Shpresë për Amazonën e plagosur: “Papa e di ku na dhemb”
Vatican News
Udhëtimi i ardhshëm apostolik i Papës Leoni XIV në Peru, që do të zhvillohet gjatë shtatë ditëve në nëntor dhe do të përfshijë një etapë në Pucallpa, po pritet me padurim nga Kishat e Amazonës. Për ipeshkvijtë e Iquitos dhe Puerto Maldonado, imzot Miguel Ángel Cadenas dhe imzot David Martínez de Aguirre, kthimi i Robert Prevost në vendin ku kaloi pjesën më të madhe të misionit të tij baritor do të jetë shumë më tepër sesa një kremtim i thjeshtë. Do të jetë mundësi për t’i vendosur edhe një herë plagët e Amazonës, dinjitetin e popujve të saj dhe nevojën për një Kishë misionare, sinodale pranë më të varfërve, në zemër të misionit të Kishës.
Duke folur në programin e Radio Vatikanit / Vatican Neës “Leo XIV Returns Home”, të dy prelatët nënvizuan se Pucallpa mund të bëhet vendi nga i cili Papa do t’i drejtohet të gjithë rajonit Pan-Amazonik dhe, më gjerësisht, Kishës universale.
Pucallpa: një zë për Amazonën
Për Ipeshkvin Miguel Ángel Cadenas të Iquitos, etapa e Papës Leoni XIV në Pucallpa është në vazhdën e udhës së nisur nga Papa Françesku në vitin 2018. Duke pasur parasysh përvojën baritore të drejtpërdrejtë të Papës- misionar në Peru, mesazhi i tij nga Amazona pritet t'i japë formë ndjeshëm drejtimit të Kishës si në rajonin peruvian, ashtu edhe në atë pan-amazonik.
Plagët e Amazonës
Ndërkaq, imzot Cadenas thekson se vizita e Papës duhet të trajtojë sfidat shoqëroro-mjedisore me të cilat përballen popujt indigjenë, veçanërisht padrejtësinë e industrive nxjerrëse. Nga Pucallpa, Papa ka të ngjarë të kërkojë respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të denoncojë degradimin e ambientit, duke tërhequr vëmendjen globale ndaj problemeve të bashkësive, që vuajnë nga këto veprimtari për shfrytëzimin e Amazonës.
Një Papë që e njeh Perunë
Për shkak se Papa Leoni XIV ka përvojë personale misionare në Peru, të dy ipeshkvijtë besojnë se mesazhi i tij do të ketë peshë unike. Imzot David Martínez de Aguirre vëren se Ati i Shenjtë e kupton realitetin e brigjeve, të maleve dhe të xhunglës, duke deklaruar:
"Ai do të na flasë për të na prekur aty ku e di se do të na bëjë mirë, aty ku na dhemb".
Nga Puerto Maldonado në Pucallpa: të ecim së bashku
Imzot Martínez de Aguirre e sheh këtë vizitë si një vazhdimësi të procesit sinodal të nisur nga Papa Françesku. Ai thekson se sinodaliteti nuk është ndonjë shpikje e re, por përpjekje për të rifituar natyrën e vërtetë të Kishës, të orientuar nga bashkësia - një stil, që Papa e mishëron përmes punës së tij të mëparshme misionare dhe të qenit augustinian.
Uniteti dhe misioni
Vërtet, formimi augustinian i Papës e bën atë të përqendrohet në jetën e bashkësisë dhe në unitetin e saj. Ipeshkvi Martínez de Aguirre shpreson që vizita ta frymëzojë Kishën peruviane për të qenë një "Kishë për udhë", e karakterizuar nga misioni dhe nga impenjimi për njerëzit e periferisë së botës.
Një vizitë, që duhet të sjellë kthesë
Të dy prelatët pajtohen se vizita do të shkojë përtej kremtimit të thjeshtë. Ata u bëjnë thirrje katolikëve peruvianë ta përdorin këtë mundësi për të shqyrtuar fenë e tyre, për të rigjallëruar bashkësitë dhe për t'u angazhuar në veprimtari shoqërore e politike në mbrojtje të më të varfërve dhe më të ligshtëve.
Një pikënisje e re për Amazonën
Vizita e Papës Leoni XIV shërben edhe si mundësi për të ridrejtuar vëmendjen e Kishës universale te pasuria kulturore e Amazonës dhe te plagët e saj të thella shoqërore. Sfida e vërtetë, përfundojnë ipeshkvijtë, nuk është vetëm dëgjimi i fjalëve të Papës, por ndërmarrja e veprimeve konkrete për të forcuar mbrojtjen e popujve indigjenë, të ambientit dhe të drejtësisë sociale.