"Shenjtërorja e zgjeruar", shtegtim misionar në emër të Shën Gjon Eudes
Vatican News
Shtegtimi nëpër vendet, gurët dhe kujtimet, gëzimet, provat dhe devocioni ndaj zemrave të Jezusit e Marisë, e formuan rrugën e Shën Gjon Eudes (1601–1680), themelues i Kongregatë së Jezusit dhe Marisë (të Eudistëve) si dhe Urdhrit të Zojës së Bamirësisë. I konceptuar për të shënuar njëqindvjetorin e kanonizimit të Gjon Eudes më 31 maj 1925, itinerari shpaloset në katër etapa të propozuara për të thelluar përshpirtërinë e tij: Les Tourailles, Ri-Halboville, la Delivrande dhe Caen.
Kisha e Ri dhe pagëzimi
Me rrënjë në një shoqëri fshatare të shekullit të 17-të, thellësisht i prekur nga luftërat fetare dhe epidemitë e murtajës që zhytën shumë familje në zi, fshati dhe Kisha e Ri në Normandi duken si themeli i përshpirtërisë së Shën Gjon Eudes. "Pas një betimi të bërë ndaj Zojës sonë të Rimëkëmbjes së Tourailles, nëna e tij mbeti shtatzënë pasi çifti kishte vuajtur nga infertiliteti për vite me radhë" na tregon Motra Nathalie Champ e Motrave të Zonjës sonë të Bamirësisë së Bariut të Mirë. "Pas lindjes së Jean-it, prindërit e tij u kthyen në Shenjtërore për të falënderuar Zoja Mari. Më pas çifti pati gjashtë fëmijë të tjerë", shton ajo.
Pagëzimi i Jean Eudes u kremtua në Kishën e Zojës të Vizitës në Ri, ku ai do të kthehej disa herë gjatë jetës së tij.
Jean Eudes e konsideronte lindjen e tij (14 nëntor 1601) si ndërhyrje hyjnore në jetën e prindërve. I pagëzuar dy ditë pas lindjes, më vonë e pa këtë ngjarje si shenjë të mbrojtjes qiellore të Marisë, në përputhje me përkushtimin marian që do ta karakterizonte të gjithë përshpirtërinë e tij. Për të, pagëzimi nuk ishte rit i thjeshtë fillese, por "çast i patregueshëm" dhe "lindje e mrekullueshme" që e bën njeriun e pagëzuar njeri të Korpit të Krishtit, të gjallëruar nga Shpirti Shenjt.
Jean Eudes e përshkruante Shpirtin Shenjt si "Fryma e shpirtit tonë, zemra e zemrës sonë, për të banuar gjithnjë me ne dhe në ne", duke theksuar një intimitet trinitar të jetuar në jetën e përditshme. Kështu, Ri nuk është vetëm vendlindje gjeografike, por edhe pikë fillestare e një përshpirtërie pagëzuese, në të cilën Shpirti Shenjt, në shëmbëlltyrën e veprimit të tij në Marinë, formon Krishtin në besimtarin dhe e orienton gjithë jetën drejt Hyjit.
Caen dhe misioni shëtitës
Pasi kaloi natën duke u lutur në Notre-Dame de la Délivrande në Douvres-la-Délivrande, 14 kilometra larg nga Caeni, Jean Eudes arriti në qytetin e Caenit me pesë shokë, më 25 mars 1643, ditën e Shpalljes së Shën Mërisë, me një qëllim të qartë: të themelonte Kongregatën e Jezusit dhe Marisë dhe të themelonte seminarin e parë në Normandi. Kështu fillonte shërbesa e tij në Normandi, mes themeleve, sprovave dhe këmbënguljes në fe. Edhe pavarësisht mbylljes së seminarit, imponuar nga Ipeshkvi i Bayeux në vitin 1650, "vendim që padyshim i shkaktoi shumë trishtim Jean Eudes", thotë Motra Denise Deschamps. Por "ai kishte besim të palëkundur në vullnetin e Zotit". Kështu, me rihapjen e seminarit në maj 1653, pa një konfirmim hyjnor të thirrjes së Etërve Eudistë.
Popullatat rurale dhe të varfra, shpesh të lëna pas dore nga kleri i kohës, ishin zemra e misionit të Jean Eudes. Së bashku me një grup meshtarësh, Eudes udhëtoi në qytete të ndryshme në Normandi (Caen, Rouen, Cutans, Evreux), Bretanjë (Rennes) dhe në rajonin e Nantës. Predikoi në një mënyrë të thjeshtë, organizoi klasë për fëmijë e të rritur dhe kaloi orë të tëra me meshtarët duke dëgjuar rrëfime, për të inkurajuar kthesën e vërtetë dhe pajtimin me armiqtë. Misionet e tij zgjatën javë ose muaj. Nëse ai kthehej herë pas here në Caen, e bënte këtë për të ngritur moralin e seminaristëve dhe për të shkruar veprat e tij themelore "Zemër e admirueshme" dhe "Memoriali i jetës kishtare".
Siç kujtojnë Eudistët dhe Motrat e Zojës së Bamirësisë së Bariut të Mirë (atëherë Motrat e Zojës së Bamirësisë), oratori i tanishëm qëndron në vendin e dhomës ku jetoi Jean Eudes për gati dyzet vjet dhe ku vdiq në vitin 1680. "Për të - kujton Motra Madeleine Giugue, e cila, së bashku me Motrën Denise, Motrën Nathalie dhe Etërit Eudistë në Caen, ruajtën trashëgiminë e shtëpisë që ai kishte riblerë gjatë viteve - bamirësia është e pranishme në çdo çast dhe është sundim i rregullave".
Ishte pikërisht Bamirësia burimi i zellit misionar që e shtyu të kërkonte t'u shërbente grave të braktisura dhe të pambrojtje në jetën e tyre të përditshme, përmes themelimit të Motrave të Zojës së Bamirësisë.
Vitet e fundit, "misionet në rrugë" u bënë të pranishme në Francë. Të rinjtë (Anuncio Mission, Aïn Karem, Compagnie des Laveurs de Pieds, etj.) shkojnë për të dëshmuar fenë e tyre me kalimtarët dhe turistët, duke ofruar lutje, duke shpërndarë materiale dhe duke kërkuar takime personale, si dhe duke ofruar mbështetje për misionet lokale. Kohët e fundit, disa famulli dhe komunitete të reja (si Chemin Neuf, për shembull) i organizojnë herë pas here udhës nisma ungjillëzimi.
(nga Agjensia Fides 16/8/2026)