bashku, midis familjeve, të rinjve, jetës së ditës, jetës së natës - gjithmonë një mënyrë për ta jetuar atë, që Papa e quan njerëzim madhështor. Këtu, është shumë i larmishëm dhe vjen nga mbarë bota, mbarë Evropa dhe  mbarë Italia.

Imzot Anselmi, Papa do ta nisë vizitën e tij në Rimini me Takimin e miqësisë ndërmjet Popujve. Ju, personalisht, çfarë prisni t’i lërë të rinjve dhe vizitorëve të Takimit?

Pa dyshim, për verën e gjatë të Riminit, java e Takimit është shumë e veçantë sepse ofron një program të fortë kulturor, të shoqëruar nga shumë ekspozita, por mbi të gjitha, nga shumë njerëz, shumë vullnetarë e shumë të rinj. Mendoj se prania e Papës është një javë që, para së gjithash, na inkurajon, na jep shpresë dhe na fton të vazhdojmë ta kërkojmë këtë dashuri që lëviz yjet, siç thotë tema e Takimit. Kjo vlen për të gjithë, veçanërisht për të rinjtë që, sot më shumë se kurrë, më duket se kanë nevojë për inkurajim që të bëjnë mirë, ta vijojnë qytetërimin e dashurisë, që të mbizotërojë mbi kulturën e pushtetit, siç thotë Papa në enciklikën e tij.

Pasdite Papa do të takohet me më të ligshtit, me të sëmurët, në Katedralen e Riminit. Çfarë çasti do të jetë ky për kishën e Riminit?

Ky është vërtet çast i rëndësishëm. Zgjodhëm tri etapa rimineze: e para, në Meeting; e dyta, në takim me të sëmurët; e treta, me të burgosurit, personat me aftësi të kufizuar dhe të rinjtë që ndjekin programe terapeutike në komunitetin e Papës Gjoni XXIII e edhe në San Patrignano. Besoj se ky është një çast i rëndësishëm sepse, mes trazirave të mëdha që karakterizojnë verën e Riminit, nuk duam të harrojmë se ka njerëz që janë më të prekshëm se të tjerët, që po luftojnë, po kalojnë kohë të vështira në jetën e tyre. Ata duhet të jenë në qendër të vëmendjes së Papës, të jetës së Kishës dhe të shoqërisë në tërësi, kështu që e konsiderojmë këtë si çast shumë të rëndësishëm. Do të ketë rreth 650 të pranishëm, po aq në plazh, e shumë të tjerë do të na ndjekin përgjatë rrugëve ose nga shtëpia nëpërmjet televizionit dhe radios.

Vizita e Papës në qytetin e Riminit do të përfundojë në port, ku shkoi Shën Gjon Pali II në vitin 1982. Cila është rëndësia e kësaj Meshe në det?

Eukaristia është çasti më i rëndësishëm i gjithë kësaj dite, i gjithë ditës në jetën e Kishës, i gjithë ditës në jetën e çdo të krishteri, e mendoj edhe për Papën, sepse rreth Jezusit, i pranishëm në altar, në fjalën e Tij dhe në bashkësinë e mbledhur, jetohet prania e Tij. E pastaj deti, i cili është i pranishëm në predikimin e jetës së Jezusit: të mendojmë edhe për Detin e Galilesë. Deti është vend thirrjeje, misioni, vendi ku u qetësua stuhia, ku u kap peshkimi i mrekullueshëm. Jezusi jeton kaq shumë pranë detit. Pastaj në plazh, njerëz të panumërt do të jenë në gjendje t'i afrohen, ndoshta besimtarët, por edhe ata kureshtarë për personin e Atit të Shenjtë, e t'i drejtohen, edhe përmes shumë vullnetarëve, fjalës së tij, misionit të tij. Është vend shumë i rëndësishëm nga perspektiva e dëshmisë dhe e misionaritetit.

21 gusht 2026, 10:57