Kërko

2026.08.07 Arzobispo Fortunatus Nwachukwu, Secretario del Dicasterio para la Evangelización

SIGNIS 2026, komunikimi në shërbim të Ungjillit

Në një intervistë me median e Vatikanit gjatë Kongresit SIGNIS 2026, Kryeipeshkvi Fortunatus Nwachukwu, Sekretar i Dikasterit për Ungjillizimin, deklaroi se komunikuesi i krishterë është i thirrur të jetë dishepull, përpara se protagonist, duke ndërtuar një identitet të bazuar në formimin njerëzor dhe shpirtëror, para se të krijojë një platformë dixhitale në shërbim të Ungjillit

Vatican News 

Komunikimi dixhital nuk është vetëm mjet, por edhe hapësirë ​​për ungjillizimin, në të cilën dishepullizimi duhet t'i paraprijë dukjes. Ky ishte mesazhi i Kryeipeshkvit Fortunatus Nwachukwu, Sekretar i Dikasterit për Ungjillizim, në seancën e parë plenare të Kongresit Botëror SIGNIS 2026, kushtuar "Komunikimit dixhital për harmoninë kulturore dhe mirëqenien mjedisore". Në fjalimin e tij, Sekretari i Dikasterit për Ungjillizim deklaroi se njerëzimi sot përballet me një zgjedhje: të qëndrojë në një botë të pushtuar nga konfuzioni, mendjemadhësia e zhurma, ose të rindërtojë  muret e një qyteti, në të cilin Zoti dhe njerëzimi mund të banojnë  së bashku. Në përgjigje të kësaj sfide, Kryeipeshkvi Nwachukwu i bëri jehonë ftesës së Papës Leoni XIV për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë, një detyrë që - theksoi ai - mund të përmbushet "tullë pas tulle" nga dishepujt që kanë kamera, mikrofonë dhe laptopë: burra e gra, të bindur se dishepullizimi duhet t'i paraprijë dukjes. Pikërisht nga ky reflektim fillon biseda me median e Vatikanit, në të cilën Sekretari i Dikasterit e thellon misionin dhe identitetin e komunikuesit të krishterë.

Komunikues, apostuj në hapësirat e reja të ungjillizimit

Si duhet të duket një komunikues në shërbim të ungjillizimit sot? Sipas imzot Nwachukwu-t, përgjigjja rrjedh nga një bindje e veçantë: komunikimi është i thirrur të bëhet mjet shpëtimi, i aftë të transmetojë dashurinë e Zotit dhe të shpallë Krishtin. Duke kujtuar mandatin e Jezusit për “t’i bërë dishepuj mbarë popujt”, shpjegoi se, në atë kohë, kombet kuptoheshin kryesisht si entitete fizike. Megjithatë, sot ka hapësira të reja në të cilat njerëzit dialogojnë, takohen dhe ndërtojnë komunitete, si Instagram, TikTok, YouTube dhe platforma të tjera dixhitale. Për këtë arsye – vërejti - Lajmi i Mirë i Zotit nuk është i thirrur të mbetet i kufizuar në hapësirat fizike, por duhet të arrijë edhe në botën dixhitale. Nga kjo lind edhe një përgjegjësi specifike për ata që komunikojnë, duke siguruar që çdo përmbajtje e botuar - qoftë artikull, imazh apo prodhim audiovizual - të mos përcjellë thjesht informacionin, por të bëhet mjet i aftë për të krijuar bashkim e shpresë, për të ndërtuar ura, për të nxitur takime dhe për të hapur rrugë të reja, që mesazhi i Ungjillit të arrijë në zemrat e njerëzve.

Një identitet i fortë, para se të komunikosh

Duke parë brezat e rinj të komunikuesve, Kryeipeshkvi Nwachukwu ofron një ftesë të thjeshtë. Thirrja e tij e parë, drejtuar veçanërisht komunikuesve të rinj, është e thjeshtë, por themelore: "Së pari ndërtoni mendjen tuaj, pastaj platformën tuaj".

Ai shpjegoi se përgatitja e brendshme, formimi njerëzor dhe pjekuria shpirtërore duhet t'i paraprijnë ndjekjes së ndikimit në hapësirat dixhitale. Gjithashtu i nxiti të gjithë të sigurohen se çdo udhëtim dixhital duhet të bëhet udhëtim takimi, jo tribalizmi; polarizimi, jo përçarjeje. Në këtë kontekst,  theksoi edhe rëndësinë e integrimit të kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët, duke kujtuar se "kujdesi për krijimin është pjesë themelore e historive që tregohen". Ky, në fund të fundit, është misioni që Kryeipeshkvi Nwachukwu ua beson komunikuesve të krishterë: të jenë dishepuj - përpara se protagonistë; ndërtues urash - jo krijues përçarjesh;  dëshmitarë të shpresës së Ungjillit - edhe në hapësirat e reja dixhitale.

09 gusht 2026, 11:58